Kryetari i Këshillit Grevist të punëtorëve të hotelit „Otrant“ Amir Resulbegoviq tha se ai dhe gati 60 kolegë të tij tash nëntë vite janë në pozitë shumë të vështirë.

„Ne u pushuam nga puna pa vendime, edhe pse ishim të punësuar në kohë të pacaktuar, nuk kemi të drejtë as për ndihmë sociale, ndërsa sipas vendimeve të gjykatave secili prej nesh duhet të paguajë rreth 1.500 euro shpenzime gjyqësore.

Jemi të zemëruar, askush nuk na vënë vesh, e të gjithë e dinë për çfarë bëhet fjalë“, tha ai duke shtuar se punëtorët do të ndërmarrin një sërë hapash që të tregojnë këtë gjendje.

„Do të organizojmë tubimin e familjeve tona para ndërtesës së Gjykatës Themelore dhe të Komunës së Ulqinit, ftojmë kryeministrin Dushko Markoviq ta analizojë rastin tonë, si dhe prokurorin e lartë shtetëror Ivica Stankoviq dhe prokurorin special shtetëror Milivoje Katniq. Do të mblidhemi edhe në Podgoricë para Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës së SHBA“, tha Resulbegoviq.

Shtoi se ai e fitoi të drejtën për pensionin invalidor dhe me 164 euro në muaj mban familjen gjashtëanëtarësh.

Flash Lajme