Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës të së martës, ndërsa makina e djegur është në pronësi të Laureta Binaj, bashkëshortja e gjyqtarit Sokol Binaj. Hetimet janë fokusuar në detyrat që dy bashkëshortët ushtrojnë

Xhentila Gjoshi

Makina e bashkëshortes së gjyqtarit Sokol Binaj është djegur pak minuta pas mesnatës të së martës në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, ndërsa është shkrumbuar makina tip “Citroen”, në pronësi të shtetases Laureta Binaj, bashkëshortja e gjyqtarit Binaj. Ngjarja është raportuar mbrëmë nga vetë pronarja e makinës. Sokol Binaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Laureta Binaj punon në Prokurorinë e Përgjithshme si koordinatore për mediat. Ajo ka dhe një pozicion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Komisariati numër 2, dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për vërtetuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental.

Ngjarja

Sipas informacioneve të policisë së kryeqytetit, ngjarja ndodhi pas mesnatës të së martës në rrugën “Grigor Heba”, në kryqëzimin me rrugën “Gjik Kuqali”, pranë stadiumit “Selman Stermasi. Automjeti tip “Citroen”, në pronësi të shtetases Laureta Binaj, mësohet se qenë i parkuar në parking, ndërsa policia thekson se zjarri ka rënë në rrethana ende të papërcaktuara. Makina e bashkëshortes së gjyqtarit ka pësuar djegie në disa pjesë të caktuara, pasi flakët janë shuar nga zjarrëfiksja. “Në mesnatë në rrugën “Grigor Heba” në kryqëzim me “Gjik Kuqali”, në parking ka rënë zjarr në rrethana ende të paqarta në mjetin në pronësi të shtetases L. B. Si pasojë e zjarrit mjeti është djegur pjesërisht. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Por ku janë fokusuar hetimet e policisë për këtë ngjarje? Burime nga uniformat blu për djegien e makinës janë fokusuar kryesisht në detyrën që ushtron bashkëshorti i pronares së automjetit, por edhe në punën e saj. Sokol Binaj ka qenë i përcaktuar me short për dojsen Shullazi, por nuk e mori asnjëherë përsipër. Ai ka qenë pjesë e trupit gjykues i cili dha vendimin për masën e sigurisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Aktualisht Binaj është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si pjesë e trupit gjykues për dojen Izet Haxhia. Ky i fundit, truprojë i ish-kryeministrit Sali Berisha, është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari. Pas rihapjes së kësaj dosje, më 18 mars të këtij viti avokati i Haxhisë, deklaroi se do të kërkojë lirimin e tij si dhe ballafaqimin me dëshmitarin e parë Sali Berishën që në atë kohë ka qenë President. Pjesë e dëshmitarëve që kërkohen të pyeten janë 44, mes tyre edhe ish-kryeministri Fatos Nano, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ish-kryetarja Parlamentit Jozefina Topalli dhe shumë gazetarë e politikanë të kohës.

Gjyqtar i Saimir Tahirit

Gjyqtari Sokol Binaj është një nga gjyqtarët që ndryshoi masën e sigurisë ndaj ish-ministrit Tahiri, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Atë kohë, gjyqtari Binaj bashkë me kolegun e tij Fehmi Petkun, dolën kundër gjyqtares Saida Dollani. Në vendimin për lirimin e ish-ministrit, gjykata ka argumentuar se Tahiri nuk përbën rrezik ikje apo fshehje ndaj hetimit. Sipas Binajt dhe kolegut të tij, ish-ministri me humbjen e funksioneve të tij, nuk përbën rrezik për prishjen e provave duke cënuar fatin e hetimeve. Ndërkohë, lidhur me deklarimin e pasurisë, gjyqtari Sokol Binaj ka deklaruar vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjyqtari Binaj ka një apartament 77,97 m2, që ia ka dhuruar motra, por nuk ka deklaruar se sa është vlera e tij. Ai thotë se apartamenti i është dhuruar më datë 28. 05.2017, gjithnjë referuar kontratës së dhurimit.

Flash Lajme