Shkodër/ Zgjedhja e rektoratit për konstituimin e këshillit bashkiak, provokim i PS-së. PD e Shkodrës lajmëron protesta dhe kërkon të anulohet mbledhja e thirrur nga perfekti i qarkut.

Kume: Detyrën në vend të Ademit e merr nënkryetari i Bashkisë

Erjon Dervishi

Për shkak se bashkia kontrollohet nga demokratët, PS-ja ka zgjedhur që ky konstituim të realizohet në një nga auditorët e rektoratit të Universitetit të Shkodrës. Për këtë zhvillim Partia Demokratike, dega Shkodër, ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste përpara godinës. “I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste. E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar! Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë! Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj! Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës”, thuhet në deklaratën e degës së PD-së.

Më tej u bëhet thirrje qytetarëve të Shkodrës që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëria shkodrane ka promovuar në histori. Grumbullimi i mbështetësve të PD-së do të bëhet në ora 10:00. “Çdo përpjekje për të injoruar me arrogancë mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë së Shkodrës, përmes thirrjeve te paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve”, thuhet në deklaratë. Pak ditë më parë, në Shkodër u protestua kundër kryebashkiakut Valdrin Pjetri, i cili sipas PD-së rezulton i dënuar në Itali për trafik droge në vitin 2003, një ngjarje e fshehur nga vetë kandidati socialist në formularin e “Dekriminalizimit”. Pas këtyre qëndrimeve të forta të PD-së, kandidati socialist, fituesi i zgjedhjeve pa garë në bashkinë e Shkodrës, u detyra të jepte dorëheqjen, duke mos pranuar që të ushtronte detyrën e kryebashkiakut.

Letra e prefektit të Shkodrës

Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja me anë të një shkrese kërkon mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës më 19 gusht. Shkresa e firmosur nga prefekti ka tre pika në rendin e ditës, konstituimi i këshillit dhe zgjedhjeve e organeve drejtuese dhe përfaqësuese; zgjedhje e përfaqësuesve të anëtarëve të rinj në këshillin e qarkut. Pika e tretë është shpallja e vlefshmërisë së kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Me këtë akt pritet të bëhet publike edhe fakti i dorëheqjes nga post i Valdrin Pjetrit. Nuk është e qartë nëse kjo nënkupton ndonjë plan të socialistëve për të rrëmbyer këshillin, por ligjet aktuale lënë pak hapësirë për të zgjidhur drejtimin e Bashkisë së Shkodrës. Pjetri deklaroi tërheqjen nga marrja e postit të kryebashkiakut, pavarësisht se procedura zyrtare e verifikimit të dënimit të tij dhe e shkarkimit nuk është përfunduar. Kjo e bën situatën e Shkodrës të paprecedentë në historinë e re të vendit dhe të tillë që nuk është parashikuar në ligj apo në kushtetutë.

Ngërçi në Shkodër

Ligji për Vetëqeverisjen Vendore thotë se kur posti i kryetarit mbetet vakant, një nënkryetar kryen funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Problemi është se nënkryetari është një person që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (neni 61). Dhe në kushtet kur Pjetri është tërhequr pa kryer betimin, ai vështirë se mund të emërojë një nënkryetar. Në një situatë normale, anomalia do të zgjaste disa muaj deri sa procedurat për shpalljen e vakancës të përfundonin dhe presidenti i Republikës të shpallte zgjedhje të parakohshme. Por në situatën aktuale, presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për rrjedhojë ka deklaruar se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme për Shkodrën. Ngërçi i paprecedentë mund të zgjidhej në Gjykatën Kushtetuese, por duket se vendit do t’i duhet të presë edhe disa muaj përtej shtatorit për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Një proces i gjatë verifikimi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka arritur të përzgjedhë kandidatë për 4 vende vakante, që së bashku me anëtaren e vetme që i mbijetoi vetingut, Vitore Tusha e çojnë potencialisht numrin e anëtarëve në 5. Ndërkohë, kuorumi për shqyrtimin e çështjeve në seancë plenare është 6. Nëse krijohet, Gjykata mund të përballet me një mori me pyetje, përfshirë vlefshmërinë e dekretit të Metës për tërheqjen e dekretit për datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Por deri sa gjykata të jetë funksionale, qeverisja në Shkodër ka gjasa të mbetet në ajër.

Kristaq Kume

Kume sqaron se nga ana ligjore, detyrën e kryetarit të bashkisë do të vazhdojë ta kryejë zonja Voltana Ademi, për të cilën thotë se nuk mund ta shkarkojë këshilli bashkiak. Kristaq Kume është shprehur për Ora News se: Dorëheqja nga mandati i kryetarit të bashkisë të Valdrin Pjetrit, menjëherë hap pas saj nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve të përsëritura në këtë bashki. Kjo për faktin se ky ka qenë kandidati i vetëm që ka kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse do të kishte një kandidat tjetër mundet që KQZ për sa kohë që procesi nuk konsiderohet i përfunduar deri në betimin e tij të shpallte vakancën dhe ti kalonte mandatin garuesit tjetër. Është shumë e rëndësishme të theksojmë faktin tjetër se kjo dorëheqje nuk afekton fare rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e zgjedhjeve sa i përket këshillit bashkiak. Këshilli bashkiak konstituohet dhe pas konstituimit të këshillit bashkiak kryetari i zgjedhur mund të ushtrojë detyrën si i tillë vetëm në rast se betohet përpara këshillit bashkiak. Këshilli Bashkiak i ka të gjitha mundësitë në Shkodër që të mblidhet të konstituohet dhe të fillojë punën. Ndër punët e para që bën ky organ i zgjedhur është zgjedhja e nënkryetarëve për bashkinë e Shkodrës.

Ndërkohë duke iu referuar ligjit të qeverisjes vendore detyrën e kryetarit të bashkisë do të vazhdojë të kryejë zonja Voltana Ademi si një kryetare në detyrë dhe këtë ta ushtrojë derisa i zgjedhuri nga procesi zgjedhor i ardhshëm si kryetar bashkie në Shkodër do të betohet për të marrë këshillin bashkiak. Këshilli Bashkiak nuk ka fuqi ligjore për të shkarkuar kryetaren e bashkisë Shkodër, cilado qoftë situata. Kryetari i bashkisë merr mandatin si një i zgjedhur direkt nga populli. Kryetari i bashkisë është ekzekutivi i pushtetit vendor. Kryetarit i bashkisë i ndërpritet mandati vetëm atëherë kur plotëson kushtet e përcaktuar në ligj. Ligji në asnjë rast nuk ka parashikuar që një ndër mundësitë e ndërprerjes së mandatit të kryetari të bashkisë të jetë një vendimmarrje e këshillit bashkiak. “Nëse 6 muaj nuk janë bërë zgjedhje akoma, këshilli bashkiak ka të drejtë të ushtrojë atë kompetencë që i jep ligji në rastin kur ndërpritet mandati i kryetarit të bashkisë dhe përsa kohë që nuk është zgjedhur një kryetar bashkie, vetë këshilli zgjedh një ndër kryetarët për të ushtruar këtë detyrë. Është kryetar që nuk ka të njëjtin fuqi ose autoritet siç e ka kryetari i zgjedhur nga zgjedhësit. Liritë e tij në vendimmarrje do të jenë shumë më të kufizuara”- tha Kume për Rtv Ora.

Zef Gjoni: Edhe socialistët e ndershëm të reflektojnë

Aktivisti i shumë ngjarjeve të fillim viteve ’90 Zef Gjoni ka bërë një deklaratë në lidhje me konstituimin e këshillit bashkiak Shkodër. Gjoni i bën apel PS që të tërhiqet nga kjo ide, aq më tepër nga vendi ku është parashikuar konstituimi, rektorati. Sipas Gjonit në atë vend, 30 vite më parë kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme.

Deklarata

Sot socialistët kërkojnë të bëjnë konstituimin ndërkohë që PD do të zhvillojë një protestë sepse ne nuk jemi dakord që të bëhet konstituimi. Unë i bëj thirrje PS Shkodër dhe gjithë socialistëve të ndershëm të Shkodrës që të tërhiqen nga kjo ide absurde. PS ka zgjedhur vendin më të papërshtatshëm të mundshëm për të bërë konstituimin siç është rektorati. Ky është një provokim i rëndë për mijëra qytetarë shkodranë, për mijëra demokratë e socialistë të ndershëm. Në fillim vitet ’90 të gjithë ne bashkë të majtë e të djathtë dolëm për të rrëzuar regjimin diktatorial. 30 vite më parë thuajse në atë vend, shumë afër kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme. Nuk është i largët rënia e 4 martirëve të demokracisë me 2 prill si dhe qindra të plagosur disa herë më radhë. Në atë vend simbol të rezistencës ndaj të keqes, sot 30 vite më pas një tjetër regjim i ngjashëm kërkon të na provokojë. Ne nuk duam asnjë 2 prill të dytë, as përplasje dhe as të plagosur larg qoftë apo as konfrontime mes shkodranëve sepse jemi qytetar të këtij qyteti që i dha shembull jo vetëm Shqipërisë por bëri bujë edhe në Evropë.

Në mbrojtje të vlerave të demokracisë, në nder të gjakut të martirëve, qindra të plagosurve dhe mijëra qytetarëve shkodranë që kontribuan për vite me radhë për liri dhe demokraci i bëj një thirrje të sinqertë socialistëve që të tërhiqen nga kjo ide provokuese e konstituimit të këshillit bashkiak tek rektorati. Nuk është e drejtë sepse shkel mbi parimet dhe gjithë atë kontribut që ne të gjithë e dhamë për një Shkodër ndryshe. I bëj thirrje se nuk është koha as për provokime dhe as për tensione. Duhet të jetojmë si një familje e madhe në të mirë të qytetit siç kemi bërë gjithnjë. 30 qershori nuk ishin zgjedhje por vendosja e një regjimi të ri ashtu si para 30 viteve kur shkodranët dhe shqiptarët e rrëzuan. Shkodranët sërish nuk do ta lejojnë vendosjen e këtij regjini absurd monopartiak që dëmton demokracinë dhe minon vlerat e vërteta. Shkodranët do të dinë kësaj here dhe kurdo që ta mbrojnë qytetin dhe ta luftojnë të keqen. Shpresoj që të reflektojnë sepse kanë kohën e mjaftueshme për të mos na dhuruar një shfaqje të shëmtuar politike në Shkodrën  e demokracisë, simbol i qëndresës dhe lirisë. Shpresoj që ky apel i imi i sinqertë të vlerësohet dhe kuptohet siç duhet nga të gjithë socialistët e ndershëm sepse Shkodra nuk e meriton.

Flash Lajme