Kryetarët e partive opozitare kanë dalë dje në një qëndrim të përbashkët me PD-në për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti përmes protestave. Vendimi, pas refuzimit të presidentit Ilir Meta për të ulur palët në tryezë

Lindita Bushgjokaj

Kryetarët e partive opozitare, nga qyteti i Lezhës deklaruan qëndrimin e tyre për bllokimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Krerët e 5 partive aleate të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe  Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me strukturat dhe mbështetësit e partive që drejtojnë. Në këtë organizim, që tashmë njihet si “Forumi për Zgjedhje të Lira”, u diskutua për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi. “Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një “qeveri Tranzitore” pa Edi Ramën kryeministër”, shprehën ata gjatë fjalës së tyre. Krerët e partive opozitare deklaruan ndër të tjera, se qytetarët nuk do të lejojnë që zgjedhjet e 30 qershorit të kthehen në një farsë të demokracisë.

Duke i bërë apel të gjithë elementëve të përgjegjshëm të shoqërisë dhe politikës shqiptare, për të shmangur përplasjen dhe konfliktin, theksuan se është i domosdoshëm krijimi i kushteve politike për ngritjen e një qeverie tranzitore; e cila do të çlirojë zgjedhjet, ekonominë dhe rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe, pas tri dekadash, t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur. Së fundmi, në mbyllje të takimit, ata i bënë thirrje qytetarëve të angazhohen jo vetëm në moslejimin e zgjedhjeve farsë, por edhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në datën 25 maj. Me qëndrimin të unifikuar, sqaruan pse sipas tyre më 30 qershor nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Fatmir Mediu tha se zgjedhjet pa opozitën janë shkatërrim i demokracisë, ndërsa Agron Duka theksoi se Rama po i cakton dhe regjistron kundërshtarët në shkelje të ligjit. Shehi, Ndoka e Dule thanë se vendimet e opozitës kanë qenë të detyruara nga situata specifike, ndaj dhe bënë thirrje për qëndresë. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku demokrat i Lezhës Fran Frrokaj, i cili garantoi mbështetjen për aksionin opozitar.

Deklaratat:

Agron Duka, kryetar i PAA-së: Po i regjistron vetë jashtë çdo rregulli, po i voton dhe thotë kështu bëhet se kështu duan unë. Jashtë ligjeve, jashtë rregullave. Në njëfarë mënyrë, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, KLSH-ja i ka marrë e të gjitha atributet e pushtetit. Të kalojmë në një qeveri kalimtare, tranzitore dhe të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Le të fitojë kush të dojë dhe biznesi të vazhdojë rrugën e tij. Prandaj ne e kemi zgjedhur këtë rrugë në mënyrë që mos t’i zvarritim zgjedhjet, por ti japin një zgjidhje situatës.

Nard Ndoka, kryetar i PKD-së: Lulzim Basha është lideri i opozitës dhe ka një përgjegjësi shumë të madhe. Përveç aksionit opozitar, përveç kauzës për largimin e kryeministrit duhet të japim alternativa bindëse për qytetarët. Largimi i Ramës është çështje ditësh, por qytetarëve nuk iu intereson thjesht largimi i një kryeministri por për të krijuar shpresë për nesër që situata ekonomike të jetë më e mirë dhe vendi të integrohet në Bashkimin Europian. Si do ta largojmë? Me protesta. dhe besoj se jemi në fazën përfundimtare të aksionit tonë politik. Ne ditën e shtunë, me datë 25 Maj kemi një protestë akoma më të madhe se të tjerat.

Fatmir Mediu, kryetar i PR-së: Në takimin në Londër, me përfaqësues të lartë të lordëve, me përfaqësues të Parlamentit Britanik u përpoqëm të shpjegonim situatën në Shqipëri dhe më tepër. Edi Rama ka marrë përsipër një aksion që është unik në historinë tonë kombëtare. Politika që po ndjek Rama në bashkëpunim me Vuçiçin për ndryshimet e kufijve të Kosovës, që do të thotë më shumë prezencë dhe imponim rus në Ballkan, më pak vëmendje nga aktorët e tjerë, dhe shkatërrim i asaj çka kemi realizuar. E para, kemi një precedentë rajonal, siç është precedenti i Maqedonisë së Veriut, ku ra dakord për qeverisje tranzitore dhe Gruevski nuk ishte më kryeministër për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu kërkuam, që sipas eksperiencës së Maqedonisë të kemi njëlloj vlerësimi të situatës kushtetuese, ligjore dhe ekonomike të vendit tonë. Në mënyrë që ta kthejmë vendin në binarët kushtetues. Prandaj, është e rëndësishme që të mos lejojmë zgjedhje të manipuluara. Nuk mund të lejojmë që të na shumëzojë me zero Edi Rama dhe gjithë klani i tij kriminal në zgjedhjet e 30 qershorit.

Vangjel Dule: Jemi në kushtet e një absurditeti ekstrem!

Ndërsa kreu i PBDNJ-së Vangjes Duke, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e djeshëm në Lezhë, teksa analizon situatën politike që ndodhet vendit, arrin në përfundimin se protesta është një domosdoshmëri reale e shqiptarëve, të cilëve iu bëri thirrje të bashkohen ditën e shtunë me 25 Maj. Ata paralajmërojnë se dita e shtunë do të jetë vendimtare për të ardhmen e vendit, e cila asiston për largimin e Ramës dhe krijimin e qeverisë tranzitore.  “Cili është kuptimi i ekzistencës së një qeverie, kur ekzistencën e vet e shkëput nga interesat e një vendi. A ka mundësi që një qeveri të jetë mirë kur një vend shkon keq edhe cila është arsyeja e vazhdimit të një qeverie, kur dështove në garantimin e normalitetit të një vendi. Jemi në kushtet e një absurditeti ekstrem. Është momenti i revolucionit të arsyes. Të shtunën ta shumëfishojmë praninë tonë për protestën e madhe të opozitës së bashkuar”, tha Dule.

Agron Duka: Do luftojmë për të shtyrë zgjedhjet vendore

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në një intervistë për gazetën “Shekulli” komenton qëndrimin e presidentit Meta i cili tha se nuk mund të ketë dialog politik Rama-Meta në kushtet një krizë të tillë që po kalon vendi. Duka thotë, se qëndrimi i Metës është i mbështetur në kushtetutë, por dështoi në realizmin e një misioni të madh, për të zgjidhur krizën përmes dialogut.

Duka, si e komentoni qëndrimin e z. Meta, i cili tha se nuk mund të ketë tryezë diskutimi Rama-Basha?

Nga momenti që grupimi ynë (grupimi i qendrës së djathtë) kërkoi takimin me Presidentin, ishim të vetëdijshëm për kriticitetin e situatës. Sigurisht nuk prisnim që ai takim t’i jepte fund krizës, por ishim shpresëplotë se tryeza, me ne si parti opozitare, mund të shërbente si pika e nisjes për zgjidhjen e krizës. Pavarësisht se deri më sot nuk është realizuar asnjë takim mazhorancë – opozitë nga Presidenti, qëndrimi i z. Meta tregon se ka vepruar në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese. Fatkeqësisht pa rezultat. Përfitoj nga hapësira juaj për ta falënderuar Presidentin, pasi, pavarësisht rezultatit, është treguar konsekuent me angazhimin e marrë në 30 prill karshi nesh dhe qytetarëve shqiptarë.  Sidoqoftë, ky nuk mund të jetë fundi, por jam i bindur se, me afrimin e 30 qershorit, çdo ditë do të krijohen mundësi të reja për të gjetur zgjidhjen.

Na intereson të dimë, nëse do ndiqni rrugën e dialogut për zgjidhjen e krizës, apo rrugën e Bashës përmes protestave?

Pavarësisht qëndrimeve ekstreme, gjithmonë e kemi gjetur rrugën e mesme. Të jeni të bindur se do të ndodhë edhe kësaj radhe. Përtej përpjekjeve për të treguar forcë, mazhoranca është e vetëdijshme se, në një shtet anëtar të NATOS dhe kandidat për BE-në, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen pa opozitën. Ajo që ka rëndësi kësaj radhe është që mos të kërkojmë thjeshtë ‘kalimin e lumit’, por të hartojmë disa ndryshime kushtetuese të domosdoshme, të cilat mund të bëjnë që kriza si ajo e vitit 2017 dhe kjo në të cilën ndodhemi, të mos përsëritet më. Për të arritur këtë objektiv, opozita e bashkuar do të vijojë protestat, që nuk duhen konsideruar thjesht tubime, por mesazhe politike nëpërmjet të cilave qytetarët, me pjesëmarrjen  masive, i tregojnë mazhorancës se është ajo që duhet të ofroj zgjidhje.

Si do i bllokoni zgjedhjet. Keni ndonjë strategji të re?

Sikurse thash më sipër, jam i bindur se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Megjithatë, nëse mazhoranca do të vendos të kthejë vendin 30 vjet mbrapa, nëse do të vijojë të shkel Kushtetutën me regjistrimin antiligjor të kandidatëve fasadë, atëherë ne do të intensifikojmë protestat tona. Këtu nuk bëhet fjalë për dhunë, por për një mision qytetar nëpërmjet të cilit ne do të informojmë shqiptarët se po orkestrohet një teatër i turpshëm në kurriz të tyre. Këtë shfaqe të shëmtuar pakkush mund të durojë; prandaj, nisur edhe nga precedenti i shtyrjes së zgjedhjeve vendore të vitit 2007, 30 qershori është një datë që mund të konsiderojmë të rënë.

OSBE: Qeveria ka nevojë për opozitë më serioze, PD: Qëndrimet e Borchardt diversione!

Me afrimin e zgjedhjeve vendore presioni i ndërkombëtarëve për dialog politik është rritur gjithnjë e më shumë. Vendimi i opozitës për të intensifikuar protestat kombëtarë në gjithë vendin, ka sjellë reagime negative nga OSBE-ja, e cila ka dalë dje në një deklaratë, ku thekson mungesën e një opozitë të vërtetë në Shqipëri.  Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt shprehet se qeveria ka nevojë për një opozitë më serioze dhe më efektive. Diplomati i OSBE-së u drejtohet jo vetëm atyre që janë në parlament, por edhe opozitës PD-LSI që dogjën mandatet duke dalë në protesta. “Ne vazhdojmë tu themi atyre që janë brenda dhe jashtë parlamentit – dhe këtë e përforcojmë me punën tonë këtu – se qeveria ka nevojë për opozitë demokratike më serioze dhe më efektive. Qeveria ka nevojë të sfidohet dhe kritikohet; ajo ka nevojë të shtyhet drejt reformave që synojnë shqiptarët”,-thotë ai. Këtë javë, Shqipëria mirëpret, për të tretin vit radhazi, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së, një takim vjetor i të rinjve nga i tërë rajoni. Në mesazhin e tij për të rinjtë, Bernd Borchardt deklaron se ata kanë spikatur në të gjitha lëvizjet popullore, që kanë sfiduar sistemet e kalbura politike dhe kanë siguruar përparime në të drejtat e njeriut.

“Në Shqipëri, kemi parë dinamizmin dhe ndikimin e angazhimit dhe idealeve tët rinjve. Të rinjtë shqiptarë udhëhoqën fushatën kundër importit të mbetjeve; të rinjtë përdorën energjinë dhe krijimtarinë e tyre për të protestuar kundër projekteve hidrike në rajonet e bukura e të mbrojtura të vendit; në fund të vitit të kaluar, të rinjtë fituan respekt të gjerë për fushatën e tyre të gjatë dhe vërtet kombëtare për standarde dhe kushte në arsim”, deklaran ambasadori i OSBE-së. Bernd Borchardt ndalet edhe te protesta e dhunshme e opozitës ku u sulmua Kryeministria me molotov, të cilin ai e dënoi ndërsa më pas në pallatin ku ai banon të rinjtë opozitarë shkruan një parullë kundër tij. “Ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje Molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private”, shpreh Boschard.

Reagimi

Pas deklaratave të ambasadorit të OSBE-së, Bern Borchardt, ish-deputetët dhe zyrtarët e Partisë Demokratike janë porositur të mos reagojnë kundër tij. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u ka nisur porosi me SMS ish-deputeteve dhe anëtarëve të kryesisë, të cilëve u kërkon që të mos shprehen publikisht rreth qëndrimeve të tij. PD i konsideron si diversione qëndrimet e Boarchardt. Sipas Bardhit, beteja e opozitës është me kryeministrin Edi Rama dhe se replikat do hiqnin vëmendjen nga kriza politike. “Te nderuar, asnjë koment për deklaratat e Borchard. Është diversion i pastër për të hequr vëmendjen nga kriza politike dhe shkaqet e saj. Beteja jone nuk është as me Borchardt as me Spiropalin, por me Edi Ramën dhe bandën në pushtet. Ju përshëndes!”- thuhet në  mesazhin që u është nisur zyrtarëve të PD.

Flash Lajme