Sonte partia më e madhe në pushtet, LSDM, do mbledh këshillin ekzekutiv për të vendosur nëse do të pranojë ose jo kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Nga kjo parti thonë se ka zëra që mbështesin të dy opsionet dhe për të njëjtat kanë argumente të fuqishme, raporton Shenja. Grupi i parë insiston se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të pengojë dhe zvarris proceset reformuese dhe integruese të vendit, ndërsa grupi tjetër vlerëson se LSDM mund të fitojë një mandate të ri dhe stabil qeveritar që do të shtynte më fuqishëm përpara këto procese. Por edhe përkundër këtyre dilemave mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale mbetet problematike edhe për shkak të kushtit që ka vendosur opozita që të formohet Qeveri teknike 100 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Kuvendi shpalli zgjedhjet presidenciale për më 21 prill dhe rrethin e dytë më 5 maj, por deri atëherë tanimë kanë ngelur më pak se 80 ditë dhe nuk ka afat të mjaftueshëm për 100 ditët e qeverisë teknike të cilën e kërkon opozita.

Flash Lajme