Opozita i është rikthyer zyrtarisht procesit të administrimit të zgjedhjeve. Një ditë pas deklaratës se do të përfaqësohet me komisionerë në KZAZ, në mbledhjet e KQZ ka mbërritur përfaqësuesit juridik, duke shënuar pjesëmarrjen e parë të tyre qysh nga shpallja e zgjedhjeve

Erjon Dervishi

Rikthimi i Partisë Demokratike në KQZ ka sjellë dhe ndezjen e debatit ditën e djeshme, gjatë mbledhjes. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti debatoi me nënkryetarin e KQZ-së Denar Biba. Kosovrasti kërkoi të marrë pjesë në verifikimin e firmave që mbështesin kandidatët e pavarur. Njazi Kosovrasti ngriti disa pyetje mbi rendin e ditës, edhe pse ato nuk kishin të bënin me kthesën e opozitarëve për t’u përfshirë në administratën zgjedhore. Nënkryetari i KQZ, Denar Biba i propozuar nga PS, për herë të parë ngriti pretendimin se PD, si parti që nuk është pjesë e zgjedhjeve, nuk duhet të ketë zë në diskutimet e KQZ-së. Ndërhyrja ka hasur në kundërshtimin e nënkryetarit Biba. Pikërisht kjo ka sjellë dhe një përplasje. Ndërkohë KQZ po vijon me verifikimin e formularëve të dekriminalizmit për garuesit në zgjedhjet e 30 qershorit si dhe me dhënien e mandateve të deputetëve, ku Ervis Meço do të bëhet pjesë e parlamentit.

Pjesë nga debati në KQZ

Denar Biba: Intensiteti i pyetjeve më duket pak i tepruar. Duke mos qenë subjekt zgjedhor, me mirëdashje.

Njazi Kosovrasti: Nuk kam lidhje me mirëdashjen, kam lidhje me Kodin Zgjedhor. Nëse ky intensitet është në kundërshtim me Kodin, atëherë…

Denar Biba: Vlerësoj se duke mos qenë subjekt zgjedhor…

Njazi Kosovrasti: Merrni vendimin që PD të marrë pjesë në zgjedhje, ose të marrë pjesë e të mos flasë.

Denar Biba: Jeni subjekt zgjedhor, jeni regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit?

Njazi Kosovrasi: Jo, e çdo të thotë kjo. Por kam një nen. Unë jam parti parlamentare dhe si e tillë më takon të marr pjesë në KQZ dhe meqë ju dëshironi po ju citoj Kodin Zgjedhor.

Denar Biba: E njoh ligjin, nuk keni pse të ma lexoni. PD ka një marrëdhënie të shkëputur nga parlamenti aktualisht është fakt i njohur publikisht.

Njazi Kosovrasti: Çfarë pune keni ju. Pa diskutim që jemi parti parlamentare dhe kuptimi i partisë parlamentare përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve të radhës.

Denar Biba: Po, por ju ato mandate i keni dorëzuar.

Njazi Kosovrasti: Bëni detyrën, zoti Biba, si anëtar i KQZ-së, mos u merr me probleme të politikës.

Denar Biba: Unë qëndrova tek elementi i pastër administrativ i ndërhyrjes së vazhdueshme.

Njazi Kosovrasi: Problemin e intensitetit, e vendosni ju masën e ndërhyrjeve të mia?

Denar Biba: Ju lutem, qëndrojini ligjit.

Njazi Kosovrasi: Unë i qëndroj ligjit, jo preferencave tuaja.

Theksojmë se, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Socialiste për Integrim, e bojkotuan procesin. Dy forcat politike që zgjodhën të mos marrin pjesë në garën elektorale me kandidatë për kryetarët e rinj të 61 bashkive, pas djegies në bllok të mandateve të deputetëve, tashmë kërkojnë të kenë anëtarët e tyre, pra të PD-së dhe LSI-së, në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dhënë edhe një argument, se përse Partia Demokratike  dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë marrë këtë hap duke kërkuar komisionerë, në kushtet kur zgjedhjet vendore të 30 qershorit ata i kanë bojkotuar. Sipas tij, ka informacione se në KZAZ janë duke ndodhur manipulime të procesit zgjedhor, siç sipas pretendimeve të PD-së dhe LSI-së, është regjistrimi i paligjshëm i kandidatëve për kryetar bashkie. Edhe pse nuk janë regjistruar si parti për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, PD-së dhe LSI-së, i lind e drejta ligjore të kenë komisionerë në qendrat e votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, kjo e drejtë u lind nisur nga rezultati i zgjedhjeve pararendëse, parlamentaret e 2017-ës. Pra, se cilave parti u takojnë të kenë komisionerë, është përcaktuar para se forcat politike të regjistroheshin në zgjedhje. Kodi Zgjedhor, në nenin 29, parashikon që kur partitë politike në opozitë nuk paraqesin kandidatët për komisionerë, vendet vakante plotësohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me komisionerë të pavarur, të cilët plotësojnë kriteret ligjore. Por, pika 5 e këtij neni parashikon që anëtarët e KZAZ-ve të emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike. Sipas kësaj pike, zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.

Çlirim Gjata

Përpjekja e papritur e Partisë Demokratike dhe LSI për të regjistruar anëtarë në KZAZ, edhe nëse zyrtarisht opozita ka vendosur deri tani të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ka si qëllim sabotimin e procedurave. Ajo që deri tani është paraqitur nga Partia Socialiste dhe Bindja Demokratike thjesht si një dyshim, u konfirmua parmbrëmë nga Çlirim Gjata në emër të Partisë Demokratike. Gjata duke folur në emisionin “Open” përballë gazetares Eni Vasili, ka artikuluar qartë qëllimin, duke dekonspiruar kështu planin e opozitës: Regjistrimi i komisionerëve në KZAZ  ”është moment teknik, se çfarë do bëhet me komisioner, se edhe na duhen ata komisioner, pikërisht për këtë, për të mos pasur zgjedhje”, zbulon Gjata. Pak para Gjatës, sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, e kishte argumentuar kërkesën për regjistrim të komisionerëve si një tentativë për të faktuar manipulimet nga ana e Partisë Socialiste. Po se çfarë mund të manipulojë një forcë politike që po përgatitet për të garuar pa dy forca opozitare kryesore, pra pa konkurencë, nuk ishte e kuptueshme. Por dekonspirimi i Çlirimi Gjatës e ka bërë më të qartë projektin e opozitës. Në momentin që KQZ do të pranojë pjesëmarrjen e komisionerëve të PD dhe LSI edhe pa regjistrimin e kandidateve, ata do të kenë si mision sabotimi nga brenda e gjithë procedurave përgatitore deri në mos hapjen e 5500 qendrave të votimi në datë 30 qershor, dhe mos firmosja e procesverbale, duke bojkotuar kështu të gjithë procesin zgjedhor.

Bindja Demokratike: Ata që duan të prishin zgjedhjet duhet ta marrin përgjigjen që tani

Fabian Topallaj, një nga drejtuesit e Bordit të Bindjes Demokratike përsëriti ditën e djeshme deklaratën e një dite më parë, se Bindja Demokratike është kundër regjistrimit të komisionerëve të PD dhe LSI në KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit. Topallaj tha se kjo është një kërkesë e cila po tenton të sulmojë procesin zgjedhor. “Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, prej më shumë se një vit e kanë tërhequr politikën shqiptare në skutat e anti-politikës. Herë në bashkëpunim dhe herë në karshillëk me njeri tjetrin, ato ia kanë arritur të çmontojnë sistemin e drejtësisë, duke e lënë vendin pa gjykatat e nivelit me të lartë dhe me drejtësinë në agoni, kanë plagosur rëndë parlamentarizmin. Ndërsa së fundmi me djegien kolektive të mandateve, ata po përpiqen të finalizojnë planin për disbalancimin dhe nxjerrjen nga binarët të sistemit demokratik, duke u vetë përjashtuar nga zgjedhjet vendore. Në fakt, sulmi ndaj sistemit demokratik është i paprecedent. Rreziku që vjen prej tij, nëse sulmi tolerohet do të ishte katastrofik. Bindja dhe gjithë subjektet e tjera, që garojnë në këto zgjedhje këtë radhë, janë ngritur në këmbë, jo thjesht për hatër të garës, por më shumë në mbrojtje të demokracisë. Me pjesëmarrjen e tyre në garë ato i kanë dhënë sistemit besimin, politikës shansin, shqiptarëve shpresën, se zgjedhjet nuk do prishen, se shqiptarët do votojnë lirisht dhe do zgjedhin sipas bindjes, se përballja do jetë reale, se konkurrenca do jetë e plotë, se votat do numërohen dhe se rezultati do të respektohet. Shqiptarët kërkojnë pikërisht këtë gjë nga zgjedhjet. Asgjë më shumë, por edhe asgjë më pak. Sa herë kjo premisë ka munguar, shkaku ka qenë koalicioni i fshehtë, ose i hapur midis PS & PD (me LSI herë në një krah dhe herë në tjetrin), për të prishur rregullat e lojës, për të manipuluar procedurat, për të shitblerje votat, për të intimiduar zgjedhësit, për të penguar alternativat politike, si dhe për të falsifikuar rezultatin në favor të PS ose PD, ose të të dyjave së bashku. Sa herë që në Shqipëri ka pasur parregullsi, sidomos në vitet e fundit, komisionerët e PD dhe PS kanë qenë pjesë e mekanizmit, që ka prishur zgjedhjet. Në raport me zgjedhjet, PS dhe PD formojnë në mënyrë permanente koalicionin e së keqes ndaj çdo mundësi që ata të bëjnë sërish një marrëveshje okulte midis tyre, do të ishte në dëm të interesave të vendit. BINDJA DEMOKRATIKE fton institucionet përgjegjëse dhe faktorin ndërkombëtar që ta ndalin sa më shpejt këtë provokim të rëndë ndaj procesit zgjedhor të 30 qershorit, sepse çdo vonesë do të inkurajonte ata, që kanë si qëllim të vetëm prishjen e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”, u shpreh Topallaj.

Andi Përmeti: PD nuk mund të ketë anëtarë në KZAZ

Manovra e Partisë Demokratike për të vendosur komisionerë pranë KZAZ-ve, për zgjedhjet lokale, është parë me skepticizëm nga politikanë dhe ekspertë të ndryshëm të konstitucionalizmit. Një manovër e tillë nga ana e Partisë Demokratike shikohet si pengesë për ecurinë normale të procesit zgjedhor dhe do të mund të përdoret nga kjo parti për të bllokuar ecurinë normale të zgjedhjeve. Gazeta “Shekulli”, pati një komunikim të shkurtër me Partinë e re, Bindja Demokratike. Në lidhje me këtë fenomen, ata u shprehën për gazetën “Shekulli”, se për rastin, nëse Bindja Demokratike do të mund të dërgoj komisionerë në KZAZ-ët, do të jetë vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që do të vendosë. Por në të njëjtën kohë ata thanë se Partia Demokratike nuk ka të drejtë të vendosë afate të përcaktuara. Për të njëjtën çështje, gazeta “Shekulli”, u interesua pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por që ata nuk dhanë ndonjë informacion sepse, sipas tyre, nuk kanë akoma informacion se si do të procedojnë më tej. Për të pasur një pasqyrë më të plotë të zgjedhjeve dhe regjistrimit të komisionerëve në KZAZ, gazeta “Shekulli”, pati një intervistë të shkurtër me deputetin e Partisë Bindja Demokratike, Andi Përmeti. Si një ish-anëtar i Partisë Demokratike, Andi Përmeti analizon qasjen që është duke përdorur PD-ja në raport me zgjedhjet, në të cilën shikon dy shkelje ligjore. E para, sepse Partia Demokratike nuk është aktualisht parti Parlamentare dhe e dyta, sepse Partia Demokratike proklamon se nuk është pjesë e zgjedhjeve elektorale.

Pyetja që doja të shtroja është: A do dërgojë Bindja Demokratike anëtar në KZAZ?

Kjo pyetje nuk më takon t’i përgjigjem unë dhe as Bindja Demokratike, sepse kjo nuk është çështje vullneti partiak dhe as dëshire personale. Kjo është çështje e cila i takon KQZ-së dhe janë ata përgjegjës për zbatimin e drejtë të ligjit.

Sipas jush, a ka të drejtë Partia Demokratike që të dërgojë anëtar, kur ligji nuk e pohon që një parti jo parlamentare të çojë anëtarë në KZAZ?

Partia Demokratike nuk ka të drejtë të çojë anëtarë për dy arsye të forta ligjore: Partia Demokratike nuk është parti parlamentare dhe nuk mund të ketë anëtare KZAZ por mbi të gjitha është çmenduri juridike të kërkosh përfaqësuesit e tu në KZAZ kur vetë Partia Demokratike nuk është pjesë e procesit zgjedhor dhe nga njëra anë thotë nuk do lejoj të zhvillohen zgjedhjet dhe i bën thirrje popullit të prishë zgjedhjet dhe nga ana tjetër kërkon të jetë e përfaqësuar ne KZAZ. Siç e citova edhe më sipër kjo është një çmenduri juridike dhe logjike. Kjo do kishte vetëm një kuptim: N.q.s. ka pasur një tjetër 17 maj dashurie mes Bashës dhe Ramës, e kryer në fshehtësi për të cilën publiku nuk ka dijeni.

Si do procedoni ju?

Ne do vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë të pa shqetësuar nga çmenduritë politike dhe marrëveshjet e fshehta të reja ose të vazhduara prej 17 majit 2017. Ne do ndjekim rrugën ligjore dhe do të jetë vetëm ligji që do të  përcaktojë mënyrën e drejtë për zhvillimin e zgjedhjeve.

Flash Lajme