Në një sondazh për situatën politike në vend, shprehet mendimi i maxhorancës për zgjidhjen e krizës me opozitën. Rezulton se, 59% besojnë se kriza aktuale do të zgjidhet me një marrëveshje të re politike midis dy partive.

60% e delegatëve të PS mendojnë se blerja e trafiku i votave kanë ndikim në zgjedhje, vetëm 38% kanë mendim se ato nuk kanë ndikim të madh në zgjedhje

Lindita Bushgjokaj

Sipas një anketë të realizuar nga Instituti i Studimeve Politike në Tiranë, mësohet se shumica e të deleguarve të Kongresit të fundit elektoral të Partisë Socialiste mendojnë se, kriza politike në vend mund të zgjidhet përmes një tjetër marrëveshje si ajo 2017-ës. Ata u pyetën nga Instituti i Studimeve Politike. “Rreth 55 ditë nga nisja e krizës politike asgjë e re në Tiranë. Kriza po agravohet, ndërkohë që nuk ka ende asnjë shenjë dialogu dhe as përpjekje për ndërmjetësim. Në synimet afatshkurtra mazhoranca ndjehet komode pa opozitë dhe përfituese nga veprimi ekstrem i djegies së mandateve, opozita ndjehet e frustruar nga pamundësia e qeverisë për të qeverisur dhe rritja e pakënaqësinë qytetare. Po më tej? A do të ketë bisedime dhe marrëveshje? A do të ketë ndërmjetësim dhe presion ndërkombëtar për një model të njëjtë marrëveshjeje si në Maqedoni më 2015 apo Shqipëri 2017? Mazhoranca nuk ka dhënë ende asnjë sinjal se ka një draft apo një nismë konkrete për bisedime dhe marrëveshje, opozita disa herë ka përsëritur, nuk ka më marrëveshje si më 2017. Shanset për një 2017 të dytë janë minimale, por skenarët optimistë nuk e përjashtojnë një marrëveshje “të madhe” të re”,-thuhet në prezantimin  e përmbbledhjes së anketës së realizuar nga ISP. Më tej, në këtë studim ISP bën të ditur se ka një hendek të thellë mes deputetëve të PS dhe lidershipit të tyre për situatën politike në vend, sidomos për mënyrat e zgjidhjes së ngërçit nga dy forcat politike, e cila ka mundësi që të shkojë drejt marrëveshjes së 2017-ës.

3 vlerësimet e anketimit

Për të nisur debatin që e zhvendos trajtimin e krizës nga rruga dhe rrjetet sociale në institucione, po ju prezantojmë sot dy përfundime të një anketimi që stafi i Institutit të Studimeve Politike zhvilloi me 201 delegatë në Kongresin e fundit Elektoral të Partisë Socialiste. Anketime të tilla me tema të njëjta për identitetet partiake, përbërjen e delegatëve, mandatet, legjitimitetin si dhe aktivitetet politike ISP ka zhvilluar edhe në dy Kongreset Kuvendet e fundit kombëtare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Të gjitha të dhënat e detajuara dhe të analizuara do të jenë së shpejti publike. Sot publikohen vetëm tre tregues: vlerësimi i delegatëve të PS për marrëveshjen politike 2017 midis kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD Basha, – ku natyrshëm socialistët ndjehen fitues dhe vlerësues për të, – vlerësimi për mundësinë e një dialogu dhe marrëveshje të re politike për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në Shqipëri, – si dhe vlerësimi nëse blerja e trafiku i votave kanë ndikim të madh në zgjedhje. Rreth 75% e delegatëve të PS kanë vlerësim pozitiv për marrëveshjen e vitit 2017, por ndërkohë, 59% besojnë se kriza aktuale do të zgjidhet me një marrëveshje të re politike midis dy partive. 60% e delegatëve të PS mendojnë se blerja e trafiku i votave kanë ndikim në zgjedhje, vetëm 38% kanë mendim se ato nuk kanë ndikim të madh në zgjedhje.

Mendimi i delegatëve të PS për opozitën

Mendimi i delegatëve është shumë më i avancuar në rregullat demokratike të njohjes dhe të trajtimit të konflikteve politike sesa i lidershipit të tyre. Ka diskordancë të madhe midis retorikës denigruese që përdor lidershipi i PS ndaj opozitës e protestave/kërkesave të saj dhe perceptimit të moderuar të delegatëve të Kongresit Elektoral të PS për opozitën dhe pretendimin e saj për ndikimin e blerjes/trafikimit të votave në zgjedhje. Të njëjtat situata me kontraste të thella midis mendimit të delegatëve dhe mendimit zyrtar të lidershipit partiak pati gjetur edhe anketimi i bërë në Kuvendin Kombëtar të PD vitin e kaluar. Pra, kur anëtarësia beson tek dialogu dhe marrëveshja është kontraversale, vetë liderit politikë besojnë më shumë tek konflikti i skajshëm dhe zgjidhja përmes forcës në rrugë apo forcës me kartona në parlament.

Marrëveshje njësoj si e 2017-ës?

Nga ana tjetër, duhet theksuar se me siguri delegatët e PS shohin tek një marrëveshje të re mundësi praktike përfitimi njësoj si në marrëveshjen e vitit 2017, pra si një mundësi për ta tërhequr opozitën në sistem pa cenuar qëndrimin e tyre në pushtet. Fakti mbetet i njëjtë, të gjithë duam pluralizmin dhe i njohin problemet reale, por në mentalitete e ligjërim publik, shumica e atyre që marrin vendime, përfshirë militantët partiakë dhe drejtuesit e tyre, i duan kundërshtarët politikë jo për të ndarë me ta sfidat e sotme dhe të së ardhmes, por për t’i mundur, me çdo mjet e formë, dhe përmes këtij procesi, pra i duan thjesht për të legjitimuar vetveten dhe për të pasur një alibi të përhershme fajësie të tjetrit në rast dështimesh. Palët refuzojnë të përballen me faktet dhe sfidat, por duan ti përdorin ato në dobi të agjendave elektorale afatshkurtra, duke lënë të hapur mundësinë e precedentin që krizat të përsëriten periodikisht dhe palët politike të sillen njësoj sa herë kalojnë në opozitë apo vijnë në pushtet.

KQZ

Në opinionin publik, të shumta janë mendimet se kriza politike në vend mund të zgjidhet në momentet e fundit. Të paktën, kjo ka qenë traditë e politikës shqiptarë, ku përvojat e kaluara kanë treguar disa raste marrëveshjesh në momentet e fundit mes dy partive të mëdha në vend. Marrëveshje, të quajtura tinëzare apo tradhtare kanë çuar në zgjidhje aspak të pritshme për opinionin publik. Një tjetër paqartësi është edhe pjesëmarrja e PD në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. PD, nga njëra anë nuk pranon dialog, por njëkohësisht paralajmëron se pa opozitën nuk ka zgjedhje. Me këtë sjellje kontraversale, opozita le të kuptohet se po punon për një marrëveshje të dytë, ndoshta edhe më të madhe sesa ajo e 2017-ës. Gjithashtu opozita nuk është e shqetësuar deri më tani për afrimin e datës së zgjedhjeve, pasi ashtu siç pohon KQZ, pjesëmarrja mund të jetë edhe e momentit të fundit, por shqetësim mbetet afati për regjistrimin e partie politike. Burime pranë KQZ-së, thanë për gazetën “Shekulli”, se i shqetëson regjistrimi i partive në zgjedhje, pasi koha duhet të jetë 50 ditë para datës së zgjedhjeve. “Afati për komisionerët është 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Problemi është te regjistrimi partisë dhe i kandidatëve, që duhet të jetë 50 ditë para datës së zgjedhjeve”.

Agron Duka: PS-PD rrezikojnë të përsërisin gabimet e së shkuarës!

Kryetari i PAA-së Agron Duka, në një prononcim për gazetën “Shekulli” shprehet i shqetësuar për krizën politike në vend, të krijuar nga maxhoranca e akuzuar për shkallën e lartë të kriminalitetit të vend, njëherësh edhe nga opozita, e cila i shmanget përgjegjësisë për çuarjen e reformave përpara. Në këtë kontekst, Duka parashikon që situata mund të shkojë drejt një zgjidhje të minutës së fundit, por kjo do ketë pasoja negative, që partitë e mëdha në vend, të bien në gabimet e së shkuarës.

Komenti i plotë:

Si fillim dua të theksoj se vendin në kolaps nuk e ka futur opozita, por mazhoranca. Arroganca, mungesa e përgjegjshmërisë, mohimi i situatës reale në vend, mospërballja me faktet, me dosjet që lidhin eksponentë të saj me krimin e organizuar dhe bashkëpunimi i tyre për të tjetërsuar votën, e ka sjellë vendin në këtë moment delikat. Mbyllja e çdo shtegu, e çdo mundësie për opozitën, ka krijuar natyrshëm këtë përshkallëzim. Në një situatë normale, rimëkëmbja, apo edhe shërimi, fillon me pranimin e shkaqeve që kanë prodhuar një patologji. Por mazhoranca tregohet miope në qëndrimin e saj. Ky nuk është vetëm vizioni im. Nëse analizojmë me vëmendje deklaratën e ambasadorit italian, z. Cutillo, do të kuptojmë se presioni për përmirësimin e situatës po i drejtohet tashmë edhe mazhorancës. Unë pajtohem me fjalët e ambasadorit, i cili tha se shumica ka më shumë përgjegjësi, edhe më shumë interes që situata në vend të mbetet e qetë, e veçanërisht që të rifillojë dialogu politik që për fat të keq gjatë gjithë kësaj legjislature ka qenë i munguar, pikërisht sepse vendi duhet të përballet me disa afate dhe reforma shumë të rëndësishme, reforma që nuk mund të miratohen nëse mungon plotësisht dialogu me pothuajse gjysmën e elektoratit dhe deputetët që e përfaqësojnë. Sa për mundësinë e gjetjes së zgjidhjes në minutat e fundit, unë gjykoj se nuk duhet, nuk duam dhe mund të biem në gabimet e së shkuarës. Kjo krizë duhet t’i japë fund njëherë e mirë sistemit të ngritur në vitin 2008. Kjo nuk mund të ndodhë me një zgjidhje të momentit të fundit, por duhet një proces i gjatë dhe gjithëpërfshirës, nga i cili të dalim nga udhëkryqi në të cilin gjendemi prej shumë kohësh. Që kjo të ndodhë, duhet që të ndërtojmë institucione të forta, një sistem përfaqësimi dinjitoz dhe të kthejmë besimin tek vota. Mjaft më me një sistem që prodhon kryeministra të fortë dhe institucione të brishta. Dhe ky është roli i opozitës. Të përmbysë këtë piramidë, që prodhon këto deformime. Të luftojë për të prodhuar institucione të forta që frenojnë autoritarizmin e kontrollin e të gjitha pushteteve nga një individ. Nëse devijojmë nga ky qëllim, beteja jonë do të jetë e humbur. Për sa i përket zgjedhjeve vendore, gjykoj se vendimi për të mos u regjistruar, afati i fundit është në 21 prill, shënon nisjen e protestës reale të opozitës. Bojkoti do të tregojë se nuk po kërkojmë zgjedhje, por një zgjidhje reale dhe afatgjatë të krizës politike. Sigurisht rreziqet që prodhon kjo rrugë janë të shumta për opozitën; megjithatë, kjo betejë kërkon bindje dhe vetëmohim, pasi vetëm duke qëndruar në shina morale, duke hedhur poshtë çdo pazar për interesa afatshkurtra, do të prodhojmë një zgjidhje që t’i shërbejë interesit publik.

Basha

“Nuk ka kompromis, ky është fundi i qeverisë-bandë!”

Kreu i opozitës Lulzim Basha mohon çdo mundësi dialogu me Partinë Socialiste për zgjidhjen e krizën politike në vend. Këtë e ka sjellë në vëmendje sërish paraditen e djeshme, i cili ka publikuar disa foto të protestës në një postim në rrjetin social Tëitter. Në këtë postim, Basha shkruan se protestat janë fund i qeverisë së Edi Ramës dhe se me ëndrrën e opozitarëve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ka kompromis. “Ky është fundi i qeverisë-bandë të kapur duke vjedhur zgjedhjet me kriminelët, kërcënimi nr.1 për demokracinë, sigurinë, mirëqenien. Nuk ka kompromis me ëndrrën tonë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me standardet europiane për zgjedhje të lira, drejtësi dhe ekonomi të lirë”-përfundon Basha.

Kryemadhi-Ramës: Shumë shpejt do të japësh llogari

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i rikthehet edhe një herë protestës së 13 prillit të opozitës së bashkuar para kryeministrisë dhe Parlamentit. Duke falënderuar edhe një herë shqiptarët për pjesëmarrjen, Kryemadhi shkruan se, shqiptarët treguan se kryeministri Edi Rama ka dështuar në gjithçka. Sipas saj, nuk do të jetë e vona dita kur Rama do të japë llogari para drejtësisë. “Falënderoj të gjithë shqiptarët që duan të ndryshojnë. Kjo është protestë e shqiptarëve! E grave, e vajzave, e të rinjve, dhe gjithë atyre që duan të ardhmen në Shqipëri. Shqiptarët treguan që Edi Rama ka dështuar me familjen e tij politike, me ekonominë shqiptare, me drejtësinë shqiptare, me të ardhmen e shqiptarëve. Ky njeri i dështuar që për karrigen e tij helmon, dhunon dhe arreston qytetarë të pafajshëm, gazetarë, të rinj, të reja, burra e gra, shumë shpejt do të japë llogari para drejtësisë. Asnjë hap pas! Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve të cilët ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre”,-shkruan Kryemadhi.

“S’ka zgjedhje pa opozitën, nëse ndodh, iki nga politika”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka shprehet me bindje të plotë se nuk do të ketë zgjedhje lokale pa opozitën me 30 qershor, datë kjo e dekretuar nga Presidenti i Republikës. I ftuar në rubrikën “Opinion” mbrëmjen e djeshme”, Paloka lëshoi një deklaratë të fortë, ku tha se nëse kjo do të ndodhë “të mbahen zgjedhje pa opozitën”, atëherë  ai do të largohet përfundimisht nga skena politike. Gjithashtu Paloka foli edhe për makinën e djegur ditën e protestës para Kuvendit, teksa e cilësoi si rast provokimi dhe përjashtoi faktin që opozita të ketë gisht në këtë skenar. Sipas Palokës, nëse do të vijohet kështu me revolta qytetare nga njëra anë dhe me arrogancë të qeverisë nga ana tjetër, pamje si të ditës së shtunë, mund të bëhen rutinë. “Nuk ka asnjë  të arrestuar. Kjo polici iu çon gaz lotsjellës qytetarëve në shtëpi, iu çanë koka dhe iu thyen këmbët. Nuk ka zot që ia lanë faturat. Policët nuk janë plagosur . Ata flasin për dhunë, pse? Sepse janë hedhur fishekzjarrë. Nuk ka pasur dhunë. Nuk mund të këtë zgjedhje pa opozitën, Rama e di i pari dhe e dinë edhe diplomatët. Nuk ka datë dhe nuk mund të them se kur mund të largojmë Ramën. Në këtë mënyrë siç po shkon, nga revolta qytetare në njërën anë dhe nga krahu tjetër arroganca e qeverisë, mund të shkojmë edhe tek një përplasje që nuk e do askush”-tha Paloka.

Flash Lajme