Drejtoria e Policisë së Tiranës ka kryer një ekspertizë në automjetin e djegur në fshatin Dritas, nga grabitësit e 6.5 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit.

Automjeti i djegur është zhvendosur nga Blutë, ndërsa brenda tij nuk janë gjetur gjurmë biologjike.

Makina me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” u përdor për të lëvizur bllokun e betonit të vendosur para derës së hyrjes së emergjencës së Aeroportit.

Ndërkohë policia po verifikon disa servise makinash për të zbuluar se ku mund të jetë modifikuar shasia e mjetit, të cilit i ishte vendosur një shinë treni, që mundësoi zhvendosjen e bllokut të betonit.

Pjesë e hetimit janë edhe disa biznese reklamash ku mund të jetë printuar logo “Hetimi Tatimor” i ngjitur në furgon. Ndërsa po kërkohet edhe mbi vendin ku është porositur maska prej silikoni e përdorur nga Admir Murataj.

Kujtojmë që ky i fundit mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit te zjarrit me efektivët e policisë, ndërkohë që grabitësit po largoheshin nga Rinasi.

Që prej të martës, operacioni i Policisë për gjetjen e grabitësve u zhvendos mes Krujës dhe Fushë-Krujës, pas dyshimeve se ata mund të fshihen në këtë zonë.

Flash Lajme