Thesari: Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati me datën 20.08.2019, ora 16:30. Për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak ai që duhet të zgjidhë problemin. Ademi letër ambasadorëve për situatën e paprecedentë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokoi, në përfundim të orarit zyrtar të ditës së martë, fondet e Bashkisë së Shkodrës. Dega e Thesarit nuk pranoi të kryejë veprime për likuidimin e faturave të shërbimeve të kësaj bashkie, çka do të thotë bllokim i veprimtarisë financiare dhe administrative të saj. Përmes një e-maili të orës 15:02, dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, njoftohet Bashkia e Shkodrës se “sipas ligjit, Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati me datën 20.08.2019, ora 16.30 sipas orarit zyrtar. Për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak ai që duhet të zgjidhë problemin”. Njoftimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vjen një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, i cili u krye në një situatë të tensionuar pasi mbështetës të opozitës protestuan para sallës ku po zhvillohej takimi. Në përfundim të konstituimit të Këshillit Bashkiak, deputetja socialiste Senida Mesi dhe zv. ministria e brendshme Romina Kuko deklaruan se, pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, përfundon edhe mandati i kryetares së Bashkisë së Shkodrës. Por, kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta të vendit, deklaroi menjëherë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak se “do të jem në detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e Bashkisë së Shkodrës deri në momentin, sa më të shpejtë për të gjithë ne, jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë Shqipërinë, kur ne shqiptaret, ne shkodranët, të shkojmë në zgjedhje të vërteta, të rregullta, ku të gjithë të mund të zgjedhin të lire” .

Reagimi

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, i është drejtuar me një letër publike Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke i shprehur shqetësimin se Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, përmes Degës së Thesarit në Shkodër, kanë penguar funksionimin e bashkisë që ajo drejton. Në letrën e saj, drejtuar edhe të gjithë ndërkombëtarëve në vendin tonë, Voltana Ademi sqaron se janë bllokuar të gjitha procedurat e likuidimit me fondet e veta për shërbime dhe investime. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit përmes Degës së Thesarit në Shkodër ka penguar funksionimin e Bashkisë Shkodër, përmes bllokimit të procedurave të likuidimit me fondet e veta për shërbime dhe investime. Për një zhbllokim të shpejtë të kësaj situate të paprecedentë për qeverisjen vendore në Shqipëri, i kemi dërguar shkresën bashkëngjitur, shkresë e cila nesër do të mbërrijë edhe përmes shërbimit postar”, thuhet në letrën e kryebashkiakes Voltana Ademi. Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Voltana Ademi shpreson të ketë zgjedhje për Shkodrën. Qytetarëve, sipas saj u është mohuar e drejta për të zgjedhur, jo vetëm duke ju referuar 30 Qershorit, por zhvillimeve pas kësaj date, që nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit për shkak të akuzave. “Unë dua të shpresoj që shpejt të kemi zgjedhje për Shkodrën, besoj do kemi zgjedhje për gjithë Shqipërinë, por ngjarjet e Shkodrës e kanë dëshmuar se qytetarëve u është mohuar kjo e drejtë, prandaj duhet t’u jepet sa më shpejt mundësia për të zgjedhur”, tha Ademi.

Ish-deputeti

Edi Rama, mos e provoko Shkodrën! Kjo është thirrja që Bardh Spahia i bën kryeministrit Edi Rama pas bllokimit që Ministria e Financave i ka bërë Bashkisë së Shkodrës. “Shërbimet ndaj qytetarëve janë një detyrim kushtetues, e për to paguajnë taksa, jo të ardhurat e Surrelit që i menaxhon si të duash!”, shkruan Spahia në reagimin e tij. “Nuk priti as 24 orë, pa e nxjerrë në pah mllefin politik, që ende nuk e ka kapur Shkodrën si bashkitë e tjera, natyrisht për shkak se përzgjedh kriminelë për të përfaqësuar qeverisjen e vet. Me urdhër politik e pa një reference ligjore Ministria e Financave bllokon përmes degës së thesarit procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet e bashkisë Shkodër. 11 vjet në krye të bashkisë Tiranë, Edi Rama e ka të qartë se nuk po bllokon Voltana Ademin, por veç u heq shërbimet qytetarëve të bashkisë Shkodër. Mllefi që e katandisën në 5% pjesëmarrje është aq i madh sa të sakrifikojë edhe qytetarët e 5 përqindëshit që i votuan  kandidatin e inkriminuar. Socialistët e Shkodrës po e kanë të qartë që për Ramën, janë thjesht numra në funksion të karriges së tij, e jo banorë të një qyteti që kryeministri ilegjitim u mburr se e ka prioritet. A do pranojë 5%-shi të hajë bar për partinë? E sigurt është se 95 % e shkodranëve nuk do e pranojnë! Prandaj Edi Rama lëri provokimet! Shërbimet ndaj qytetarëve janë një detyrim kushtetues, e për to paguajnë taksa, jo të ardhurat e Surrelit që i menaxhon si të duash”, shkruan Spahia.

Ngërçi

Ekspertë të çështjeve zgjedhore pohojnë se jemi përpara një rasti shumë të komplikuar nga pikëpamja ligjore. Ata theksojnë se nëse Valdrin Pjetri paraditen e së hënës do të ishte betuar si kryetar i bashkisë Shkodër e më pas kryeministri menjëherë do ta shkarkonte, atëherë situata do të ishte më pak e komplikuar. Por a ka kompetencë ligjore këshilli bashkiak Shkodër ti drejtohet KQZ? Kristaq Kume, ish-kreu KQZ-s në një bisedë telefonike me Top Channel-in deklaroi: “Pasi këshilli bashkiak Shkodër verifikoi vakancën e krijuar nga dorëheqja e zotit Pjetri, për mendimin tim duhet që të njoftonte për këtë vakancë prefektin e qarkut të Shkodrës i cili njofton pas kësaj kryeministrin e vendit. Nuk e kuptoj pse Këshilli Bashkiak do të njoftojë KQZ ndërkohë që  ky proces për KQZ është i mbyllur për sa kohë ai ka deklaruar vendimin përfundimtar për zgjedhjet e 30 Qershorit. Për sa kohë që vakanca nuk është krijuar si rezultat i veprimit të mbi personin përkatës sipas ligjit të dekriminalizimit konstatim që në këtë rast do ta bënte KQZ e të shpallte pavlefshmërinë e mandatit, por kemi të bëjmë me një dorëheqje. Prandaj nuk e shikoj se çfarë mund të bëjë KQZ”, sqaroi Kume.

Flash Lajme