Shqiptarët duan të jetojnë gjithmonë e më shumë në qytete të mëdha. Sipas Instat, qarqet në periferi të vendit po pësojnë një migrim të lartë drejt qendrave më të urbanizuara.

Qarqet e Dibrës dhe Gjirokastrës kanë nivelet më të ulëta të migracionit të brendshëm në tre vitet e fundit, përkatësisht me -13,6 dhe -13,4 persona për një mijë banorë.

Më i theksuar migrimi rezulton gjatë 2018 dhe në veçanti nga qarku i Dibrës, ku u larguan 1.632 dhe ai i Elbasanit me 1.272. Rritje të numrit të popullsisë kanë pasur vetëm Tirana dhe Durrësi. Kjo ka bërë që dendësia e popullsisë në zonat urbane të jetë shumë e lartë. Qarku i Tiranës ka dendësinë më të lartë të popullsisë në vend, më shumë se 538 banorë për kilometër katror, në vitin 2018. Qarku me dendësinë e dytë më të lartë të popullsisë është ai i Durrësit, me 378 banorë për km², i ndjekur nga Fieri, me 157 banorë për km².

Qarqet me dendësinë më të ulët të popullsisë janë ato të Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, përkatësisht me 46, 32 dhe 22 banorë për km², në 2018. Një tjetër e dhënë interesante në këtë raport është edhe fakti që Dibra është një nga qarqet me konsumit më të lartë të pijeve alkoolike dhe duhanit e ndjekur nga Elbasani dhe Lezha. Në 12 qarqe Vlora rezulton se ka nivelin më të ulët të konsumit të duhanit dhe alkoolit në vend.

Flash Lajme