Të tjera detaje kanë dalë nga vrasja e dy kushërinjve mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit. Dy të rinjtë që humbën jetën janë Jani Jushi, 30 vjeç dhe Mikel Jushi, 35 vjeç.

Ndërkohë, autorët e vrasjes së tyre dyshohet se janë Markel Gjonbushi, 25 vjeç dhe Vincens Pali (Bushi), të cilët janë shpallur në kërkim nga policia e Laçit. Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur pas një sherri banal mes të rinjve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 në lagjen nr. 1 në qytetin e Laçit, afër një lokali ku ndodheshin viktimat dhe autorët. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, autorët dhe viktimat kanë nisur debatin në lokalin ku qëndronin ulur, duke përfunduar më pas me të shtëna në rrugë.

Dy palët kanë dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar për sherrin e nisur, ndërsa gjithçka ka agravuar dhe duke parë që autorët kishin armë me vete, dy kushërinjtë janë larguar me vrap. Por, autorët i kanë ndjekur për rreth 100 metra Mikel dhe Jani Jushin dhe i kanë qëlluar disa herë me pistoletë.

Plumbat i kanë kapur disa herë ne trup kushërinjtë, ndërsa përpiqeshin t’u shmangeshin. Mikel Jushi dhe Jani Jushi u dërguan në gjendje të rëndë për jetën në një spital privat në Tiranë për ndihmë të specializuar por kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve që morën.

Flash Lajme