Propozimi i Bashës/ Rruga për ta kthyer refuzimin masiv të 30 qershorit, kalon përmes kutisë së votimit. Qëllimi i protestave, zgjedhjet e lira, që garantohen nga qeveria tranzitore dhe ndëshkim për vjedhësit e votave

Lindita Bushgjokaj

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me qytetarët e Mirditës pasditen e djeshme, bëri të qartë edhe njëherë qëndrimin e PD-së për situatën e zgjedhjeve në Shqipëri. Teksa foli për 30 qershorin, Basha tha se kërkesa e vazhdueshme e opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe zgjedhjet e parakohshme. Për realizimin e këtyre objektivave, kryedemokrati Basha tha se do ndiqet rruga e protestave kundra qeverisë. “E vetmja politikë e Edi Ramës është grabitja”. Mbi këtë shqetësim dhe për mënyrën sesi Partia Demokratike duhet t’i përgjigjet mesazhit për ndryshim të 30 Qershorit, Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me demokratët e Mirditës. “Preokupimi i vetëm i Edi Ramës është si të grabisë, si të vjedhë. Është një hajdut psikik, nuk është një i çmendur apo i marrë, është një hajdut psikik, që vjedh çdo gjë që i del përpara. E gjithë qeverisja e tij është vetëm për vjedhje e grabitje. Ai nuk ka asnjë politikë tjetër, prandaj ka vënë grabitjen dhe mbajtjen me dhunë të pushtetit në themel të vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve, tha Basha.

Protestat

Kreu i opozitës vuri në dukje se 30 Qershori ishte një mesazh besimi për PD, besim që erdhi si rezultat i sakrificave dhe vendimeve të forta, përfshirë edhe djegien e mandateve. Që me lënien e mandateve opozita ka ndjekë rrugën e protestave, me argumentin se parlamenti është ilegjitim dhe se nuk mund të qeveriset në një vend me krimin e organizuar. Këto akuza, pasi gjetën mbështetje edhe në publikimet e dala nga gazeta gjermane “Bild”, kanë përforcuar edhe më shumë qëndrimin e opozitës për të kërkuar largimin e Ramës përmes protestave. “Rruga jonë për ta kthyer refuzimin masiv të 30 qershorit nga një shumicë “Rama ik” në një shumicë qeverisëse, kalon përmes kutisë së votimit. Për këtë askush nuk ka asnjë iluzion. Qëllimi i protestave ka qenë, është dhe mbetet të diktojë kushtet minimale për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.

Zgjedhjet të parakohshme

Duke shkuar më tej në deklaratën e tij para qytetarëve të Mirditës, Basha ka përforcuar edhe njëherë platformën e PD-së për zgjidhjen e krizës. Në këtë platformë demokratët kërkojnë qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kryeministrit Rama. “Objektivi ynë politik është i qartë: zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe një parlament legjitim të dalë nga vota e mirditorëve dhe vota e shqiptarëve, dhe jo të diktuara nga krimi dhe paraja e drogës. Zgjedhje të garantuara përmes një qeverie tranzitore, një reformë e thellë elektorale, çuarja para drejtësisë e të gjithë atyre që tashmë i ka dëgjuar e gjithë bota se si shkatërruan zgjedhjet e 2017-s dhe, natyrisht, pas farsës së 30 qershorit, mbajtja në të njëjtën ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e zgjedhjeve legjitime lokale”- tha kreu i opozitës.

Premtimi

Së fundmi, kreu demokrat premton para qytetarëve të Mirditës, se me ardhjen në pushtet do të ndryshojë fatin e shqiptarëve. Duke theksuar se PD e ka nisur këtë betejë për interesin e njerëzve, Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për ta çuar atë deri në fund për interesin e njerëzve. “Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet do të jetë dita e nisjes së një ndryshimi pozitiv për çdo shqiptar, pa dallime partiakë, edhe për socialistët, për të gjithë. Ne jemi gati t’u tregojmë shqiptarëve rrugën e shpresës, rrugën e ndryshimit të thellë politik dhe ekonomik të vendit”, tha Basha.

Pas pushimeve, socialistët i pret një sezon i ri i ngarkuar politikisht pasi duhet të realizojnë kilometrat e kërkuar nga lidershipi i tyre, Edi Rama. PS në Shtator do të futet në një proces zgjedhor të gjatë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të strukturave. Procesi do të zgjasë 5 muaj, duke nisur me 15 ditëshin e parë të Shtatorit kur socialistët do të përgatitjen për mbajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve për të kulmuar në votimin e delegateve të Kongresit në Janar të 2020. PS e ka ndarë Shqipërinë në 3 rajone Zgjedhore, pjesë veriore e ka marrë nën administrim vetë Edi Rama, rajonin e mesëm ja ka besuar Sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla, ndërsa atë jugorin do ta drejtojë Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Zgjedhjet në PS: 1-15 shtator – Faza përgatitore; 16 shtator – 10 nëntor – Organizatat Socialiste; 17 nëntor – 7 dhjetor – Kryetarët e PS në çdo bashki; 8-20 dhjetor – Konstituimi i Këshillave Socialistë dhe Asambletë e Bashkive; Janar 2020 – Kongresi Zgjedhor.

Flash Lajme