Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar banorë të prekur nga tërmeti tek ish-magazinat në Shkozet. Ai thotë se askush nuk është kujtuar për ekzistencën e tyre. “Në Shkozet, familje që jetojnë me qira, të papunë dhe me fëmijë te sëmurë, vazhdojnë të flenë jashtë.

Ata thonë se askush nuk është interesuar për ta, as për t’u sjellë një batanije në këtë të ftohtë, aq më pak për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Këto familje janë zhvendosur në banesa të improvizuara në objekte që më parë kanë qenë magazina të ndërtuara pa cilësi në vitet 70. Duhet një ndërhyrje e menjëhershme për tu ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Nuk mundet që 150 milion dollarë të taksave të shqiptarëve të shkojnë për 10 oligarkë dhe qytetarët të lihen në mëshirë të fatit. Duhet të nisë sa më parë riparimi i banesave dhe prandaj duhet përfunduar vlerësimi i shpejtë, i drejtë dhe profesional i dëmeve të shkaktuara. Vonesat dhe zvarritjet tani që po hyjmë në javën e tretë pas tragjedisë, nuk mund të tolerohen. Çdo inxhinier i gatshëm për të kontribuar në përshpejtimin e vlerësimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, duhet angazhuar. Sa më shumë zvarritet ky proces aq më shumë rëndohen vuajtjet e njerëzve dhe pasojat ekonomiko dhe sociale”, tha Basha.

Flash Lajme