Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, institucioni më i rëndësishëm i sistemit, ka tashmë 13 kandidatë që do të garojnë për 5 vendet vakante të hapura nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Lista u publikua këtë të enjte nga KED, e cila tashmë do të fillojë me vlerësimet e kandidaturave për t’ia dërguar më pas Kuvendit për votim. “Në përfundim të afatit të caktuar të shpalljes ‘Për hapjen e Procedurës së Aplikimit në Pozicionin Vakant Inspektor i Lartë i Drejtësisë’, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi ka administruar dokumentacionin e kandidatëve që kanë shprehur interes për këtë pozicion, bën publike listën e kandidatëve”, njoftoi KED.

KANDIDATËT

Në listën e kandidatëve janë juristë, të cilët më herët apo aktualisht janë në poste në administratë, gjyqtarë dhe avokatë. Kështu, një prej kandidatëve është Altin Hazizaj, i cili më herët ka kandiduar edhe për në Këshillin e Lartë Gjyqësor si përfaqësues i shoqërisë civile. Kandidatura e tij u përjashtua nga nënkomisioni “Ad Hoc”, kjo pas akuzave të PD-së për dënimin e tij nga Gjykata. Akuzës Hazizaj iu përgjigj, duke thënë se ishte arrestuar në moshën 22- vjeçare kur ishte gazetar, teksa nuk i ishte bindur urdhrit të Policisë për të mos hyrë në një ndërtesë të papërfunduar në Tiranë. Kandidati tjetër për anëtar i ILD-së është gjyqtari Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrative.

Mes disa dyshimeve për pasurinë, Malaj arriti të kalonte kontrollin e trefishtë të KPK-së, në gusht të vitit që lamë pas, ndërsa vendimi është ankimuar nga Komisioneri Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij. Artur Metani është kandidati tjetër që aspiron ILD-në. Në tetor të 2018- s, Metani u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit me urdhër të Kryeministrit, ndërsa ka një karrierë të gjatë në administratë. Më herët ka qenë këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Meidani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi. Ndërsa nga viti 2013 është emëruar drejtor i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri.

Kandidatja tjetër është Elira Kokona, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë. Para se të mbante këtë post, Kokona ka mbajtur detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës si dhe drejtore ekzekutive e Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Për të qenë pjesë e ILD-së, ka kandiduar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj. Më herët, Gjonçaj ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Edhe ish-gjyqtari Klodian Rado ka kandiduar për të qenë pjesë e institucionit që do të kontrollojë të gjithë sistemin e drejtësisë. Rado ka hequr dorë nga gjyqësori dhe prej disa vitesh ka jetuar në Kanada.

Kandidaturën e saj ka dhënë edhe Lefteri Lleshi, ish-drejtuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ajo ka qenë në krye të Komisionit gjatë viteve 2010-2016. Edhe drejtuesja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, ka kandiduar, por situata e saj mbetet e paqartë, për sa kohë KPK doli pa një vendim për të pasi kreu një hetim 14-mujor. Kandidatja tjetër, Mimoza Qinami, më herët ka kandiduar për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo është avokate dhe ka rreth 16 vite eksperiencë në drejtësinë shqiptare. Ndërkohë kandidatë janë edhe një numër avokatësh, Eris Hysi, Ferdinand Caka dhe Genci Ismaili.

KOMPETENCA

ILD është institucioni, i cili do të merret me ankesat dhe hetimet disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët. Inspektorati qëndron më lart në hierarkinë e të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë, duke hetuar edhe anëtarët e KLP-së dhe GLGJ-së, në rast të shkeljeve. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë”, sqarohet në ligjin për organet e reja të drejtësisë në vend.

Altin Hazizaj
Artur Malaj
Artur Metani
Elira Kokona
Eris Hysi
Ferdinand Caka
Genci Gjonçaj
Genci Ismaili
Klodian Rado
Lefteri Lleshi
Marsida Xhaferllari
Mimoza Qinami
Suzana Frashëri

Flash Lajme