Bashkia e Tiranës ka vjelë nga qytetarët dhe bizneset 11.4 mld lekë gjatë këtij viti, nga 13 miliardë që parashikoi.  Formula e re e taksës së pronës, ishte një nga dështimet më të mëdha të institucionit

Neritan Gjergo

Gjatë vitit 2018, Bashkia e Tiranës ka mbledhur  nga qytetarët dhe bizneset, taksa e tarifa në vlerën e 11.4 miliardë lekëve. Shifra është publikuar nga vetë institucioni në projektbuxhetit e vitit 2019-2021, ndërsa realizimi, në raport me pritshmëritë mbërrin në 88 për qind, afro 1.6 miliardë lekë më pak. Por, bazuar edhe në projektimet, zëri që ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja”, nga e cila janë arkëtuar 3.7 miliardë lekë, duke përbërë gati një të tretën e të ardhurave (32.4%) që Bashkia mbledh në total nga taksat dhe tarifat. Plani për këtë zë është realizuar në masën 115 për qind (parashikimi fillestar ishte 3.2 miliardë lekë). Prej dy vitesh ky zë është kthyer në kryesorin për Bashkinë për dy arsye, së pari nga rritja e taksës nga 4 për qind e kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe së dyti nga shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për 9-mujorin janë dhënë gjithsej 268 leje ndërtimi në kryeqytet, me një rritje prej 38 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë edhe në 2019-n.

Ndryshimet

Bashkia Tiranë parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8% në raport me atë që ka mbledhur në 2018-n. Zëri i dytë që solli më shumë të ardhura në buxhetin e këtij viti (rreth 17% të totalit) ishte “Tarifa e pastrimit”, nga e cila u mbledhin 1.9 miliardë lekë, me një realizim plani prej 89%.  Më pas renditet “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme”, nga e cila janë arkëtuar rreth 1.7 miliardë lekë (gati 16% e totalit). Ky zë ka dhe mosrealizimin më të lartë të planit, për vetëm 71% për shkak se nuk u bë e mundur që të fillonte mbledhja e taksës në bazë të formulës së re mbi vlerën e pronës. Por, kjo metodë pritet të fillojë të aplikohet vitin e ardhshëm (Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05% edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike në masën 0.2%, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës). Së fundmi, Bashkia Tiranë ka vendosur si agjent për mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime, Tiranë. Brenda katër muajve të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqeve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi. Si rrjedhojë për vitin 2019, Bashkia pret të arkëtojë 2.4 miliardë lekë nga kjo taksë, me rritje 35% nga fakti i këtij viti, ku shtesa më e madhe do të jetë për familjarët, që do paguajnë më shumë se dyfishin në 2019-n dhe katër herë më shumë deri në vitin 2021 (nga 220 milionë lekë e pritshmja 2018 në 900 milionë lekë në vitin 2021). Nga “Taksa e përkohshme e Infrastrukturës” do të mblidhen 709 milionë lekë, ose 80% e planit. 37% e të ardhurave të kësaj takse paguhen nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Kjo taksë ka siguruar 6.2% të të ardhurave totale të bashkisë. Taksat e tarifat e tjera zënë secila më pak se 4% të të ardhurave totale. Një rritje të konsiderueshme ka pasur zëri i “Tarifës për parkimin e automjeteve”, me qytetarët që kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për parkime me biletë dhe me kontratë, pothuajse po aq sa kishte planifikuar bashkia në fillim të vitit. Për zënien e hapësirave publike, bizneset kanë paguar 372 milionë lekë, ose 76% të planit. Në total, përfshirë tranfertat e pakushtëzuara dhe të ardhurat e mbetura, totali i buxhetit të Bashkisë së kryeqytetit është 17.2 miliardë lekë në 2018.

Bumi i ndërtimeve

Vitin e ardhshëm, për qytetarët dhe bizneset në kryeqytet jetesa do të bëhet më e vështirë, pasi bashkia synon t’u marrë atyre në formën e taksave dhe tarifave 13.4 miliardë lekë, ose 3 për qind më shumë së këtë vit. Bashkia Tiranë parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8% në raport me atë mblodhi gjatë vitit 2018. Kjo taksë, e cila u rrit me një vendim të vitit 2015, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes për apartamentet e banimit, i siguron Bashkisë rreth 30% të të ardhurave të veta. Bashkia thekson se në bazë vjetore, volumi i ndërtimit nuk ka ndryshime të theksuara nga viti 2017. Madje është i krahasueshëm me arkëtimin faktik të kësaj takse në vitin 2014. Pra këto të ardhura janë gjeneruar nga ndryshimi i i bazës së taksueshme.

Flash Lajme