Kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi u largua me dorëheqje nga sistemi gjyqësor më 24 tetor, me motivin e “angazhimit në një pozicion tjetër pune”. Megjithatë, një vendim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit zbulon se Qeleshi e dorëzoi dorëheqjen dhjetë ditë pas mbylljes së hetimit administrativ, që e ngarkonte atë me barrën e provës për kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Joana Qeleshi nisi në 15 mars 2018 nga një trupë gjyqësore e drejtuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko. Sipas vendimit të KPK-së, më 14 tetor 2019, trupi gjykues në prani të vëzhguesit ndërkombëtar arriti në përfundimin se provat “në lidhje me kriterin e pasurisë dhe kontrollit të figurës kanë nivelin e provueshmërisë” dhe vendosi mbylljen kryesisht të hetimit.

E njoftuar përmes postës elektronike për mbylljen e hetimit dhe kalimin e barrës së provës, Qeleshit i është bërë me dije që mund të paraqiste shpjegime apo prova në lidhje me rezultatet e hetimit jo më vonë se data 29 tetor.

Por në vend të shpjegimeve të gjyqtares, në KPK mbërriti më 24 tetor një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor ku miratohej kërkesa për dorëheqje dhe njëkohësisht mbarimi i statusit të gjyqtarit për Joana Qeleshin.

Në vendimin e KPK-së ku deklarohet ndërprerja e procesit të vetingut për Qeleshin thuhet se 4 ditë pas dorëheqjes, ish-kryetarja e Gjykatës së Durrësit ka paraqitur përmes postës elektronike sqarimet dhe kundërshtimet e saj në lidhje me gjetjet e parashtruara nga hetimi administrativ. Qeleshi i kërkoi gjithashtu KPK-së ndërprerjen e procesit të vetingut.

Më 6 nëntor, KPK vendosi që procesi i rivlerësimit për Qeleshin duhet të ndërpritet bazuar në nenin G të Kushtetutës, i cili u njeh subjekteve të drejtën për t’u larguar nga sistemi me dorëheqje. Për pasojë, Qeleshi humbet të drejtën për të punuar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare./ Burimi: Birn

Flash Lajme