Ish-kryetari i KQZ-së Ilirian Celibashi në një intervistë për gazetën “Shekulli”, analizon situatën e zgjedhjeve në vend si dhe ngërçin e krijuar nga partitë politike. Ai komenton dhe vlerëson disa nga pikat e Paktit Kombëtar  të propozuar nga Koço Kokëdhima

Lindita Bushgjokaj

Ish-kryetari i KQZ-së dhe një ekspert i çështjeve zgjedhore, Ilirjan Celibashi, në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, vlerëson Paktin Kombëtar të propozuar nga kreu i “Zgjidhja”-s, Koço Kokëdhima, pjesën kushtuar miradministrimit të zgjedhjeve. Po ashtu, Celibashi prek edhe çështjen e sistemit zgjedhor. Lidhur me bojkotin e opozitës, ai shprehet se deri 30 ditë para datës së zgjedhjeve, ka mundësi ligjore të dorëzohen komisionerët. Ndërkaq, depolitizimin e administratës zgjedhore, Celibashi e sheh si një “biznes” që partitë nuk janë të gatshme ta lënë.

Intervista e plotë:

Celibashi, mendoni se kodi i ri zgjedhor do të jetë gati për zgjedhjet lokale të qershorit?

E mendoj të vështirë procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit të këtij viti. Më shumë akoma më duken të panevojshme dhe të padobishme tani kur procesi përgatitor për këto zgjedhje ka kohë që ka filluar. Nuk e di se për çfarë dhe si më mirë këto ndryshime do të ndikonin në procesin zgjedhor të 30 qershorit. Ka shumë rëndësi që fokusi i ndryshimeve të mundshme të Kodit Zgjedhor të jetë i lidhur me zgjedhjet e radhës për Kuvendin. Konsiderimi i rekomandimeve të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Zgjedhjeve duhet të jetë në themel të ndryshimeve të mundshme.

A jeni në dijeni të Paktit Kombëtar të propozuar nga ana e Partisë Zgjidhja?

Mediatikisht jam njohur me të. Nuk mundet të them se disa prej ideve nuk kanë racionalitet. Vlerësoj si të gjetur disa prej tyre veçanërisht ato që kanë të bëjnë me miradministrimin e procesit zgjedhor, apo edhe një rikonsiderim të sistemit zgjedhor. Edhe pse lidhur me këtë të fundit, ky diskutim është thuajse gjithmonë i pafund në argumente “pro “dhe “kundër”. E për të vazhduar më tej më duket se problemi nuk qëndron tek paaftësia, apo pamundësia për të pasur ide. Problemi këtu qëndron në antagonizmin e thellë që karakterizon ballafaqimin politik në Shqipëri. Edhe pse duhet thënë se jo të gjithë janë njëlloj me faj në këtë ballafaqim konfliktual. Por ky është fakti. E në kushtet e këtij konfliktualiteti politik çdo ide më duket e vështirë të gjejë terren për zbatim. Ka shumë rëndësi që më së pari, të demonstrohet vullnet i qartë dhe i sinqertë politik për tu ulur dhe për të diskutuar e pastaj të vlerësohen idetë për çështje të ndryshme të organizimit dhe të funksionimit të shtetit dhe/ose shoqërisë në përgjithësi.

Pika që prek më shumë është ajo e zgjedhjeve. A mundet që një administratë e apartiake të mund të menaxhojë zgjedhjet, përfshi këtu edhe numërimin?

Nëse e shohim këtë opsion si zgjidhje të problemeve të zgjedhjeve në Shqipëri, atëherë është racionale që fillimisht të konsiderojmë ndryshimin e modelit të formimit dhe të funksionimit të administratës së lartë zgjedhore, KQZ-së. I gjithë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ është tërësisht në kontrollin e partive politike. Formalisht ligji zgjedhor e ka përcaktuar KQZ si një institucion jopartiak dhe të pavarur. Por mënyra e zgjedhjes së këtyre anëtarëve e ka kompromentuar tërësisht këtë cilësi që ligji zgjedhor vetëm sa e liston. E kur ne nuk arrijmë të ndërtojmë një trup administrimi të zgjedhjeve jo partiake të përbërë vetëm me 7 vetë, e cila ndërkohë duhet të jetë edhe e besueshme për të gjitha palët pjesëmarrëse në zgjedhje, si do të mundet të besojmë në profesionalizmin dhe paanësinë e një bashkësie mijëra zyrtarësh zgjedhor të niveleve më të ulëta të administrimit të zgjedhjeve?! Procesi zgjedhor sot është tërësisht në dorë të partive. E shohë të vështirë për të mos thënë të pamundur që ato ta lëshojnë këtë “biznes”. Për më tepër në kushtet e një konfliktualiteti të ashpër politik dhe një mungese të theksuar besimi kundrejt njëri-tjetrit. Gjithsesi rikonsiderimi i formulës së përbërjes dhe funksionimit të KQZ duke e larguar ndikimin e partive politike në ndërtimin e këtij institucioni e mendoj realiste si ide dhe të dobishme gjithashtu.

Po në lidhje me mos futjen e opozitës në zgjedhje? Çfarë parashikon kodi Zgjedhor për këtë çështje?

Në rast se një parti, e cila ka të drejtën të paraqes propozime për anëtar të komisioneve të nivelit më të ulët të administrimit të zgjedhjeve, nuk e ushtron këtë të drejtë, atëherë Kodi Zgjedhor i ka dhënë të drejtën KQZ që të bëjë plotësimet e anëtarësisë kryesisht. Pra të emëroj në vendet bosh persona të cilët i përzgjedh vetë KQZ. Gjithsesi Kodi Zgjedhor i ka dhënë të drejtën partisë që propozon anëtarët e këtyre komisioneve që ta ushtrojnë këtë të drejtë tej afatit të përcaktuar nga Kodi, por jo më vonë se 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

A mund të ketë zgjedhje pa opozitën në vend?

Ka këndvështrime të ndryshme të përgjigjes së kësaj pyetje, si për “po”, ashtu edhe për “jo. Thuajse të gjitha kanë brenda argumente të bazuara në logjikë dhe në principe morale dhe ligjore. Është gjithmonë në diskutim se sa i justifikuar është qëndrimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Duhet të jenë rrethana politike dhe sociale shumë të rënda, të jashtëzakonshme të cilat qartësisht, shumë qartësisht e cenojnë lirin e votës, ato të cilat mundet ta shtyjnë një opozitë të mos marrë pjesë në zgjedhjeve. Më duket se megjithëse problemet e lidhura me procesin zgjedhor, po ashtu edhe ato të lidhura me qeverisjen, mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk është e përligjur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Është gjithashtu vend anëtar, apo i angazhuar në forma të tjera në nesër organizatash e institucionesh ndërkombëtare. Ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim associmit me BE dhe është në pritje të marrjes së ftesës për të hapjen e negociatave të anëtarësimit. Është një vend i hapur, një vend dhe shtet që pranon vëzhgimin e zgjedhjeve pa asnjë rezervë nga misionet ndërkombëtare dhe pa asnjë kufizim për to. E për forcën ekonomike dhe pozitën gjeopolitike që Shqipëria përfaqëson, konsideruar dhe gjithë faktorët e rrethanat që citova më lartë, nuk mundet kurrsesi që një qeveri e këtij vendi, kushdo qoftë ajo, mundet të krijojë rrethana që cenojnë lirinë e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje.

A jeni dakord që emigrantët të jenë pjesë e zgjedhjeve?

Emigrantët e kanë të drejtën e votës, si për zgjedhjet për Kuvend, po ashtu edhe për organet e qeverisjes vendore. Problemi është se ata këtë të drejtë e ushtrojnë vetëm nëse vijën në këtu, në Shqipëri. Ndërkohë besoj se pyetja juaj ka të bëj me atë nëse a duhet tu mundësohet atyre ushtrimi i të drejtës së votës në vendin ku janë rezident. Po, është përgjigja ime. Dhe për këtë duhet se ka një dakordësi në parim nga të gjitha partitë politike. Është normale që emigrantët të kenë mundësi për të votuar për qeverisësit e vendit të tyre, pavarësisht se ata janë emigrantë në vende të tjera. Por duhet një angazhim serioz i të gjitha palëve për tu dakordësuar për modalitet e procesit të votimit të emigrantëve pa qenë të detyruar të vijnë në Shqipëri. Dhe kjo nuk është një çështje kaq e thjeshtë, si nga pikëpamja e procedurave, po ashtu edhe ajo ekonomike, e për të mos folur për sigurinë e këtij procesi që është themelore. Gjithsesi modelet ekzistojnë mjafton që të bëjmë një zgjedhje të përshtatshme për kushtet tona.

Flash Lajme