Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka preferuar të heshtë gjatë ditës së sotme për kontratën e dyshimtë që ajo ka nënshkruar me kompaninë me seli në Nju Jork “Madison Global Strategies, LLC”

Ajo nuk kishte dhënë as gjatë ditës së djeshme asnjë fjalë për këtë kontratë e dyshimtë kur ishte pyetur nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme.

Kontrata që mbi supet e saj ka vlerë të 135 mijë eurove e nënshkruar nga Dhurata Hoxha, kompania nuk do t’i japë përgjegjësi ministres Hoxha. Sipas kontratës kompania do t’i japë llogari shefit të partisë së ministres i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, shkruan Insajderi.

Ministrja nuk ka folur gjatë tërë ditës së sotme për kontratën e dyshimtë që ajo ka nënshkruar. Për Insajderin nuk ka kthyer asnjë përgjigje as nga kryetari i Kuvendit të Kosovës se përse duhet t’i jepet llogari Kadri Veselit për një kontratë të nënshkruar nga Ministria e Integrimeve Evropian.

Por fakti se kjo kontratë është nënshkruar në emër të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe përgjegjës për këtë kontratë është kryetari i Kuvendit të Kosovës, shkakton ndërhyrje të pushteteve legjislative dhe ekzekutive të Kosovës.

Përderisa, ministria që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha do të paguajë nga taksat e qytetarëve të Kosovës shërbimet e kompanisë “Madison Global Strategies, LLC”, njeriut që do t’i jap përgjegjësi kjo kompani bënë pjesë në pushtetin legjislativ. Përgjegjës do të jetë Kadri Veseli për këtë kontratë.

Për çfarë është nënshkruar kjo kontratë?

Më 17 qershor të këtij viti kur po diskutohej për Raportin e Progresit, njëra nga tri gratë e vetme që mbanë postin e ministres, Dhurata Hoxha kishte nënshkruar kontratën e dyshimtë “për konsulencë dhe planifikim strategjik” me firmën lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork.

Ministrja Hoxha njihet për afërsinë politike me udhëheqësin e PDK-së – i cili i ka besuar asaj udhëheqjen e dy ministrive në katër vitet e fundit – të cilit i ka dalë në mbrojtje pothuajse në të gjitha vendimet Kadri Veselit brenda partisë.

Ndonëse në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk përmendet askund Kadri Veseli, emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës përmendet në dokumentet të cilat janë paraqitur në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – e cila është pjesë e Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

Kontrata, e cila sipas ministres Hoxha ka të bëjë vetëm me këshillim e jo me lobim, përmban edhe takime me zyrtarë të Kongresit dhe Administratës amerikane, ka kohëzgjatje prej 9 muajsh – nga hyrja në fuqi, deri në përfundimin e kontratës.

Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë, të cilat do të paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Pagesa mujore që Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.

Sipas obligimeve të marrëveshjes, firma amerikane ka për detyrë të sigurojë takime me kongresmenë amerikanë dhe njerëz të Administratës Trump, për të ndihmuar në pozitën e Kosovës në çështjet e sigurisë.

“”[Organizimi, v.j] i takimeve me anëtarët e Kongresit dhe Administratës, për shembull për të avokuar pozitën e Kosovës në çështjet rajonale të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Një detaj tjetër që ngjall dyshime lidhur me kontratën e Ministrisë së Integrimeve Evropiane me firmën “Madison Global Strategies, LLC”, është fakti se firma në fjalë është formuar vetëm pak muaj më parë dhe kontrata e parë e saj është pikërisht kjo e nënshkruar me ministren kosovare, Dhurata Hoxha.

Ministria e Integrimeve Evropiane thotë se firma “Madison Global Strategies, LLC” do të hartojë strategji në favor të Ministrisë së Integrimit Evropian me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në një përgjigje për Insajderin, Ministria ka thënë se kontrata e nënshkruar me firmën e biznesmenit hebre, Joe Allaham, do ta fuqizojë pozitën e Qeverisë së Kosovës brenda institucioneve të Bashkimit Evropian.

“[Firma “Madison Global”] asiston, harton dhe promovon në favor të Ministrisë së Integrimit Evropian në planifikimin strategjik, në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare që gjendën brenda BE-së me fokus procesin integrues”, ka thënë Ministria e Integrimit.

Ndonëse ka elemente kontradiktore, Ministria që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha nuk e sheh të gabuar kontratën e dyshimtë të nënshkruar me firmën me bazë në Nju Jork.

Ministria ka thënë se pavarësisht vendndodhjes, firma “Madison Global Strategies, LLC” ka shtrirje globale, ani pse ajo është themeluar vetëm katër muaj më parë si firmë.

“Pavarësisht vendndodhjes së Kompanisë, veprimtaria e saj ka shtrirje globale, gjithsesi, fokusi ynë është i përqendruar brenda përgjegjësive dhe detyrave të Ministrisë së Integrimit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Integrimit për Insajderin.

Kompania lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e cila është përzgjedhur fituese e tenderit për këshillim për favor të Ministrisë së Integrimeve dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është formuar rishtazi mirëpo shefi i kësaj kompanie është i njohur për aktivitete lobuese.

Njeriu kryesor që ndikoi në afrimin e liderëve të Katarit me Administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe që po ashtu u përfshi në skandalin me lobim të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Joe Allaham, është drejtor ekzekutiv i “Madison Global Strategies, LLC”.

Gjatë vitit të kaluar, emri i Joe Allaham – i cili tani po paguhet nga Ministria e Integrimeve Evropiane – është përmendur në Shqipëri dhe në ShBA lidhur me aktivitetin e tij lobues për Partinë Demokratike (PD) të udhëhequr nga Lulëzim Basha./Insajderi.com

Flash Lajme