Ideja se Shell është tërhequr nga kërkimet për naftë dhe gaz në Parkun Kombëtar të Zagorisë pranë fshatrave Nivan dhe Sheper, do të mbetet si e tillë vetëm në letër, pasi kompania do të kryejë aktivitet, por përmes një metode alternative shpimesh.

Në këtë, mënyrë deklaratat e kompanisë dhe kryeministrit Edi Rama gjatë javës së fundit, vijnë për banorët e zonës dhe opinionin publik si lajme për të shuar zërin e protestave, pasi edhe zhbërja e kontratës do të ketë një kosto të jashtëzakonshme për buxhetin. Porta Vendore ka hulumtuar dokumentet dhe veprimtarinë e kompanisë, duke zbuluar mashtrimin e radhës së kryeministrit Rama.

Investigimi

Vetëm pak orë përpara mbërritjes së kompanisë Shell për zhvillimin e dëgjesave për kërkime nafte në fshatrat Nivan dhe Sheper, në zemër të Zagorisë, aty ku priteshin dhe kundërshtimet më të mëdha nga komuniteti, një deklarim i kombinuar, fillimisht i përfaqësuesit më të lartë të kompanisë për Shqipërinë, në një intervistë për RTSH, datë 23 Janar 2019, e një ditë më pas prej Kryeministrit në Twitter, që njoftonin moskryerjen e shpimeve në Parkun Kombëtar të Zagorisë, i raportuar plot eufori në media, krijoi bindjen se Shell braktisi projektin. Në të vërtetë nuk ka asnjë braktisje. Le të analizojmë deklaratën, hollësisht, në sfondin e dokumenteve të hapura dhe konfidenciale, të siguruara nga Porta Vendore! Thelbi i saj nga përfaqësuesi i shoqërisë ndërkombëtare të energjisë Shell, Rohan D’Souza, është: “Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese e shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë”. Duhet kuptuar se kompania nuk përjashton plasjet (12 m nëntokë) gjatë fazës së studimit sizmik, por aktivitetet për hapjen e puseve (6000m nëntokë) të naftës dhe kjo, siç do ta shohim më vonë, në një tjetër fazë dhe vetëm për një zonë të caktuar. Janë pikërisht këto dy nocione të ndryshme të cilat u përcollën si të njëjta në media që shkaktuan pështjellimin dhe, të përforcuara nga postimi në Twitter i Kryeministrit disa orë më vonë, krijuan idenë se Shell po tërhiqej nga Parku Kombëtar i Zagorisë. Meqenëse debati kryesisht po zhvillohet me pranimin ose jo të plasjeve, le të mbetemi te pjesa e parë e deklaratës që ka të bëjë me studimin (kërkimin) sizmik. Në përputhje me dokumentet e kompanisë, ashtu siç Porta Vendore ka raportuar edhe më herët, “..studimi synon grumbullimin e të dhënave, duke përdorur si burime të energjisë sizmike një kombinim të lëndës eksplozive që vendoset nëntokë… Pra, siç shihet, nuk i përjashton plasjet dhe sipas kompanisë ato do të kryen, ashtu siç e parashikon dhe dokumentacioni i Shell: përgjatë gjithë korridoreve të linjave sizmike të Bllokut 4 ku shtrihet projekti. Por grupet e interesit dhe komuniteti janë kundër përdorimit të eksplozivit, ndërsa shoqatat mjedisore dhe ambientalistët edhe kundër shndërrimit të Parkut Kombëtar në një zonë nafte. Përmes deklaratës, Shell na konfirmon se studimi sizmik do të kryhet i plotë në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar, madje edhe në nënzonën qendrore të tij. Kështu që nuk kemi të bëjmë me një tërheqje për ndërhyrje në zonë, përkundrazi. Përdorimi i plasjeve, veçanërisht në nënzonën qendrore të Parkut, është bërë objekt diskutimi edhe mes kompanisë dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe nuk ka marrë ende zgjidhje. “Porta Vendore” ka siguruar komunikimet e mbyllura mes kompanisë Shell dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) e cila kjo e fundit, qysh prej qershorit të shkuar po administron territorin e Parkut Kombëtar të Zagorisë. Komunikimet tregojnë se mes palëve ekziston një konflikt mbi metodën e energjisë që do të përdoret, veçanërisht në zonën e mbrojtjes strikte të parkut kombëtar. Në komunikimin e 7 shtatorit 2018, Rohan D’Souza i kërkoi zyrtarisht AKZM përdorimin e plasjeve në të gjithë territorin e parkut. Më konkretisht, Shell premtoi mospërdorimin e plasjeve në “Bredhi i Hotovës – Dangëlli”(një tjetër zonë e mbrojtur brenda Bllokut 4), me kusht që t’i lejohej përdorimi i tyre në pjesën tjetër të Parkut dhe sipas kërkesës, edhe në ato territore, koordinatat e të cilave bien mbi zonat e mbrojtura. AKZM-ja përgjigjet në 29 tetor 2018, por u referohet vetëm vibrimeve, duke mos i përmendur plasjet (shpërthimet). Pra, as po, as jo!Por nëse i kthehemi komunikimit të 7 shtatorit, Shell është shprehur: “është e pamundur marrja e imazheve sizmike duke përdorur metodën sizmike pasive, sepse kjo gjë nuk do të sillte informacionin e mjaftueshëm. Për rrjedhojë udhëzimi i juaj për mos lejimin e metodave të tjera nuk është i përshtatshëm”. Dhe metoda tjetër është plasja, dhe nëse i kthehemi deklaratës së kompanisë e cila, gabimisht u interpretua në media si një tërheqje, aty theksohet se kompania do të realizojë studimin sizmik. Pra, nuk ka asnjë tërheqje, ndonëse pritet ende miratimi i AKZM. I vetmi njoftim që mbart vlerën e një lajmi gjendet në pjesën e dytë të deklaratës së kompanisë e cila, sidoqoftë mbetet më shumë një premtim në mirëbesim sesa një garanci zyrtare. Në pjesën e dytë të deklaratës thuhet që “Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese e shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë”. Sipas ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” nënzonës qendrore të Parkut i sigurohet një mbrojtje ekstreme. Legjislacioni mjedisor nuk e lejon ndërhyrjen e teknologjive intensive në nënzonën e mbrojtur.

Flash Lajme