Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Kushtrim” në qytetin e Vlorës. Kushtrim Dashaj u gjend i pajetë në afërsi të banesës nga banorët. Si u vra me armë zjarri teksa kthehej nga puna në mesnatë

Diamila Leka

Një 34-vjeçar gjendet i pajetë në afërsi të banesës së tij në qytetin e Vlorës. Viktima është Kreshnik Dashaj, ku paraprakisht u raportua se ai kishte vdekur si pasojë e një arresti kardiak. Kanë qenë banorët e zonës ata të cilët kanë gjetur trupin e pajetë të tij rreth orës 06:05 të mëngjesit të së mërkurës të cilët më pas kanë lajmëruar policinë. Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht u raportua se nuk vëreheshin shenja dhune apo dëmtime të tjera dhe se vdekja dyshohej se mund t’i ketë ardhur nga ndonjë arrest kardiak. “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Kushtrimi” Vlorë, pranë kupolës së avionëve është gjetur i shtrirë në tokë i pajetë shtetasi K.D., 34 vjeç. Nga këqyrja paraprake në trupin e viktimës nuk vërehen shenja dhune apo dëmtime të tjera. Dyshohet se vdekja mund ti ketë ardhur nga ndonjë arrest kardiak pasi ka patur probleme me zemrën.”, thuhej në njoftimin paraprak të policisë.

Por pas disa orësh ky njoftim u përmbys pasi 34-vjeçari i pajetë kishte shenja dhune në kokë dhe plagë me armë zjarri në shpatull. Ai po kthehej nga puna rreh orës 00:00 të natës për në shtëpi dhe është vrarë vetëm pak metra larg banesës në një kohë edhe kur nuk kishte energji elektrike. Burimet zyrtare nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34-vjeçarit, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri. Po ashtu të njëjtat burime sqarojnë se Dashaj punonte në një firmë këpucësh dhe se nuk njihet si person me precedent penal.

“Në lidhje me ngjarjen ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u gjet një person i pajetë në afërsi të banesës së tij në lagjen “Kushtrimi”, ku nga veprimet paraprake rezultoi pa shenja dhune, ju informojmë se: Pas hetimeve të mëtejshme, nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34-vjeçarit K.D, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri. 34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe nga ana e Policisë nuk njihet si person me precedent penal. Në Policinë e Vlorës është ngritur një grup i posaçëm hetimor me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Vijojnë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë për sqarimin e rrethanave dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë. Kreshnik Dashaj kishte lindur në fshatin Lubonjë të Vlorës ndërsa ishte zhvendosur në këtë lagje rreh 10-12 vite më parë. 34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe ishte baba i një fëmijë 7 vjeç.

Flash Lajme