Vajza që ndërroi jetë pas lindjes së fëmijës në maternitetin e Elbasanit është Rexhina Debrova. Pas ngjarjes, familjarët hedhin akuza në drejtim të mjekëve, që sipas tyre janë treguar të pakujdesshëm.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe një mjeke e spitalit të Elbasanit e cila shprehet se është e shokuar nga ngjarja e ndodhur. Ajo mësohet të ketë thënë gjithashtu se 25-vjeçarja ka mbërritur në spital me urgjencë dhe se nuk i është bërë vizita e zemrës.

Familjarët e 25-vjeçares, të pranishëm në maternitetin e Elbasanit, akuzojnë mjekët për pakujdesi. Sipas tyre, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, gjinekologu ka kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë sepse ka konstatuar probleme me zemrën. Familjarët pretendojnë se mjeku kardiolog ka mbërritur me vonesë, ndërsa nëna e re ndërroi jetë një orë pas lindjes. 25-vjeçarja e ka pasur fëmijën e saj të parë, gjendja e të cilit paraqitet e mirë, pas operacionit ku e ëma e tij humbi jetën.

Sipas informacioneve të para, gruaja ka humbur jetën për shkak të një arresti kardiak, por gjithçka mbetet në fazën e dyshimeve, pasi nuk ka informacione zyrtare.

Flash Lajme