Shqipëria po përgatitet të bëhet pjesë e  Konventës Ndërkombëtare për luftën kundër falsifikimit të parave. Është depozituar tashmë në Kuvend Projektligji që do të bëjë të mundur këtë aderim, qëllimi i të cilit është bashkërendimi i luftës për parandalimin dhe gjurmimin e parave të falsifikuara,  evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave të përbashkëta, duke respektuar legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi.

Në relacionin shoqërues të projektligjit përcaktohet se me qëllim bashkëpunimin mes shteteve të tjera do të ngrihet një Zyrë Qendrore.

Përparësitë që priten nga zbatimi i kësaj konvente janë në lidhje me luftën kundër falsifikimit të monedhës, ku palët do të forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit.

Palët do të ndërmarrin masa të përbashkëta kundër veprës së falsifikimit të monedhës.  Sipas parashikimeve të kësaj konvente, palët kontraktuese do të konsultohen në lidhje me problematikat që mund të lindin, brenda kuadrit ligjor vendas. Hetimet mbi subjektin e falsifikimit do të organizohen nga Zyrat Qendrore, të cilat do të krijojnë komunikim të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.

Konventa rregullon në mënyrë të detajuar edhe format e dënimit për falsifikatorët apo shpërndarësit në rastet kur ata i kryejnë veprat penale të falsifikimit jashtë kufijve të shteteve të tyre.

Flash Lajme