Deputetja e përjashtuar nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari ka takuar sot ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Shütz, për të diskutuar rreth situatës të pazakontë politike ku ndodhet Shqipëria. Hajdari kritikon qëndrimet e dy partive më të mëdha në vend duke u shprehur se zgjidhje nuk është as vendimi i marrë nga PD për djegien e mandateve dhe as arroganca e qeverisë.

“Diskutuam për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet Shqiptare aktualisht. Miqtë tanë Evropianë dhe Gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar Shqiptar. BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët Shqiptare, nga qeveria dhe opozita. Është e papranushme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare. Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjve”, shprehet Hajdari.

Flash Lajme