Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pavarësisht intervenimit të tyre, salla nuk ka kapacitet të mjaftueshëm në krahasim me numrin e personave që duan ta përcjellin këtë festival.

“Ka shumë më shumë interesim se sa që kemi karrike. Në sallën e kuqe, siç e kemi llogaritur, janë në total 400 karrike, edhe pse nuk janë 400, po ne kemi sjellë për orkestër karrike tjera, që ato karriket e orkestrës që janë diku rreth 60 të jenë pjesë e publikut. Kështu që, mendoj se numri real për një koncert plotësisht të rregullt do të ishte së paku 600, bazuar edhe në kërkesat për këto biletat që i përmendëm”, thotë Jashari.

Jashari thotë se problemi i sallës koncertale po i përcjell tash e sa vite, ndërkohë që shpreson tek premtimi i BE-së dhe komunës së Prishtinës për ndërtimin e një salle koncertale me përmasat e nevojshme mu në qendër të kryeqytetit.

“Mungesa e sallës koncertale është shumë evidente, shkakton pakënaqësi edhe te publiku, natyrisht edhe te ne. Ne jemi shumë të nderuar si institucion që vazhdimisht kemi interesim për koncertet që i realizojmë dhe ky interesim është në rritje, andaj shpresoj që ky vit që sapo ka filluar të jetë edhe një fillim i ri edhe në aspektin e institucioneve përgjegjëse, qoftë Ministria e Kulturës, qoftë komuna që e dimë tashmë qe e ka një projekt, ta realizojnë dhe të fillojnë ndërtimin e sallës mëse të nevojshme koncertale, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për publikun dhe natyrisht për fushën e kulturës e cila ka nevojë për një objekt të tillë”, thotë Jashari.

Në fund të vitit 2018, Filharmonia e Kosovës nisi të shpërndajë falas bileta për publikun. Sipas Jasharajt, kjo praktikë e ka rritur interesimin e publikut për pjesëmarrje.

“Në momentin kur ne filluam me sistemin e biletave, po e vërejmë që interesimi është rritur. Natyrisht, biletat për momentin janë gratis edhe është një test për të parë se sa njerëzit po interesohen”, deklaron Jashari.

Ndërkaq, në kuadër të festivalit “Tingujt e flautit” do të organizohen tetë koncerte, ku do të performojnë edhe artistë të skenës ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

Festivali do të përmbyllet në muajin maj, me premierën e operës “Gof”, kompozuar nga Liburn Jupolli dhe OJQ “Rexho Mulliqi”. /KosovaPress/


Flash Lajme