Kreu i PD-së Lulzim Basha nënshkruan koalicion me aleatët për të pamundësuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit . Patozi: “Bindja Demokratike” nuk ka armiq, por partnerë dhe kundërshtarë

Lindita Bushgjokaj

Kundërshtari kryesor i lidershipit të PD-së, Astrit Patozi, ka shpallur partinë “Bindja Demokratike”, si një forcë e re që fton rreth vetes kritikët e politikës së Lulzim Bashës. Me shpejtësi rrufe, paraditen e djeshme Patozi regjistroi në KQZ  partinë “Bindja Demokratike”, e cila ka 5 ditë afat të bëjë legalizimin në gjykatë dhe të dofrëzojë dokumentet në komision. Kujtojmë se që në fillim të vitit të kaluar, Patozi pati një tentativë për krijimin e një partie të re duke zhvilluar madje takime me demokratë dhe të pakënaqur në disa qytete. “Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë. Bindja Demokratike dorëzoi paradite në Gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionin e regjistrimit si parti politike, shoqëruar me rreth 4 mijë ­firma mbështetësish për krijimin e saj. Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e parë të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj. Nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit. Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij, Astrit Patozi. Po dje, “Bindja Demokratike” dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit”, thuhet në deklaratë.  Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në një status të gjatë në “Facebook” paraditen e djeshme ka folur për partinë e re, e cila u regjistrua në Gjykatë. Sipas Patozit, “Bindja Demokratike” është një parti që nuk do të ketë armiq, por vetëm kundërshtar, as miq, por vetëm partnerë. “Bindja Demokratike nuk ka armiq, por vetëm kundërshtarë. Ajo nuk ka miq, por vetëm partnerë. Bindja nuk ka kushërinj, shokë dhe familjarë, sepse ka zgjedhur që në fillim të mbrojë dhe përfaqësojë interesin publik”, shkruan Patozi.

Basha: Zgjedhje farsë s’do ketë

Ndërkohë që paralelisht me regjistrimin e partisë “Bindja Demokratike”, kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje me aleatët e tij për të zyrtarizuar koalicionin me 10 pika, në të cilat theksohet edhe njëherë qëndrimi final i kësaj force politike. Kreu i demokratëve, Basha, gjatë një deklaratë para mediave, theksoi se kushti i vetëm i panegociueshëm është krijimi i një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu Basha tha se në vijim numri i atyre që do t’i bashkohen koalicionit opozitar do të rritet, ndërsa theksoi se misioni i shpalosur është kombëtar, i cili do të synojë ndëshkimin e krimit elektoral dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të gjithë shqiptarët. “PD ka përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes së koalicioni politik dhe qytetar. Në orët në vijim ky koalicion do të zgjerohet edhe më tej dhe është i hapur për të gjithë, duke i dhënë fund krimit. Kurrë më nuk do të pranojmë një proces zgjedhor kukull të interesave të oligarkisë. Do të angazhohemi fuqimisht që përmes  aksionit të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë është e domosdoshme ndëshkimin e krimit elektoral, që prodhoi një qeveri kriminale. Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të këtë. Nuk do të këtë zgjedhje pa u  ndëshkuar krimi”,- tha ai.

Marrëveshja e PD-së me aleatët

PD dhe aleatët nënshkruan paraditen e së martës një draftmarrëveshjen që përmban 10 pika. Përveç 10 pikave të marrëveshjes që synon krijimin e një qeverie tranzitore që do krijonte kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sqarohen të detajuara edhe arsyet që opozitarët e kanë firmosur atë. Përfaqësia e PD  nënshkroi paktin me 10 pika fillimisht me republikanët e kryesuar nga Fatmir Mediu, më pas me Agron Dukën e PAA, Vangjel Dulen e PBDNJ, Nard Ndokën e PD, Dashamir Shehi të LZHK, Shpëtim Idrizin e PDIU dhe në fund me Monika Kryemadhin e LSI. Në marrëveshje nënvizohet se  partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  E për këtë rruga e vetme shihet formimi i një qeverie tranzitore me mandat të posaçëm. Në marrëveshje theksohet se nuk do të lejohen zgjedhje farsë të organizuar nga qeveria e Edi Ramës. Qëndrimi që u theksua dhe prej Monika Kryemadhit dhe  Lulzim Bashës. “Them zgjedhje, sepse votime ka bërë edhe Enver Hoxha, dhe diktatorët por populli nuk ka zgjedhur kurrë”, u shpreh Kryemadhi. Edhe një herë kryetari i PD Lulzim Basha theksoi akuzat ndaj mazhorancës aktuale. “Kurrë më nuk do të pranojmë një proces zgjedhor fals të diktuar nga krimi që prodhon një parlament fals dhe qeveri false” tha Basha. Basha u shpreh se do të vazhdojnë bisedimet për zgjerimin e koalicionit. Por një mesazh dha dhe për partinë e re të Patozit, si edhe për deputetët që morën mandatin. “Natyrisht nuk do të ketë më as opozitë false” u shpreh Basha.

“BD nuk ka lidhje me ne”

Alban Zeneli, deputeti i ri i opozitës parlamentare, në një prononcim për gazetën “Shekulli” thotë se partia e “Bindja Demokratike”, e cila u regjistrua dje në KQZ nuk ka lidhje me grupin parlamentar të opozitës së re. “Situata alarmante në Shqipëri nuk është për shkakun tonë. Do mundohemi që të japim kontributin tonë pozitiv që kjo situatë alarmante të shtensionohet dhe të përmirësohet në interes të të gjitha palëve. E para, çdo forcë politike që krijohet, qëndrueshmërinë e saj do ta ketë në raport me qytetarët. Sesa është e aftë kjo forcë apo çdo forcë që krijohet do ta kenë vetëm në raport me qytetarët, por sesa e aftë është që të fitojë besimin e tyre, këtë do ta tregojë koha. Partia e “Bindja Demokratike” e formuar sot nuk ka lidhje me grupin tonë parlamentar. Ndoshta janë keqkuptuar mediat, sepse asnjëri nga ne nuk është prononcuar. Asnjë nga ne nuk është pjesë e atij grupi politik, deri në këtë moment që them unë. Nuk është i ndaluar asnjëri që të jetë pjesë e tij, por ne e kemi vendosur se çdo njeri që është pjesë e një grupimi politik, nuk mund të jetë pjesë e grupit tonë parlamentar.  Grupi jonë parlamentar nuk ka dhënë asnjë mbështetje për asnjë forcë politike që nuk del nga grupi jonë. Ne nuk kemi formuar asnjë formacion politik. Bindja Demokratike nuk ka lidhje me ne. Znj. Hajdari është shprehur se nuk bën pjesë në këtë grup politik. Unë mendoj, se çdolloj partie që krijohet në Shqipëri në aspiratat e saj ka anën e saj pozitive, të japë kontribut në demokratizimin e politikës shqiptare”,-tha Zeneli.

Dashamir Shehi: “Bindja Demoratik” duhet të rreshtohet krah opozitës!

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha se do të mundësojnë që qytetarët të mos shkojnë në zgjedhje. Pas firmosjes së koalicionit opozitar, Shehi kishte edhe një thirrje për partinë “Bindja Demokratike”, duke thënë se ajo duhet të rreshtohet krah opozitës së bashkuar. Kjo është një marrëveshje principi politik. Është një letër e madhe mirëkuptimi politik mes palëve. Është e larguar nga të gjitha këto egoizmat e vogla parazgjedhore. Është beteja që i kemi shpallur Rilindjes dhe zotit Rama. Nga mosregjistrimi fillon beteja. Ndërsa i pyetur nga gazetarët për mënyrën sesi PD do të pamundësojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Shehi përgjigjet: “Me të gjitha mënyrat, duke filluar që me deklarimet tona, duke mos u regjistruar maksimumin e partive, duke mos bërë të mundur që qytetarët të mos shkojnë në zgjedhje. Ditën kur qytetarët nuk shkojnë në zgjedhje ato kanë rënë. Zgjedhjet minimalisht duan gjysmën e qytetarëve. Të gjitha format, nga sot deri ditën e zgjedhjeve”.

Jorida Tabaku: Nuk do ketë zgjedhje pa PD, keni për ta parë!

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tregoi planin e opozitës për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sipas saj, firmosja e koalicionit opozitar nga partitë aleate të PD-së, është një shembull që tregon vullnetin e opozitës për t’i thënë stop zgjedhjeve fasadë në Shqipëri. Tabaku është e sigurt që më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Nëse opozita nuk bëhet pjesë e tyre as zgjedhjet nuk do të zhvillohen, ngul këmbë ajo. “Kur të vjen fundi politik përdor gjithë arsenalin që të ka mbetur, por këtë radhë Rama është vetëm. Është figurë e djegur politike, cikli i tij ka përfunduar. Ai nuk do ta çojë dot vendin në zgjedhje pa opozitën. Nuk ka zgjedhje fasadë, nuk kanë për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën. Me rritjen e presionit, izolimin e qeverisë, do vijë dita për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë rast pretendimet tona janë të drejta. Mund të duket utopi, por vendosja e një sistemi të ri, ecja përpara një rruge të pashkelur është një zgjidhje për shumë shqiptarë”,- u shpreh Tabaku.

Rama i përgjigjet koalicionit opozitar: Humbës kronikë!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar vetëvrasje politike bojkotin e zgjedhjeve nga partitë opozitare. Pavarësisht vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Edi Ramën në krye të qeverisë, PS vijon të përgatitjet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në mbledhje e grupit, kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në tëitter ka ironizuar koalicionin e opozitës si një vetëvrasje politike. “Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng. Zgjedhjet as ndalen as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki”,-tha Rama. Madje mazhoranca pritet të mbledhë ditën e mërkurë Kryesinë me fokus zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa në fillim të muajit maj Asambleja e kësaj partie do të shpallë edhe listën e kandidatëve për kryebashkiakët. Me 13 maj përfundon afati i regjistrimit të listës shumëemërore për kryetarët dhe këshilltarët bashkiakë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, deputeti Bashkim Fino ka kërkuar uljen e pagave për policinë gjyqësore me argumentin se janë mbi pagën e Presidentit, por kërkesa e tij është hedhur poshtë nga socialistët.

Soreca ë zyrën e Bashës, takim për krizën politike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar të martën pasdite në zyrën e tij me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca. Edhe pse një takim i mbyllur për mediat, në qendër të diskutimeve duket se ka qenë kriza politike në vend, ku opozita prej afro dy muajsh ka djegur mandatet dhe ka paralajmëruar se nuk do të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Qëndrimi i Ambasadorit të BE-së, i shpallur edhe më parë, është që partitë të bëjnë marrëveshje dhe të futen në zgjedhje, me qëllim që të bëjnë të mundur realizmin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE. Takimi i diplomatit europian me Bashën vjen pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar.

LSI thërret Komitetin Drejtues Kombëtar me datë 26 prill

Pasditen e djeshme edhe LSI zhvilloi një mbledhje të gjatë me strukturat e saj, në të cilën është diskutuar aksioni i opozitës. Burime pranë kësaj forcë politike, thanë për gazetën “Shekulli”, se me 26 prill në orën 11:00 kjo forcë politike do të thërrasë Komunitetin Drejtues Kombëtar. Në fokus të mbledhjes së kryesisë së LSI-së ditën e djeshme kanë qenë diskutimet për axhendën dhe aksionin opozitar. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte e fundit në radhë por jo për nga rëndësia, që firmosi marrëveshjen për krijimin e koalicionit opozitar me Partinë Demokratike. Ajo e cilësoi “flamurin e shpresës për shqiptarët” këtë marrëveshje dhe tha se është e vetmja që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. “Sigurisht aksionit opozitar i shtohet një element tjetër shumë i rëndësishëm për të gjithë skeptikët e opozitës për të gjithë ata që duan të dinë se çfarë ndodh. Tashmë kanë strategjinë, platformën dhe alternativën e opozitës, është shumë e qartë, ju do të njiheni menjëherë mbas kësaj, vjen si rezultat i gjithë kësaj axhendë opozitare e mirorganizuar prej 1 viti, e cila përfundon sot në nënshkrimin e një koalicioni të përbashkët opozitar përballë, një shteti të kapur nga krimi i organizuar, e cila garanton mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme. “-u shpreh ajo.

KQZ u jep mandatin e deputetit 3 kandidatëve të PD

Komisioni Qendror Zgjedhor i jep mandatin e deputetit 3 kandidatëve të tjerë që vijnë  nga lista e Partisë Demokratike. Burime për Shekulli”-n bëjnë me dije se KQZ i ka dhënë mandatin Zef Shtjefnit dhe Nikolin Strakës nga qarku Shkodër dhe Artur Roshit qarku Tiranë. Kujtojmë që në Kuvend, pas dorëzimit të mandateve të opozitës dhe zëvendësimit me kandidatët e tjerë plotësues të listës pasuese numri i deputetëve shkon në 110.

Flash Lajme