Pasditen e djeshme është dhunuar një mjek i Urgjencës së Infektivit nga familjarët e një pacienti. Mjeku me inicialet G.S. është goditur nga familjari i pacientit që ishte i shtruar në këtë spital, ndërsa më pas autori është larguar me shpejtësi.

Pas denoncimit policia ka nisur hetimet, ndërsa Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dënon dhunën dhe agresionin ndaj mjekëve. Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu e ka cilësuar aktin si barbar, ndërsa shton se ka kërkuar ndryshime në Kodin Penal.

“Është barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët. Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale”,-thotë ministrja.

Deklarata e plotë

Në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dënoj me forcë aktin e neveritshëm, të agresionit të dhunshëm ndaj mjekut infeksionist G.S, ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT. Është barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët.

Sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji. Inkurajoj organet e drejtësisë të hetojnë me prioritet maksimal këtë ngjarje të ndodhur brenda mjediseve të një spitali dhe të procedojnë duke dhënë një ndëshkim shembullor për agresorët, që duke vënë dorë mbi një mjek, shkelin jo vetëm ligjin por edhe çdo normë morali dhe etike, si dhe çdo kod sjelljeje.

Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale. Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme për të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë.

Flash Lajme