Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho iu përgjigj “zërave”, të cilët kanë pohuar se partitë PS-PD po përgatiten për një marrëveshje të re politike. I pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24, Spaho tha se kjo “teori” është publikuar nga rrethi i ngushtë i kryeministrit,  Edi Rama.

Ai tregoi se Partia Demokratike është e vendosur dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje pa u larguar Rama nga posti i kryeministrit. Sipas tij, beteja kryesore e selisë blu dhe opozitës në tërësi është krijimi kushteve që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lirë dhe të votojnë pa patur ndikime.

“Ky është një spekulim i pastër që vjen nga rrethet e kryeministrit Edi Rama. Për të dalë nga kjo situatë hedhin shashka të tilla, por qëllim ynë është i qartë: nuk kemi hyrë  në këtë betejë për pazare dhe interesa të ngushta, por kemi hyrë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kushti i parë është që të dënohen ata që kanë futur dorën në zgjedhje. Sot ka fakte se sa herë ka zgjedhje, Rama fut duart në procesin zgjedhor.

Një dialog e bëmë në 2017, e kishim kërkesën që me Ramën nuk shkojmë në zgjedhje, por shkuam dhe rezultati tregoi se ai manipuloi zgjedhjet. Si kryetar i PS, por jo si kryeministër është e drejtë e tij të jetë në tryezën e partive politike. Pazar me Edi Ramën nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Rama me kokëfortësi kërkon të marrë të gjitha pushtetet. Ai po ecën në këtë rrugë. Edhe shtypi ndërkombëtar mbështet opozitën dhe ushtron presion për ndryshime të shpejta dhe substanciale në tërësi.

Kjo është rruga e duhur. Ne nuk donim që në 30 qershor të kishim konflikt dhe mendoj se kjo ka qenë rruga më e drejtë. Edhe durimi i qytetarëve ka një pikë mbushje . Në asnjë rast protesta në Shqipëri nuk ka qenë të dhunshme. Arritja deri tek djegia e mandateve ishte proces i gjatë dhe i dhimbshëm për opozitën. Jemi të gatshëm që të ndryshojmë sistemin zgjedhor. Prej ‘90 keni ndryshuar sistemin në formë të vazhdueshme”-tha ai.

I pyetur për raportin e publikuar nga DASH mbi klimën e biznesit në Shqipëri, Spaho tha se ky raport, tregon një të vërtetë të hidhur dhe fakton se Shqipëria është vendi më i korruptuar në gadishullin ballkanik.

“Raporti është nga më negativët që është publikuar për klimën e biznesit  në Shqipëri. Raporti tregon se Shqipëria është vendi më i korruptuar në gadishullin e Ballkanit. Raporti tregon se korrupsioni është faktori numër një i problemeve dhe shumë kompani amerikane janë larguar”- u shpreh mes tjerash Spaho.

Flash Lajme