Caktohet datat tjetër e protestës, 25 maji. Jepet shkaku formal që, sipas Bashës, mund të shtyrë zgjedhjet: “Regjistri i adresave është i masakruar, mbi 1,4 milionë shqiptarëve ju kanë skaduar kartat e identitetit.

Edhe nga pikëpamja formale, zgjedhjet me 30 qershor nuk mund të mbahen”

Lindita Bushgjokaj

Përshkallëzohet aksioni opozitar e cila do të pasojë me një tjetër protestë kombëtarë me datë 25 maj ora 19:00. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së kryesisë pasditen e djeshme, ku kreu i PD-së Lulzim Basha ka diskutuar gjerësisht për protestën dhe organizimin e saj në çdo cep të Shqipërisë me qëllim bllokimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe shtyrjen e tyre me një afat deri në pesë muaj. Në përfundim të mbledhjes, kreu i PD, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat foli për vendimet e ndërmarra gjatë mbledhjes së kryesisë dhe për krizën në të cilën ndodhet vendi. “Vendimi unanim është përballje me të gjitha mënyrat”,-saktësoi Basha.

“Forumet drejtuese të PD dhe kryetaret e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthi i Ramës për atë që e pret nëse zbardhen dosjet hetimore për të cilat provojnë përmes përgjimeve të prokurorisë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe pastaj për të vazhduar me vjedhjen e zgjedhjeve në 2017. Në dosjen 184 në përgjimet e Dibrës figuron vetë Rama duke komunikuar me zyrtarë të lartë duke u siguruar që skenari i vjedhjes së votave është zhvilluar sipas porosive të tij”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Në lista, vrasës me pagesë

Basha hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke thënë se në lista janë vendosur vrasës dhe përdhunues ose që kanë lidhje me elementë kriminalë. Lideri demokrat komentoi edhe disa emra nga Partia Socialiste, të cilët janë zgjedhur prej saj si kandidatë për këshillat bashkiakë. Ai tha se Abedin Uruçi në Kukës dhe Imer Lala në Dibër kanë probleme të theksuara me ligjin. “Vlera e një qeverie është kur zbatohet kushtetuta e ligji dhe nuk ka shans që shqiptarëve t’ju imponohen përdhunues dhe vrasës. Kandidatë në kundërshtim me ligjin nuk mund  të kandidojnë. Në fakt për shumicën e tyre provat kanë dalë dhe janë bërë publike, pavarësisht në disa raste disa media i shërbejnë amnezisë. Kjo është një  Kjo është një thirrje të nxjerrin arkivin dhe ti marrin  me radhë se kush janë këta kandidatë. Vrasës me pagesë si Abedin Uruci, Imer Lala, të jemi në këtë betejë aq sa mundemi. Sa  të mundeni hapni arkivin se këta janë të denoncuar me emër dhe mbiemër tash e pesë vite. Imer Lala është kriminel, Bedri Hoxha nuk ka asnjë mbështetje kur bëhet fasadë me juntën” tha Basha.

Kartat e identitetit

Basha u shpreh se ka probleme regjistrin e gjendjes civile dhe kartat e identitetit: “Edhe formalisht, vendi është me një regjistër të gjendjes civile të masakruar nga njerëzit e caktuar për këtë punë nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, regjistri i adresave është i masakruar, mbi 1,4 milionë shqiptarëve ju kanë skaduar kartat e identitetit. Edhe nga pikëpamja formale, zgjedhjet me 30 qershor nuk mund të mbahen”. Kujtojmë se për një arsye të tillë janë shtyrë zgjedhjet në vitin 2007, me kërkesë të opozitës së atëhershme socialiste të drejtuar nga Edi Rama. “Natyrisht nuk mund të mbahen nga pikëpamja politike, se nuk ka zgjedhje. Shqiptarëve do tu ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vet nuk garoi dot, se është duke negociuar si do ti shpëtojë hetimeve me Edi Ramën, dhe ka caktuar se kush do të garojë”, tha Basha.

Përgjigje të Bashës për gazetarët

Zoti Basha, Martin Henze ka thënë se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen në shtator tetor. A është e mundur kjo?

Lulzim Basha: Nuk bëj komente mbi deklaratat e askujt. Pak rëndësi ka nëse bëhen në shtator apo në tetor. Rëndësi ka që sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje. O do të ketë një plan si ky që ka vënë Rama ne lëvizje me kriminelë dhe të emëruar të krimit në gjysmën e bashkive vetëm të një partie, në gjysmën tjetër edhe të bashkimeve Profesionale të asaj partie, pra njerëz të sponsorizuar në këtë drejtim, ose do të ketë një fitore të demokracisë, lirisë për çdo shqiptar, që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme. Këtu është beteja sot dhe në funksion të saj, lajmi që merrni nga PD është që ne do të jemi në ballë të kësaj beteje ditë për ditë. Protesta e ardhshme kombëtare është thirrur për të shtunën e datës 25 maj, 10 ditë prej protestës së sotme.

Pyetje: Do të jetë një protestë me molotov zoti Basha? 

Lulzim Basha: Ambrozia, ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Basha të jetë komandanti i baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, i vëllezërve motrat 3 vjeçarë të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se donte t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësonte as banorët e ligjshëm. Këto janë vetëm 3 skandale. Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre, si për protestën e 11 Majit, ashtu edhe për protestën e 13 Majit. Jam i sigurte që këto do të tejkalohen si në masivitet, ashtu edhe në vendosmëri nga protesta e 25 Majit.

Përgjimet dhe Rama

Gjatë ditës së djeshme forumet e larta të Partisë Demokratike si dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, sipas Bashës, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe pas kapjes së prokurorit të përgjithshëm. “Sot, e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, për atë që e pret në rast se zbardhen dosjet hetimore, të cilat provojnë, përmes përgjimeve të prokurorisë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së “Rilindjes”, në bashkëpunim me krimin e organizuar, për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale, për të kaluar pastaj në vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s. Sot gazeta më e madhe, me tirazhin më të madh në Evropë, gazeta gjermane “Bild” ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes tronditëse të Shqipërisë, si narkoshtet, të qeverisë që sillet si bandë, si gangster është fjala që përdor gazetari, por ka zbuluar diçka që organet ligj zbatuese në Shqipëri, dhe jo vetëm, e dinë prej kohësh, që në dosjen 184, në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama, duke komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar, duke u siguruar, se skenari i manipulimit zgjedhor, i vjedhjes së votave, i brutalizimit të votuesve është zhvilluar pikërisht sipas porosive të tij”, deklaroi Rama.

Flash Lajme