Presidenti i Republikës deklaron se me mbylljen e Gjykatës Kushtetuese, kriza është bërë kronike dhe nuk mund të ulë në dialog Ramën me Bashën.  Kriza politike rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit

Erjon Dervishi

Presidenti Ilir Meta u shpreh se vendi ndodhet në një krizë serioze politike, por u dha përgjigje të gjithë atyre që thonë se përse kreu i shtetit nuk i ul Ramën dhe Bashën në tryezë për të zgjidhur ngërçin. Deklarata u bë në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën George C. Marshall për Studime të Sigurisë në Garmish, Albanian Policy Center & Ambasadën Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”. Ilir Meta u shpreh se: “Kemi krizë serioze në Shqipëri që nuk mund t’i shmangemi, duhet të sillemi me përgjegjësi, jemi vend i NATO-s, kemi detyrim të garantojmë sigurinë dhe si një vend që dëshiron të çelë negociatat. Pasi vendi pësoi 1997 u bë një Kushtetutë e jashtëzakonshme. Në vitin 2008 për dy ditë ia hoqëm të gjitha vidat Kushtetutës dhe kaluan nga sistemi parlamentar te sistemi i mbyllur partiak. Kjo është e vërteta për situatën që kemi sot. Dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet, por sistemi ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata. Po dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën Presidenti? Unë kamë bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga vendasit dhe të huajt, paanshmëri dhe gjithashtu se një situatë me probleme ne Shqipëri ndikon në rajon” tha Meta.

Monitorim i drejtësisë

Kreu i shteti u shpreh se i kishte kërkuar drejtorit për Zgjerimin në Bruksel në tetor që të sillte një mision me ekspertë për të evidentuar zbatimin e drejtësisë së re. Gjithashtu Presidenti foli edhe për krizën politike, ku kërkoi sërish përgjegjshmëri dhe sqaroi se nuk mund të ulë Ramën dhe Bashën në një tryezë, pasi janë në qëndrime ekstreme. Gjatë fjalës së tij ai kritikoi edhe politikanët që mbështesin idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe duke i cilësuar delirantë që kërkojnë të largojnë vëmendjen nga llogaria që duhet të japin për problemet brenda vendit. Pas kritikave të forta në drejtim të zbatimit të reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve, Meta tregoi se gjatë një takimi në tetor të vitit të kaluar me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Christian Danielsson i kishte kërkuar një mision për të evidentuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. “Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Denilson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj kam kërkuar një mision zbatimi të reformës për të garantuar që kjo është histori suksesi për ne dhe për ju”. Por një kërkesë të tillë në javët e fundit e ka bërë edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, Lideri demokrat u shpreh disa ditë më parë se  Brukseli duhet të sjellë ekspertë të pavarur për monitorimin e situatës, si rasti i raportit Priebe.

Çfarë është ‘Raporti Priebe’? 

Në vitin 2017 në momentin e krizës së thellë politike së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, Brukseli mblodhi një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Reinhard Priebe për të identifikuar çështjet sistematike të Sundimit të Ligjit. Hetimi asokohe në vendin fqinj çoi në të ashtuquajturin “Raporti Priebe”. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së identifikuan problemet e demokracisë duke shkuar më thellë se raportet e zakonshme të BE-së. “Raporti Priebe” u porosit dhe publikua nga Komisioni Evropian çka i dha peshë më të madhe. Tani Meta dhe Basha kërkojnë nga Brukseli që një gjë e tillë të aplikohet edhe në Shqipëri, në një moment kur na ndajnë vetëm pak javë nga vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian. Reinhard Priebe është një ekspert i njohur gjerman, që udhëhoqi një grup të posaçëm të dërguar nga Komisioni Evropian në Maqedoni, që përgatitën rekomandimet në lidhje me skandalin e madh të përgjimeve në kohën e kryeministrit Gruevski, të realizuara në mënyrë të paligjshme nga shërbimi sekret vendas kundër 20 mijë kundërshtarëve të qeverisë. Ky grup qëndroi për disa ditë në Shkup ku hartuan një raport që u publikua më 8 qershor 2015. Nëpërmjet tij u adresuan problemet rreth çështjeve që kishin të bënin me sundimin e ligjit.

Sipas mediave “në raportin e ekspertëve juridik të BE, si më problematike për aferën e përgjimeve doli puna e Drejtorisë së Zbulimit e Kundërzbulimit”. Bëhej fjalë për 606 555 audio incizime jo ligjore, ku viktima ishin opozitarë me qeverinë, drejtues të partive politike, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, botues, biznesmenë, diplomatë të huaj në Shkup, etj. Grupi i ekspertëve më në krye Priebe, përgatitën rekomandimet në lidhje me përgjimet e publikuara në 2015 nga lideri i opozitës së atëhershme dhe Kryeministri i sotëm, Zoran Zaev. Konkluzionet e Raportit “Priebe” shërbyen si lënda bazë për arritjen e marrëveshjes mes partive politike në Maqedoni, të njohur si “Marrëveshja e Përzhinës”. Superskandali dhe marrëveshja që e shoqëroi atë çoi më pas, në humbjen e pushtetit nga Kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Për ti shpëtuar arrestimit, Gruevski u largua nga vendi nëpërmjet territorit të Shqipërisë, për të kërkuar strehim politik në Hungari. Priebe ka hartuar edhe një raport tjetër rreth dy vite më pas për Maqedoninë, në themel të së cilës ishin thellimi i rekomandimeve të raportit të parë, për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë; gjykatat, prokuroria, hapja e rrugës për Prokurorinë Speciale Publike që të hetonte e të vinte para përgjegjësisë ligjore fajtorët. Pjesë e saj, ishte edhe procesi i reformimit të institucioneve të sigurisë kombëtare ku një pjesë e shërbimeve sekrete u reformuan nga e para.

Rama fton Bashën për dialog pa kushte

Pas thirrjeve të shumta, këtë radhë, përmes një letre publike, kryeministri Edi Rama i kërkon liderit demokrat Lulzim Basha, të ulen në dialog pa kushte, por pa diskutuar datën e zgjedhjeve të cilën siç Rama shprehet – nuk ka fuqi ligjore ta negociojë. Megjithatë, kreu i qeverisë i lë të hapur mundësinë Bashës, për të diskutuar në tryezën e dialogut edhe mundësinë për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, “ju jeni i lirë ta diskutoni”, thekon Rama, por  këmbëngul se nuk është në kompetencat e tij për ta bërë diçka të tillë. Kujtojmë se data e zgjedhjeve është caktuar me dekret të Presidentit Ilir Meta, dhe vetëm kreu i shtetit me një dekret të dytë, mund ta ndryshojë atë. Teksa radhit të gjitha vendimet e opozitës, tashmë joparlamentare, të cilat thotë se nuk i mirëkupton, përfshi dhunën në protesta dënuar botërisht edhe nga ndërkombëtarët, kryeministri thekson se kryedemokrati nuk duhet të humbë më kohë dhe të ulet në tryezën e dialogut. Ky dialog, sipas kreut të qeverisë, nuk mund të mbetet peng i faktit që opozita në një vendim ekstrem kërkon të cenoje zgjedhjet, dhe as pamundësisë për të ndryshuar datën kushtetuese të zgjedhjeve, 30 qershorin 2019. Shefi i mazhorancës shpreh edhe njëherë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve, qoftë edhe pa opozitën që i ka bojkotuar ato, dhe se nuk do të ketë asnjë mundësi që të gjejë zbatim skenari i opozitës jokuvendore për bllokimin e tyre. Rama thotë se dialogu është edhe një nevojë për zgjedhësit të cilët nuk kanë votuar ndonjëherë të majtën, mbështetësit e të djathtës, të cilët nuk duan dëmtim të Shqipërisë. Në përfundim të letrës publike, Rama lë të kuptohet se ndoshta ftesa e tij nuk do të gjejë përgjigje pozitive nga kryetari i Partisë Demokratike.

Basha refuzon dialogun: Largimi i Ramës kusht i pa negociueshëm

Edhe pse kryeministri Edi Rama e ftoi publikisht në dialog pa kushte kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi nga Durrësi se largimi i Ramës është një hap i pa negociueshëm që do ti hapte rrugë zgjidhjes së krizës politike. Basha tha se opozita që ai drejton nuk do të pranojë teatër në kurriz të shqiptarëve. Basha: Edi Rama ne nuk pranojmë teatër në kurriz të shqiptarëve, jemi ngritur kundër interesave tona politike. Ai i ka kapur të gjitha, por sot populli është i bashkuar. Për ti dhënë fund këtij teatri që i kushton vendit shumë kjo përballje ka sot në njërën anë pakicën më të tkurrur. Për ju është kjo betejë vëllezër dhe për ju do të jetë fitorja, që kurrë më Shqipëria të mos bjerë në duart e vetëm një njeriu dhe qeveria të mos jetë peng e kriminelëve. Largimi i Ramës është hapi i parë i pa negociueshëm që do ti hapë rrugë zgjidhjes politike të krizës.” Basha shprehu bindjen se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje vendore, por theksoi se nëse ndodh e kundërta shqiptarët do të hyjnë në çdo qendër votimi për të mos ndaluar kapjen e zgjedhjeve.

Flash Lajme