Komisioneri për zgjerim Johannes Hahn diskutime në Berlin për zgjerimin e BE-së. Sipas tij, vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jepet përpara verës. Vizita e Johannes Hahn në Gjermani bëhet me qëllimin për të rritur lobimin e Komisionit Evropian për sa i përket procesit të zgjerimit të tij.

Erjon Dervishi

Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, Johannes Hahn thekson se: “Pata një takim të shkëlqyes. Ne ramë dakord që Bashkimi Evropian të forcojë agjendën e zgjerimit. Ne duhet të shpërndajmë arritjet që kemi arritur. Njohja e arritjeve dhe objektivave të progresit nga ana e partnerëve tanë është një gjë pozitive për të gjithë rajonin. Unë kam besim tek mbështetja e Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”.

Johannes Hahn takon Presidentin e Bundestagut Wolfgang Schauble

Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn është takuar edhe me Presidentin e Bundestagut Gjerman, Ëofgang Schauble. Pikë kryesore e diskutimit mes tyre ka qenë agjenda e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Hahn shkruan në rrjetin social Twitter se: “Një takim i shkëlqyer me Woflgang Schauble, President i Bundestagut Gjerman. Jam shumë i kënaqur për mbështetjen e tij për sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, në interesin tonë primar gjeopolitik. Të eksportojmë stabilitet në rajonin tonë fqinjë, është një test kryesor për besueshmërinë e Bashkimit Evropian, si një aktor kryesor dhe deciziv në arenën ndërkombëtare”, thekson Johannes Hahn.

Takimi me deputetët e Bundestagut

Komisioneri Johannes Hahn është takuar dje edhe me një grup deputetësh të Bundestagut Gjerman. Ata janë deputetë të cilët raportojnë për situatën në Evropën Juglindore. Johannes është takuar edhe me kryetarin e këtij grupi, Josip Juratoviç. Edhe në këtë rast temë e diskutimit ka qenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian. I gjithë procesi i afrimit me Bashkimin Evropian apo hapjes së negociatave duhet të bëhet bazuar në merita, thekson Johannes Hahn. Ai kërkon që Bashkimi Evropian të rrisë kredibilitetin dhe besueshmërinë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jepet përpara verës. Vizita e Johannes Hahn në Gjermani bëhet me qëllimin për të rritur lobimin e Komisionit Evropian për sa i përket procesit të zgjerimit të tij. Në të njëjtën kohë, vizita e Johannes Hahn në Gjermani, tregon rëndësinë që ka ky shtet për sa i përket stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Intervista për Radio Evropa e Lirë

Në lidhje me integrimin e Shqipërisë, Johannes Hahn dha një intervistë të shkurtër për median e njohur ndërkombëtare Radio Evropa e Lirë. Gjatë intervistës Komisioneri Johannes Hahn tha se, pret që Bashkimi Evropian të vendosë para verës nëse do t’i hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn tha se raporti i Komisionit Evropian del për dy javë dhe patjetër që do të ketë një rekomandim pozitiv. Ai thekson se Maqedonisë së Veriu i duhet njohur përparimi në raport me përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe Shqipërisë po ashtu reforma në gjyqësor. Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ketë një dritë jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Johannes Hahn u shpreh se: “Ka disa diskutime, por unë jam i përqendruar për të siguruar një vendim para verës sepse ky ishte gjithmonë qëllimi ynë. Ne do ta paraqesim raportin tonë vjetor për dy javë, ku me siguri do të japim një rekomandim pozitiv për të dyja vendet. Natyrisht, ka gjithmonë disa punë që duhet të bëhen. Por unë mendoj, sidomos kur është fjala për Maqedoninë  e Veriut, se duhet të pranojmë përparimin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe që është parakusht për anëtarësimin e ardhshëm në BE. Gjithashtu, reforma e gjyqësorit në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Pra, në këtë drejtim mendoj se kjo vlerësohet në mënyrë pozitive nga shtetet tona anëtare”.

Por Komisioneri Hahn shtoi se nevojitet patjetër pëlqimi i shteteve anëtare. “Po përpiqem të bëj çmos për të arritur këtë qëllim. Së pari kemi nevojë për dritën e gjelbër për të filluar përgatitjen përfundimtare të negociatave dhe pastaj është përsëri një procedurë me bazë meritore. Dhe sigurisht që na nevojitet pëlqimi i të gjitha shteteve tona anëtare. Por unë po bëj çmos për ta arritur këtë”. I pyetur mbi kërkesën e Holandës për të pezulluar vizat për Shqipërinë, komisioneri Hahn tha se nuk ka asnjë indikacion se ka nisma nga shtete anëtare për të pezulluar liberalizimin e vizave. Johannes Hahn u shpreh se: Ekzistojnë këto kontrolle të rregullta për numrin e atyre që ne i quajmë azilkërkues të pa financuar. Unë mendoj se këto shifra në krahasim me numrin e përgjithshëm të njerëzve që udhëtojnë në këtë vend janë shumë të vogla. Sidoqoftë është diçka që kam diskutuar vazhdimisht me partnerët e mi në Shqipëri por edhe në disa vende të tjera. Kjo duhet të trajtohet tërësisht nga autoritetet shqiptare, që do të thotë se ato duhet të komunikojnë. Ata duhet të informojnë popullin se të gjitha këto nisma janë pa ndonjë mundësi për tu konfirmuar pozitivisht në këto vende. Por nuk kam asnjë indikacion se ka nisma nga shtete anëtare për të pezulluar liberalizimin e vizave, për shembull  me Shqipërinë”, përfundoi fjalën e tij Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn.

Flash Lajme