Takimi kokë më kokë me Bashën: Krerët e partive opozitare deklarojnë se do të bllokojnë zgjedhjet e 30 qershorit. Shehi: Zgjedhje kështu nuk mund të bëhen, nuk administrohen më me këtë qeveri

Lindita Bushgjokaj

Aleatët e Bashës deklaruan dje se do të shtyhen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme 5 muaj më vonë. Kryetarët e partive opozitare e morën vendimin gjatë një takimi kokë me kokë me kreun e PD-së Lulzim Basha, ku është diskutuar ndër të tjera edhe për përshkallëzim të aksionit opozitar, për të bllokuar procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ata e konsiderojnë të jashtëligjshme procedurën e ndjekur nga maxhoranca, e cila deri më tani është në avancë me kandidatët, por nuk kanë konkurrentë për garën e elektorale.  Kreu i LZHK-së, Dash Shehi, pas takimit që pati me kreun e PD-së Basha së bashku me aleatët e tjerë, gjatë një deklaratë për media, foli për aksionin opozitar dhe vendimin  për të bllokuar procesin e zgjedhjeve, me qëllim që të shtyhen. Kujtojmë se qëndrimi i tyre, është në të njëjtën linje me atë të z. Kokëdhima të shprehur Paktin Kombëtar të Partisë “Zgjidhja”.  “Që sot po ju lajmërojmë që ka filluar manipulimi zgjedhor. Zgjedhjet kanë rënë jo vetëm moralisht por dhe praktikisht me letra. Por edhe sikur ti mbushin plot ato letrat e veta ne nuk do të lejojmë të ketë zgjedhje me 30 qershor me gjithë aksionin e mundshëm opozitar, 360 gradë. Nga denoncimi i manipulimeve që po i bëjnë dhe të huaj, ndërkombëtarët, gazeta më e madhe evropiane “Bild” ku implikon vetë zotin Rama. Tani nuk ka nevojë për hyzmetqarë poshtë, merret vetë me vjedhjen e zgjedhjeve. Këtu moral më për zgjedhje nuk ka. Aksioni fatkeqësisht do të s’postohet në shumicën në rrugë. Nuk heqim dorë as nga takimet me ndërkombëtarët, as nga informacioni me median, as takimet, por aksi kryesor është protesta e rrugës. Këtë do ta vazhdojmë deri në një zgjidhje që e konsiderojmë finale jo për ne as për OPD dhe Bashën por për Shqipërinë, të vijë dita që të bëhen zgjedhje si në gjithë botën. Zgjedhje kështu nuk mund të bëhen, nuk administrohen më me këtë qeveri”,-deklaroi Shehi. I pyetur se kur do të jetë protesta e radhës, ai u shpreh: “Ka shumë alternativa, ky qytet mund të prodhojë protesta përditë. Por ne nuk bëjmë protestë për protestë, bëjmë protestë se po shkelen rregullat e lojës në mënyrë të përsëritur për vite me radhë dhe ka ardhur dita ti themi ndal. Shehi shtoi gjithashtu se nuk kanë marrë një përgjigje nga Presidenti Meta, të cilit në takimin e fundit i kishin kërkuar një tryezë dialogu mes palëve. “Jo. Presidenti jonë në këtë mes është Basha dhe këto të tjerët”,-saktësoi ai.

Takimi i aleatëve në Fier

Pas Tiranës dhe Durrësit, ‘Forumi për zgjedhje të lira’, i organizuar nga ‘Grupimi i Qendrës së Djathtë’, është ndalur në qytetin e Fierit. Aleatët e Partisë Demokratike, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PR-së Fatmir Mediu Mediu, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i PAA-së Agron Duka, kanë zhvilluar një bashkëbisedim mbi situatën në vend me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë. Krerët e partive opozitare, me qëndrimin e unifikuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kanë sqaruar arsyet pse kanë ndërmarrë këtë nismë dhe, gjithashtu, kanë njohur mbështetësit e tyre me ‘Platformën për marrëveshje kushtetuese’ me 12 pika të prezantuar pak kohë më parë. Duke komentuar dy protestat e fundit kombëtare, të zhvilluara nga opozita e bashkuar, ata i kanë bërë apel qytetarëve për vijimin e qëndresës ndaj mazhorancës ilegjitime: “Opozita deklaron se nuk do të lejojë që në 30 qershor të zhvillohen zgjedhje farsë. Sipas saj, zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të organizohen dhe garantohen vetëm nga një qeveri Tranzitore”, deklaruan ata. Duke komentuar dy protestat e fundit kombëtare, të zhvilluara nga opozita e bashkuar, ata i kanë bërë apel qytetarëve për vijimin e qëndresës ndaj mazhorancës ilegjitime

Vagjel Dule: Kjo qeveri nuk mund të garantojë normalitetin minimal në çdo aspekt të jetës sonë, ndaj nuk ka asnjë arsye për të qëndruar qoftë edhe një ditë në pushtet

Nard Ndoka: Do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike të qëndresës dhe reagimit shumë fort për t’i treguar se koha e tij ka përfunduar.

Dash Shehi: Nuk bëhen më zgjedhje, ky duhet të ikë sepse ju ka futur dorën në xhep.

Agron Duka: Grupet e interesit të kësaj qeverie nuk janë biznesmenët dhe fermerët e ndershëm dhe qytetarët por ata që e sollën në pushtet.

Fatmir Mediu: Paketa e parë e propozimit tonë është zgjidhja momentale e krizës pas 6 muajsh të ketë zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme.

Idrizi dhe Dule

Në takimin e aleatëve ditën e djeshme me Lulzim Bashën mungonte përfaqësuesi i partisë çame PDIU Shpëtim Idrizi, kjo për shkak të pranisë në takim të liderit të PBDNJ Vangjel Dule. Partia e minorancës greke dhe partia çame janë politikisht të pozicionuara në anë të kundërt edhe pse Basha pretendon t’i ketë bashkuar në të njëjtin pozicion të opozitës së bashkuar. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera, lideri i PDIU-së, do të zhvillojë takime të veçanta me Bashën, pa praninë e aleatëve të tjerë. Kjo sjellje e Kryetarit të PDIU-së nuk është e pa njohur për elektoratin vendas. Edhe ne zgjedhjet e kaluara parlamentare, Shpëtim Idrizi, kërkoi një takim kokë më kokë me liderin e Partisë Socialiste Edi Rama. Duket se joshja nga pushteti ka bërë që Idrizi të kërkojë një takim me Lulzim Bashën dhe të ketë mundësi për ndarje pushteti.

Kryemadhi: Qeveri tranzitore çdo tre muaj

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha një intervistë për televizionin shqiptar “Nova”, ku foli për qëllimet e vizitës së saj në SHBA dhe për situatën aktuale politike në vend. Kryemadhi tha se ndodhej në SHBA për të marrë pjesë në Forumin e ish-kongresmenëve dhe ish-senatorëve, ku ka zhvilluar disa takime me kongresmenë, ish-kongresmenë, senatorë dhe ish-senatorë, me të cilët ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri dhe në rajon. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Kryemadhi tha se do të zhvillojë disa takime konsultative me institucione partnere të LSI-së. Kryetarja e LSI-së tha se situata politike nuk është në normalitet dhe se për këtë nevojitet një reagim për të nxjerrë vendin nga kriza. “Unë nesër kam disa takime të tjera, të cilat janë takime në kuadrin e konsultimit. Situata në të cilën gjendet Shqipëria është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është më një situatë ku jemi në normalitet, kemi një Shqipëri e cila lëngon nga problematika shumë të mëdha, ku për hir të së vërtetës shkaktarë të këtyre problematikave jemi vetë ne klasa politike, duke përfshirë dhe veten time si përgjegjëse të kësaj situate, por pavarësisht nga kjo mendoj që më mirë vonë se sa kurrë, ne të gjithë duhet të reagojmë për të nxjerrë vendin nga kriza”, tha Kryemadhi. Gjatë intervistës Kryemadhi ka zbuluar dhe programin dhe propozimin e opozitës për qeverinë tranzitore. Ajo tha se gjithashtu opozita propozon që në Kushtetutë të shkruhet që qeveria tranzitore të krijohet çdo tre muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Kryetarja e LSI-së theksoi se kjo gjë është e plotësisht e mundshme për tu realizuar, pasi është aplikuar edhe në vendet e tjera të rajonit. “Opozita ka paraqitur një program për sa i përket qeverisë tranzitore. Po çfarë është qeveria tranzitore? Do të thotë një qeveri kujdestare që garanton zgjedhjet. Sepse sot nuk është se ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje, nuk është se duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne nuk duam që zgjedhjet të vidhen, të manipulohen, të deformohen, të mashtrohen njerëzit, mos të intimidohen dhe mos të përfshihen në grupe kriminale në gjithë këtë proces zgjedhor. Dhe cili është propozimi i opozitës? Që ne duhet të kemi një qeveri tranzitore të cilën ta shkruajmë në Kushtetutë që çdo qeveri apo çdo mazhorancë 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të ketë një qeveri transitore”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Nëse do të hyjë në zgjedhje”, Balla: Ç ‘mund t’i ofrojmë opozitës

Kreu i grupit socialist Taulant Balla komentoi sot në studion e News24, deklaratat për dialog, të dy aktorëve kryesorë politikë në vend. Ndërsa falënderoi grupin e CDU gjermane, Balla tregoi edhe mundësitë që mund t’i tolerohen PD-së për të hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit. “Gjej rastin ta përshëndes grupin CDU të cilët përmes nënkryetarit ishin shumë të qartë në shpjegimit të dialogut. Nëse Basha vijon të insistojë në kërkesat antikushtetuese, fëminore, sa herë të ketë zgjedhje të marrë Luli një cop pushtet, Luli s’ka për të qenë kurrë gati për zgjedhje. Në 2017, mori 6 ministri për zgjedhje, dhe kur u shkua më pas në këto ministri u deshën javë të tëra për t’i vënë në punë, pasi kishin hyrë persona të papërgjegjshëm.” -u shpreh Balla ndërsa shtoi se: “Më 30 qershor janë zgjedhjet, nëse do edhe dy tri kohë për të regjistruar kandidatët le të regjistrojë të hyjë në zgjedhje, të humbi prape, dhe të fillojë të përgatitet për 2021. Jemi të vendosur në këtë rrugë që kemi nisur. Kjo dhunë kundër institucioneve nuk është kundër PS, po kundër reformave, kundër shqiptarëve. Sepse duan të dëmtojnë ekonominë, me shpresën se kështu mund të rrëzojnë PS. Po këta e dinë se ka bufa në këtë vend? Nuk e dinë se këta janë personat që kanë punuar kundër reformës në drejtësi. Jemi vend pa gjykatë kushtetuese sot, se jemi vend ndër të rrallët në botë që na dolën të korruptuar anëtarët e Gjykates Kushtetuese, më mirë 6 muaj pa gjykatë kushtetuese se sa me gjyqtarë të korruptuar.- vijoi më tej Balla.

 

 

 

Flash Lajme