Shpërthim eksplozivi në Maqellarë të Dibrës. Një vit më parë, në të njëjtin vend, Kosiqit i vranë djalin me tri plumba pistolete. Kosiqi mësohet se ka në pronësi një hotel pranë llixhave të Dibrës

 Diamila Leka

Një sasi tritoli është vendosur pranë një stalle bagëtish në Maqellarë të Dibrës. Stalla ishte në pronësi të shtetasit Gazmir Kosiqit. Ndërsa, nga shpërthimi i eksplozivit është plagosur djali i tij Ismail Kosiqi 30-vjeç, i cili ka marrë plagë në këmbë nga pjesët e thërrmuara të betonit të murit rrethues, gjatë shpërthimit. 30-vjeçari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe sipas bluzave të bardha është jashtë rrezikut për jetën. “Në Maqellarë, në murin e stallës së bagëtive pas banesës se shtetasit G. K. ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga ciflat e blloqeve të betonit të murit rrethues është lënduar në këmbë dhe po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën shtetasi I.K, 30 vjeç, i cili ishte duke ushqyer bagëtitë në momentin që ka shpërthyer lënda plasëse. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor  dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Janë sekuestruar kamera sigurie dhe çdo provë që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Ndërkohë, një vit më parë Gazmir Kosiqit i vranë djalin, në pragun e shtëpisë. Elsi Kosiqi mbeti i vdekur si pasojë e atentatit pasi ishte kthyer nga Maqedonia. Autor i dyshuar i vrasjes së tij është Mahmut Gega. Gazmir Kosiqi mësohet se ka në pronësi një hotel pranë llixhave të Dibrës.

Ngjarja

Më datë 19.03.2018, viktima, Elsi Kosiqi, ka shkuar në Dibër të Madhe me automjetin e tij tip “Benz” dhe është kthyer më datë 20.03.2018, ora 00:53 të mëngjesit. Sapo ka mbërritur tek banesa e tij, rreth orës 01:00, ka parkuar automjetin dhe në momentin kur po mbyllte portën e jashtme, e kanë qëlluar me armë duke e lënë të vdekur në vend. Krismat e armës i ka dëgjuar bashkëshortja e viktimës, e cila sapo ka dalë nga banesa dhe ka konstatuar bashkëshortin e saj të shtrirë në oborr, ka njoftuar menjëherë babanë e viktimës, i cili banonte në një banesë tjetër afër banesës së tyre. Në moment kanë dalë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, konkretisht, nëna e viktimës, vëllezërit, ndërkohë që viktimën e kanë transportuar për në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, vëllai i tij, bashkë me djalin e hallës së tij, të vdekur.

Arrestimi

Autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur gjatë orëve të mëngjesit të datës 20.03.2018, në Maqellarë, ku u vra me armë zjarri shtetasi Elsi Kosiqi, Mahmut gega është arrestuar pasditen, e po të njëjtës ditë. Sipas njoftimit të policisë, në vijim të informacionit paraprak dhe dëshmive të para, mësohet është vrarë me armë zjarri, në oborrin e banesës së tij në Maqellarë shtetasi Elsi Kosiqi, rreth 32 vjeç, baba i 3 fëmijëve. Pas dëshmive të para Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër,  bënë të mundur arrestimi në flagrancë të autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Mahmut Gega, banues në njësinë administrative Shupenzë. Sipas dyshimeve të para, dyshohet se shkaku i atentatit që çoi në vrasjen e 32-vjeçarit, është për konflikte për motive të dobëta. E ndërsa edhe pas seancës për masë vlerësimi, i dyshuari nuk ka pranuar krimin, duke këmbëngulur se është i pafajshëm.

Dëshmia e Mahmut Gegës

Vetë Mahmut Gega, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij, ka thënë se atë ditë ka qenë në lëvizje, ndërsa ka ngrënë dark te motra e kushëririt, me të cilin kishte lëvizur gjatë ditës. “Paradite kam qenë në një lokal deri në orën 11:30. Më pas kam ikur në shtëpi dhe kam ngrënë bukë. Më pas kam dalë në fshat dhe kam pirë kafe në banak tek një lokal. Rreth orës 13:00 kam mësuar se kishte ardhur kushëriri me makinën e tij “BMË X6”, me ngjyrë të bardhë, të cilin e kam takuar në shtëpinë e tij dhe së bashku dolëm për kafe në fshat. Kushëririn e mori në telefon një shok, i cili i kërkoi ti dërgonte një numër fax-i, ndaj kemi shkuar tek servisi i telefonave që ka fax dhe jemi kthyer përsëri, ku dhe kemi pirë kafe tek lokali në fshat. Rreth orës 14:30, kemi shkuar dhe kemi pirë kafe te lokali i shtetasi me iniciale F.Gj, me dy miq të kushëririt. Kemi qëndruar së bashku me ta, deri rreth orës 16:30, nga ku pastaj kemi shkuar në një tjetër vend dhe më pas kemi shkuar tek motra e kushëririt që banon në qytetin e vjetër, e martuar. Aty kemi ngrënë darkë dhe kemi fjetur. Rreth orës 05:00 në mëngjes, më merr në telefon vëllai dhe më thotë se ka ardhur policia dhe po të kërkon ty, të cilit i kam thënë se po i pres tek komisariati. Gjithashtu, ka deklaruar se e ka njohur Elsi Kosiqin, por nuk ka pasur muhabet dhe se nuk ka pasur asnjë herë konflikt me të.

Dëshmia e vëllait të Mahmut Gegës

“Rreth orës 17:30 vëllai ka qenë në shtëpi dhe kur doli nga shtëpia tha se, do të shkonte nga tezja e cila banon në një fshat aty afër, meqenëse edhe mamaja, shkoi për tek tezja. Ai ka dalë nga shtëpia mbasi iku mami dhe është përshëndetur me mua duke më thënë se do flisnin në telefon. Me vëllain jam parë për herë të fundit kur është larguar nga shtëpia për të shkuar tek tezja. Rreth orës 19:30 kam folur në telefon me të, ai më ka thënë se është tek tezja.”-ka thënë ai. Ndërsa, pyetjes se kur ka shkuar policia, i vëllai nuk është gjetur as në banesën e tij dhe as në banesën e tezes, ai është përgjigjur se, Mahmuti nuk ndodhej në shtëpi, dhe se e dinte se kishte shkuar tek tezja, por kur e ka telefonuar atë, i ka thënë të  afrohej tek Komisariati i Policisë për sqarim. Sipas tij ai nuk ka dijeni se çfarë ka bërë pasditen e kësaj dite. Sipas tij kontakti i fundit me të vëllain ka qenë në telefon.

Dëshmitë kontrakditore

Kanë qenë dy dëshmitë kontradiktore të dy vëllezërve, në lidhje me vendndodhjen e autorit të dyshuar të vrasjes, që ka bërë grupin e hetimit të ngrejë dyshime se është pikërisht ai që e ka kryer atentatin. Ndërsa këqyrja e bisedave telefonike, ka nxjerr në dukje mesazhe të cilat e kanë kompromentuar më shumë atë me ngjarjen. Megjithëse, vetë i riu para gjykatës ka thënë se nuk është ai autori, dhe se për të vërtetuar se ku ka qenë, duhet të merren në pyetje personat, për të cilët thotë se ka qenë i shoqëruar atë ditë. E pikërisht për të kryer këto hetime, gjykata e ka lënë Gegën, në masën e sigurisë “Arrest në burg” për 30 ditë, duke e konsideruar kohë të mjaftueshme për të marrë edhe këto prova.

Flash Lajme