Deputeti i Kosovës mori garanci për ndërtimin e qendrës tregtare 3 vite më parë nga Erjon Velaij. Pagoi taksën 1.7 milionë euro, por trualli më pas u destinua të kthehej në terminal

Neritan Gjergo

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, i cili njihet ndër biznesmenët e suksesshëm në Kosovë, i ka dërguar një letër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Velijaj, lidhur me një pronë të kontestuar për ndërtimin e ETC-së. Përmes letrës, Kelmendi ka treguar për blerjen e pronës, për të cilën ka thënë se i është premtuar mbështetje e fuqishme nga kryetari Veliaj. Por, siç shkruan në letër, përkundër fjalëve të Veliajt, parcela e blerë për ndërtimin e ETC-së, ka hasur në një kontest, për të cilën biznesmeni kosovar, ka pritur më shumë se 3 vite. Kelmendi tregon se, pas dhënies së dritës jeshile për të filluar ndërtimin e objektit, që kishte vlerë miliona euro, inspektorët ia kishte pezulluar punimet.

Letra

Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Erion Velijaj

I nderuar kryebashkiak Velijaj, tre vite më parë në zyrën tuaj e ku ishin prezent edhe stafi juaj profesional-teknik, kërkova mendim profesional rreth blerjes së pronës për ndërtimin e ETC-së. Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcelën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe mbështetje të këtij projekti. Sa për rikujtim, isha deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk prisja trajtim të veçantë, por të paktën mbajtje të fjalës dhe përkushtimin tuaj si ndaj një investitori dhe qytetari të Kosovës. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Çështja u prolongua në dhënien e lejes dhe u detyrova të vij tek ju sërish në takimin e radhës 15 muaj pas takimit të parë. Gëzova sërish të njëjtën mbështetje verbale nga ju sikur edhe në takimin e parë. Në këtë periudhë të takimit tonë të dytë isha zv/Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe sërish u trajtova si një qytetarë i thjeshtë. Nuk e kisha brengosje as kësaj radhe. Pas shumë pritjesh, pra 3 vite për të zbardhur lejen e ndërtimit (pritje e gjatë apo e shkurtër) le të vendosni ju dhe opinion), në nëntor të vitit 2018, zbardhët dokumentin për pagesën e taksës së ndërtimit dhe infrastrukturës që ishte në vlerë prej 1 milion e 680 mijë euro. Kjo shumë u pagua nga ana jonë dhe ishim duke pritur zbardhjen formularit, që sipas ligjit duhej të zbardhej në afatin prej 5 ditësh. Kaluan ditët, afatet dhe pas tre muajve edhe pse hyri në fuqi me bazë ligjore, ne me instruksion të institucioneve ligjore filluam informimin me shkrim procedural tek të gjitha organet e nevojshme për fillimin e rrethimin dhe parapërgatitjet për vendosjen e gurëthemelit në të cilin do merrnit pjesë edhe ju si krybashkiak, për gëzimin që investimin po e bënë investitori nga Kosova. Në këtë pikë ndodhi ajo që parashihte prolongimi i lejes. Erdhën në punishte inspektorët tuaj pa asnjë vendim për të pezulluar punët dhe për të rrënuar rrethojat në orët e vona të së shtunës, duke dashur të frikësojnë kompaninë ndërtuese. Nuk e di dhe mbetem i befasuar përse ndodhi kjo? Njerëzit tuaj na plotësuan me përgjigje ndaj kësaj befasie. Tani kërkohet që ne t’ua falim bashkisë pronën në fjalë. Absurd. Me keqardhje po ju theksojë se detyrimi juaj që ne ti japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh, tregon një çmenduri rinore. Bile na u tha se po që se nuk e japim pronën në këtë mënyrë, ne nuk do të ndërtojmë kurrë objektin e cekur. Andaj z. Velijaj, publikisht po ju kërkoj të hiqni dorë nga këto aventura të cilat do dëmtojnë rëndë imazhin e të dyja palëve dhe do ndikojnë negativisht në politikat lokale për investitorët nga Kosova.

PërgjigjaVeliajt

Pas letrës së Kelmendit, ka ardhur edhe reagimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili deklaroi se prona do të shpronësohet sipas ligjeve në fuqi dhe terminali i autobusëve, një nevojë e domosdoshme për Tiranën, do të ndërtohet në shërbim të qytetarëve të saj. “Kemi kërkuar nga Ministria e Transporteve që të përshijmë në terminal edhe Stacionin e Trenit, duke qenë se edhe treni do të rikthehet në Tiranë me një stacion kryesor, tek terminali i autobusëve tek Kthesa e Kamzës, dhe pastaj me një stacion qytetas. Pra jo mallrash, dhe jo parkim vagonësh, por qytetas, aty ku është fillimi i Bulevardit të Ri. Për të gjithë ata privatë që një tokë shteti, siç ishte zona e Kthesës së Kamzës në librat e Bashkisë së Tiranës, e kanë tjetërsuar me lloj-lloj marifetesh për të ndërtuar qendra tregtare, dua t’iu them sot publikisht se nuk më intereson fare sa deputet i pushtetshëm apo milioner i madh mund të jesh, interesi publik është mbi interesin privat. Në zonën e Kthesës së Kamzës, pavarësisht çudirave, poshtërsive dhe falsifikimeve që janë bërë me tokat, do të jetë terminali i autobusëve të Tiranës, dhe stacioni i trenit i qytetit të Tiranës. Duke thënë këtë, dua t’i garantoj edhe deputetët, edhe milionerët, kush ka letra prone, sigurisht do të shpronësohet sipas ligjeve që ka Republika e Shqipërisë dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës, ama Tirana nuk ka më kohë për të humbur, Tirana nuk mund të shantazhohet, dhe Tirana do të respektojë çdo pronësi kundrejt pagesës, sepse Tirana nuk mund të rrijë pa terminal autobusësh e pa stacion treni, teksa hyn në 100-vjetorin e dytë të saj”, deklaroi sot kryebashkiaku Veliaj, gjatë ceremonisë së 99 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë.

Profili i deputetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh pronar i rrjetit të qendrave tregtare “Elkos”, ndonëse konsiderohet se njëri ndër personat më të pasur në Republikën e Kosovës, në deklarimin e pasurisë, të cilën e ka bërë këtë vit në Agjencionin Kundër Korrupsionit, rezulton të ketë vetëm 822 mijë euro si pará (kesh). Ndërsa, të hyrat vjetore të Kelmendit, sipas raportit të AAK-së, del të jenë jo më tepër se 84 mijë euro. Kelmendi nga paga e tij si drejtor i qendra Elkos siguron 53 mijë euro në vit, ndërsa nga pozita e deputetit, gjatë vitit të fundit, ka siguruar 20 mijë euro. Paga e bashkëshortes së tij, të cilën ajo e siguron nga rrjeti i qendrave tregtare “Elkos”, arrijnë në 10 mijë euro në vit. Në një intervistë për mediat kosovare, Kelmendi ka thënë për pasurinë e tij se,  pas humbjes së vendit të punës në sistemin jugosllav, kishte shitur produkte të pijes në tregun e Pejës – copë për copë, siç është shprehur ai për ta hapur më vonë një dyqan të vogël në Pejë. Kelmendi ka thënë se gjatë viteve ’90 kishte hapur dyqanet e para të “Elkos Group”, të cilat i sillnin përfitime të kënaqshme, dhe në qershor të vitit 1999 kishte afër 800 mijë euro.  Pas luftës, Kelmendi kishte vazhduar tregtinë në industrinë ushqimore, dhe tani ka arritur qarkullim vjetor financiar deri në 400 milionë euro, dhe përfitime prej 12 milionë eurove në vit, të cilat pretendon t’i trefishojë.

Reagimi

Letrat e biznesit kthehen në letra terminali

Bashkia e Tiranës, mbështetur në politikat e saj dhe në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të transportit në qytetin e Tiranës, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ka identifikuar nevojën e krijimit të një terminali multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës. Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte nënligjore, në funksion të vijimit të procedurave për realizimin e këtij projekti. Me vendimin nr. 770, datë 10.11.2011, Këshilli i Ministrave ka vendosur kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës, të truallit me sipërfaqe 85.000 m2, me qëllim përdorimin e saj për ndërtimin e Terminalit Multimodal të Pasagjerëve. Me anë të vendimit nr. 445, datë 22.05.2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar Bashkinë e Tiranës, si autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion vendor të projektimit të ndërtimit, financimit, operimit dhe transferimit të terminalit të transportit publik në qytetin e Tiranës. Së fundmi, nga disa takime të përbashkëta ndërinstitucionale, jemi bërë me dije se Qeveria Qendrore, nëpërmjet shoqërisë Hekurudha Shqiptare sha, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po punojnë për zhvillimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë -Rinas dhe ndërtimit të stacionit të Terminalit Hekurudhor. Ky terminal hekurudhor, synohet që të integrohet në terminalin multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës, projekt i cili po finalizohet nga ana e Bashkisë së Tiranës. Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sha i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik. Për sa më sipër, ku interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të bashkëpunojnë për të siguruar funksionalitetin optimal dhe zhvillimin e këtyre dy projekteve, në shërbim dhe funksion të qytetarëve të vendit tonë.

Flash Lajme