Për 7 protestuesit e arrestuar për marshim-protestë të 13 majit, Prokuroria e Tiranës kërkon masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, seanca po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Arben Micko.

Ndërsa për protestën e 13 majit janë proceduar në gjendje të lirë edhe 15 protestues të tjerë.

“Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe sidomos tek DPPSH dhe DVP me kapsolla, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planëzuar me shërbim” bën me dije policia në komunikatën për mediat.

Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta mësohet se kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe SQU.

Policia thotë se në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Flash Lajme