Senati amerikan miratoi të martën me 91 vota per dhe dy kundër, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Protokolli ishte dërguar në senat nga presidenti Donald Trump më 30 prill, pak kohë pasi që dokumenti u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare në NATO-s në Bruksel.

Procesi po vazhdon në kryeqytetet e vendeve anëtare që duhet të ratifikojnë protokollin sipas procedurave të tyre. Deri tash 25 nga 29 vendet anëtare të NATO-s e kanë ratifikuar atë. Maqedonia e Veriut pritet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, mundësi që u hap pas marrëveshjes së saj me Greqinë për emrin, pas një ngecjeje 27 vjeçare. Anëtarësimi i saj është një goditje për Rusinë e cila kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe rrjedhimisht edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Javën që lamë pas, Maqedonia e Veriut humbi mundësinë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pas kësaj, Shkupi vendosi të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm./VOA

Flash Lajme