Veseli ka thënë se nga ShBA-të ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut dhe jo kërkesë për largim të taksës.

Madje, i pari i Kuvendit ka thënë se taksa 100 përqind i ka bërë mirë Serbisë, raporton KosovaPress.

Këto komente Veseli i ka bërë pas mbledhjes së kryesisë, ku është vendosur që të mbahen seanca më 30 dhe 31 janar. Në seancën e dytë në rend të ditës do të jetë votimi për buxhetin si dhe ligji për pagat.

Derisa ka folur për taksën, Veseli ka thënë se Serbia duhet të dijë se Kosova është shtet sovran dhe i ka porositur që të mos i maltretojë qytetarët e Kosovës, ku ka përmendur orët e gjata që mërgimtarët kanë pritur në kufi për të hyrë dhe dal nga Kosova.

Veseli edhe një herë u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i bashkëngjiten obligimeve institucionale, e nëse nuk do të bashkëngjiten, Veseli tha se sovrani do të vendosë.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është i frikësuar se do të fillojë avazi i vitit të kaluar me seanca, pasi shumë seanca kanë mbetur të hapura.

Hoti edhe një herë ka shprehur qëndrimin e LDK-së se nuk do të bëhen pjesë e ekipit negociator. Por, ai është shprehur se janë duke e dhënë kontributin e tyre duke e mbikëqyrur dhe do ta japin fjalën e tyre kur të vijë marrëveshja në Kuvend.

Për këtë deklaratë të Hotit, ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, duke thënë se ai duhet të flas diçka.

“Avdullahu duhet me fol diçka është opozitë dhe është bërë yll i opozitës”, tha ai.

Kurse, shefi i grupit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se për ta është e rëndësishme interpelanca që do të mbahet me ministrin e Zhvillimit ekonomik për marrëveshjen me Contour Global. /KosovaPress/


Flash Lajme