Misteret rreth vrasjes së Admir Murataj shtohen edhe më shumë. Në bazë të burimeve bëhet me dije se Murataj u qëlluar nga një distancë jo më shumë se 15 metra.

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë arritur në këtë konkluzion.  Ndërsa, duke marrë parasysh se përplasja me armë, e dyshuar mes efektivëve dhe grabitësve, ka qenë një distancë e konsiderueshme, dhe se dyshohet Murataj mund të jetë vrarë dhe nga miqtë e tij.

Akti i ekspertimit i është dorëzuar Prokurorisë për Krime të Rënda të cilët po kryejnë hetimet për mega grabitjen në pistën e Rinasit mesditën e 9 prillit. Në dokument thuhet se predha në kokën e Muratajt është tejshpuese me vrimë hyrje në lobin temporal të majtë dhe dalje mbi nofullën e djathtë. Megjithatë nuk është përcaktuar lloji i armës së zjarrit me të cilën u qëllua 44-vjeçari.

Për këtë, Prokuroria mbetet në pritje të ekspertizës balistike. Për momentin maska që mbante Murataj në koke mbahet në laboratorin kriminalistik. Ndërkohë, për policët që morën pjesë në aksion, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar një procedim penal për vrasje. 10 ditë më parë, familjarët dorëzuan padinë, duke hedhur dyshime për vrasje me dashje e duke kërkuar hetime për të zbuluar vrasësit e Muratajt.

Flash Lajme