Shurupi Ponstan 50 mg, tepër i përdorshëm për fëmijët e vegjël duhet të tërhiqet nga qarkullimi në vendin tonë.

Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka njoftuar se largimi i tij nga farmacitë në Shqipëri duhet bërë pasi ka nivele të larta të plumbit dhe litiumit.

Sipas burimeve nga kjo Agjenci, kërkesa për tërheqjen e këtij ilaçi është bërë nga vetë distributori. Të dhënat shqetësuese për normat e tejkaluara të Ponstanit kanë mbërritur dhe nga agjencia amerikane e barnave  Food & Drug administration.

Megjithatë agjencia e barnave nuk ka bërë me dije se cilat janë problematikat që mund të vijnë në shëndetin e fëmijëve nga përdorimi i shurupit 50 mg. Edhe për tërheqjen e Ponstanit nga tregu njoftimi i agjencisë është bërë në faqen e tyre në facebook dhe jo në websiten zyrtar.

Kështu, farmacitë që duhet të njoftohen për këtë informacion do të duhet ta shohin atë në llogarinë e agjencisë në facebook. Ndërkohë që distributorët njoftohen që kanë kohë ta tërheqin nga tregu deri në datën 30 prill. Megjithatë, agjencia thotë se deri më tani është hequr nga tregu pjesa më e madhe e këtij shurupi.

Flash Lajme