Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka shpallur fajtor Fadil Kasemin për tre vepra penale, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm të shkallës së Parë.

Seanca u zhvillua dje, ndërsa Kasemi mori pjesë në gjyq

Xhentila Gjoshi

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka dhënë vendimin përfundimtar për Fadil Kasemin, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildez Hafizi. Kasemi pretendonte ulje të dënimit pas atij që mori në Shkallën e Parë të Krimeve, por nuk ia doli dot mbanë. Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm në ngarkim të Fadil Kasemit, për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në gjykimin në Shkallën të Parë, Fadil Kasemi e pranoi fajësinë për vrasjen, ndërsa tha që kjo ka ardhur si pasojë e dyshimeve për tradhti. Ndërkohë për akuzën e rrëmbimit, Kasemi e mohoi duke pretenduar se e ka udhëzuar atë që ta çonte në Komisariat dhe jo të arratisej. Ndërkohë, familjarët e Kasemit kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë procesit, ndërsa nuk e kanë pritur mirë vendimin përfundimtar të Krimeve të Rënda.

Prokuroria

Prokuroria për Krime të Rënda, më herët kishte kërkuar shpalljen fajtor të Fadil Kasemit me një dënim të vetëm, burgim i përjetshëm. Referuar Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në datë 31 gusht të vitit të vitit 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Në kohën që Fildeze Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga një parukeri dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon “Benz Mercedez”, që drejtohej nga shtetasi me inicialet K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes, duke hipur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e Policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të tij. Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatë, Fadil Kasemi i penduar, u kërkoi ndjesë fëmijëve për vrasjen e nënës së tyre. “Nuk dua të më falin për këtë që kam bërë, por dua që fëmijët të pranojnë të investoj tek ata nëpërmjet hallave dhe të afërmve”, është shprehur Kasemi.

Dëshmia e Kasemit në Gjykatë

“Unë jam Fadil Kasemi, i datëlindjes 4 mars 1965. Në vitet ’90-2000 kam qenë emigrant, ku kam punuar për gati 10 vjet. Në vitin 2000 erdha sërish në Shqipëri për të krijuar familje. Në këtë periudhë, nëpërmjet disa miqve të përbashkët jam njohur me të ndjerën, ku pas disa takimeve u fejuam. Familja e së ndjerës ka qenë në gjendje ekonomike jo të mirë dhe bëmë fejesë të përbashkët. Më pas u martuam dhe pas saj kam ndërhyrë që të niste punë si edukatore kopshti, pasi ajo kishte studiuar në Shkodër në Ciklin e Ulët. Pas disa viteve punë si edukatore më kërkoi që të bëhej drejtoreshë dhe ia kam plotësuar dëshirën, që nëpërmjet miqësive dhe mundësive ekonomike që kisha, ta bëja drejtoreshë në Kopshtin Nr. 24 në kryeqytet. Më pas, e ndjera më kërkoi që të kishte prindërit afër me pretendimin se ishin vetëm. Pa hezitim ia plotësova dëshirën, duke i marrë një shtëpi me qira dhe me shpenzimet e mia ua mobilova banesën.

Qiranë e shtëpisë e kam paguar gjithmonë unë. Dua të shtoj se gjatë kohës kur ka punuar në kopsht, ajo nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, duke i mbajtur të gjitha për përdorim vetjak. Paguante vetëm 100 euro në muaj në bankë për fëmijët. Pasi e bëra drejtoreshë në kopsht, më kërkoi për të vazhduar si shkollë të dytë Juridikun. E pranova, duke e regjistruar në një universitet privat. Pasi mbaroi shkollën më kërkoi që ta regjistroja për Magjistraturë dhe ta fitonte konkursin, gjë e cila ndodhi, duke e financuar edhe pse jo në një mënyrë të ndershme. Deri para Magjistraturës marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Më pas filloi të më thoshte shprehje që nuk i kuptoja. Më mbyllte telefonin, më thoshte se nuk i doja fëmijët. Një ditë pashë vjehrrën që mblidhte fotot e fëmijëve dhe Fildezit dhe më ka bërë përshtypje. Bënim nga një muaj pushime dhe së bashku me prindërit e saj, që i kisha me vete. U kam paguar qiranë për 15 vite dhe asnjëherë s’jam interesuar sa e ka pasur gruaja ime rrogën. Më 13 shkurt 2015 i kam thënë Fildezes se ku do shkojmë për 14 shkurtin të festojmë. Më tha që do dal me një shoqe se më ka blerë një shall. Unë nuk e kuptova këtë gjë dhe madje i fola rëndë, i thashë mos është lesbike shoqja? Nuk kemi debatuar deri sa po afronte ditëlindja ime më 4 mars, ku ajo më tha se do të largohej te babai dhe se kështu nuk shtyhej. Ajo i kishte përgatitur të gjitha, kishte marrë një person dhe po merrte rrobat e saj. Kur jam përballur me të më tha katër shprehje, që dy i kuptova dhe dy jo…”, është shprehur thënë Kasemi.

Flash Lajme