Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri tërhoqi edhe vëmendjen e faqes së njohur informative The Trust Word, një projekt i pavarur mediatik që synon t’i sigurojë publikut lajme të besueshme nga e gjithë bota.

Fokusi i saj janë lajmet nga rajoni i Europës Qendrore dhe Lindore, me partnerë në rritje të besueshëm nga i gjithë rajoni.

Më poshtë shkrimi i plotë i The Trust Word:

  • Përfundon kërkimi për të mbijetuarit pas tërmetit në Shqipëri, ndërsa numri i viktimave arrin në 51.
  • Kancelarja gjermane Angela Merkel, zotohet të ndihmojë viktimat.
  • E dashura e djalit të kryeministrit ndodhej mes viktimave të tërmetit.
  • Edi Rama vizitoi të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti duke ofruar akomodim në hotele deri në ndërtimin e shtëpive për viktimat.
  • Fondacioni Soros dhuroi 500 000 dollarë për pasojat e tërmetit.
  • Ekipe të specializuara ndërkombëtare si rumune, serbe, italiane, kosovare e tjerë u erdhën në ndihmë ekipeve shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë deklaroi të dielën se i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë financiare dhe ndihmë ekspertësh për të ndihmuar vendin nga tërmeti me magnitudë 6,4 ballë, që shkaktoi 51 viktima dhe la mijëra të pastrehë. Kryeministri Edi Rama, theksoi se qeveria po rishikon buxhetin për të ndihmuar vendin nga kriza, por gjithashtu ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare.

“Është thjesht, njerëzisht e pamundur të bësh këtë (rindërtim) vetëm,” shtoi Rama në takimin e kabinetit.

Rama u tha ministrave të tij se te shtunën bëri një takim me një grup ambasadorësh nga BE, SHBA, Turqia dhe Japonia, si dhe u dha atyre të njëjtin mesazh.

Një zëdhënës i zyrës së kryeministrit deklaroi se e dashura e djalit të kryeministrit Edi Rama, ishte mes viktimave të tërmetit që goditi vendin javën e kaluar.

Kristi Reçi, e dashura e djalit të kryeministrit, Gregor Rama, vdiq si pasojë e tërmetit, së bashku me prindërit dhe vëllanë. Gregor Rama shkroi në Instagram se mes viktimave të kësaj tragjedie ndodhej dhe personi më i afërt i tij së bashku me vëllanë dhe prindërit.

Pas tërmetit vdekjeprurës të Shqipërisë, kancelarja Angela Merkel, premtoi ndihmë nga Gjermania dhe BE-ja.

“Gjermania dhe Bashkimi Europian do ju mbështesin në këtë kohë të vështirë,” deklaroi Merkel në një mesazh ngushëllimi për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Kancelarja gjithashtu ofroi ngushëllime për familjet e viktimave dhe qeverinë shqiptare.

“E kuptoj dhimbjen që ju dhe familja juaj keni përjetuar”, shkroi ajo.

Ndihma ndërkombëtare u ofrua dhe nga rajoni i Ballkanit, ku Rumania, Serbia, Kosova, Kroacia dhe të tjerë, dërguan ekipe të specializuara.

Ndërkohë, kryeministri Rama, vizitoi të gjitha zonat e prekura duke u munduar të shqyrtojë situatën dhe të japë zgjidhje qeveritare.

“Po bëjmë një procesverbal. Në fakt, nëse shtëpia shpallet e pabanueshme, ne do të garantojmë akomodimin e qytetarëve në hotel”, theksoi Rama për një qytetar, shtëpia e së cilit ishte dëmtuar rëndë.

“Akomodimi në hotele do të bëhet i munduar për të gjithë ata që nuk mund të qëndrojnë në shtëpi. Do ju ofrojmë qëndrim në hotele, me ngrohje, ushqim, shërbime të tjera dhe ndërkohë, do të nisim të gjithë procesin e rindërtimit, por nuk mund ta bëjmë në një javë ose një muaj. Nuk është thjesht çështje buxheti, është procesi i planifikimit dhe rindërtimit që kërkon kohë,” deklaroi kryeministri.

Fondacioni ”Soros” shprehu gjithashtu solidaritet për familjet dhe personat të cilët po vuajnë pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Në përgjigje të situatës dhe pasojave të tërmetit, janë vënë në dispozicion 500 000 dollarë për fazën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit, për të prekurit nga tërmeti. Ky fond do t’i jepet fondacionit ”Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” që do të ndihmojë qytetarët më të prekur, të cilët po përballojnë pasojat më të mëdha.

Rumania dërgoi në Shqipëri një skuadër shpëtimi për të ndihmuar me operacionet e shpëtimit.

“Ekipi rumun RO-USAR, zbarkoi në qytetin bregdetar të Durrësit”, raportoi ambasada rumune në Tiranë.

Ekipi rumun punoi në një ndërtesë gjashtëkatëshe në Durrës, sepse kishin informacion se nën rrënoja mund të ndodheshin ende të mbijetuar. Ky ekip punoi së bashku me ekipe të tjera nga Greqia, Kroacia dhe Turqia.

RO-USAR përbëhej nga 52 zjarrfikës të akredituar nga OKB-ja për misione ndërkombëtare, katër qen të trajnuar për të shpëtuar jetë njerëzish dhe dy vullnetarë të specializuar në trajnimin e qenve.

Ajo çfarë shumica e specialistëve e quajtën lajm të rremë, filloi të përhapej pas tërmetit, duke sulmuar qeverinë shqiptare dhe Ramën ose duke përhapur frikë tek qytetarët në zonat e prekura.

Lajme të rreme për shembjen e spitalit të Durrësit ose hapjen e shkollave herët, u dënuan nga zyrtarët për krijimin e panikut të panevojshëm që shkakton tragjedi.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, kur duhet të tregohemi të kujdesshëm me çdo fjalë që themi, nuk mund të tolerohet publikimi i lajmeve të shtrembëruara”, deklaroi kryeministri Rama”, përfundon shkrimi i zgjeruar i The Trust Word.

Albania earthquake human aftermath: 51 dead, 9000 homeless families

Flash Lajme