Ish deputetja demokrate Jorida Tabaku duke komentuar për Syri Tv raportin e fundit përfundimtar të OSBE-ODHIR, që delegjitimon votimet moniste të 30 qershorit, tha ndër të tjera se problemi nuk është thjesht Kodi Zgjedhor, por Edi Rama që ka ngritur një sistem kriminal, që i vjedh votat edhe kur shkon i vetëm në zgjedhje.

“Që nga 2013 nuk kemi pasur asnjë tentativë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor nga kjo qeveri. Për këtë qeveri është më e thjeshtë për të bërë zgjedhje nëse ka paqartësi. Të gjitha ndryshimet në këto kohë u lanë në harresë. Kujtojmë se 6 muaj para zgjedhjeve lokale u aktivizua qeveria dhe u kujtua që duhet të kishte reformë zgjedhore.

Ne kemi qenë të parët që kemi kërkuar ndryshime, por  duhet edhe vullneti politik. Sado mirë ta bëjmë Kodin Zgjedhor, në fund të ditës ato që i zbatojnë zgjedhjet kanë përgjegjësinë. Në 2009 edhe sipas raportit të OSBE-ODHIR kishim 90 përqind zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Që nga viti 2013 kemi rritjen e rekomandimeve të OSBE-ODHIRIT. Kryeministri mund ta shtrijë dorën për shumë gjëra por kur përfshin kriminel si në këto zgjedhje ku nuk kishte nevojë, dhe ku i përfshiu, është e kotë që të bisedojmë për ndryshime zgjedhore.

Ndodhi në vitin 2015, 2017 dhe 2019. Ky nuk është një rast i izoluar, po për të ngritur një sistem kriminal për ta mbajtur pushtet. Është e kotë të diskutojmë për gjëra që ka rekomanduar OSBE-ODHIR. Ky raport do të analizohet në momentin kur partnerët tanë do marrin vendimin për hapjen ose jo asociimit”, tha Jorida Tabaku.

Flash Lajme