Ambasadori i SHBA në Gjermani dhe tashmë i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell ka vizituar këtë të mërkurë Kosovën. Analisti amerikan, Edëard Joseph, thotë se me emërimin e Grenellit, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Joseph, përfshirja, gjithnjë e më e intensifikuar e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi, është sa pozitive aq edhe shqetësuese.

Joseph shprehet: “Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë. Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka zbritur (atë rajon) nga prioritetet e saj. Por, kjo çështje (dialogu) qartazi kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim. Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese. Përse ambasadori  Grenell është emëruar (në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi) kur Matthew Palmer sapo është zgjedhur  në pozitën e të dërguarit të posaçëm (për Ballkanin)? Palmer natyrisht ka përvojë të gjatë në rajon, ndërsa ambasadori Grenell ka punuar në Kombet e Bashkuara, ka njohuri për rajonin, por jo në të njëjtin nivel. Është një gjë e mirë që Shtëpia e Bardhë, në kohën e shumë krizave të tjera, është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por, në anën tjetër, është e çuditshme dhe mbetet të shihet se çfarë do të thotë për politikën amerikane në rajon.

Analisti Joseph, gjithashtu, e konsideron të pazakonshëm faktin se ka dy të emëruar. Ai shprehet: “Sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq. Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë).

Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues”. Joseph shton: “Disponimi në SHBA nuk është i lidhur me çështjet në Ballkan. Nëse shikojmë në aspektin ndërkombëtar, SHBA-ja është e përqendruar tash për tash në tërheqjen e trupave nga Siria, në mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Iranin dhe, mes tjerash, në konfliktin tregtar me Kinën.

Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell. Ata që mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës – që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës… për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri”. I pyetur se si e sheh SHBA zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, Joseph thotë: “Kjo është një pyetje politike, së cilës nuk ia dimë përgjigjen, por duhet t’i lexojmë sinjalet.

Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë – të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini – për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t’i kalonin Serbisë dhe një pjesë e pa definuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t’i kalonte Kosovës. Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt. REL

Flash Lajme