Gjeneral brigade, Ndriçim Sallaku mori sot detyrën e re si komandant i Komandës Mbështetëse, duke zëvendësuar kolonel Gasper Lalën, i cili e mbajti këtë detyrë për afërsisht 2 vite. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, duke uruar kolonel Lalën për një vijim të suksesshëm në detyra të tjera të karrierës, shprehu bindjen se edhe ai vetë ndjehet i nderuar që stafetën ja lë një prej profesionistëve më të spikatur të fushës së logjistikës dhe me ambicie të larta për të bërë më të mirën, siç është gjeneral Sallaku.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandantë forcash dhe drejtorë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në fjalën e tij, komandanti i Komandës Mbështetëse në ikje, kolonel Gasper Lala, u shpreh se ishte nder dhe privilegj që drejtoi këtë strukturë për një periudhë kohore prej 18 muajsh, ku ndër të tjera vlerësoi punën e palodhur të strukturave të kësaj komande.

Komandanti i ri i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, u shpreh se ishte krenar dhe i nderuar të merrte këtë detyrë dhe shprehu falenderim ndaj të gjitha autoriteteve të larta për vlerësimin dhe promovimin me gradën madhore, si dhe për besimin e treguar duke e caktuar në këtë detyrë të rëndësishme.

Ceremonia në Komandën Mbështetëse, pasoi ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Shtabit të Përgjithshëm, ku gjeneral Sallakut iu vendosën yjet, ku i pranishëm ishte edhe zëvendësministri Koçi, i cili theksoi se në gjithë momentet e bashkëpunimit me gjeneral Sallakun ka parë tek ai shpirtin e disiplinës dhe të përkushtimit, por edhe një karakter tjetër të veçantë, është tepër njerëzor, shumë dashamirës në përgjithësi dhe se ai beson se kjo është një nga vetitë e tij të veçanta që vlen për t’u theksuar.

1 nga 3

Flash Lajme