Presidentit Hashim Thaçi në Bruksel i është kërkuar heqja e taksës dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Këtë thirrje presidentit Thaçi ia ka bërë komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, raporton KTV.

“Takim i mbarë me presidentin Thaçi. Është e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi të rikthehet së shpejti në interes të stabilitetit dhe përparimit rajonal. E ripërsërita qëndrimin e BE-së se tarifa kundër-produktive së paku të suspendohet”, ka shkruar komisionari Hahn në Twitter.

Gjatë së hënës, Thaçi është takuar në Bruksel edhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Sipas komunikatës së Presidencës së Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është i pakuptimtë dhe i papranueshëm.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigjja më e mirë ndaj këtij stagnimi”.

Ndërkaq, nga Lipjani kryeministri Ramush Haradinaj, ka akuzuar përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherinin dhe komisionarin evropian për Zgjerim, Johaness Hahn, se me deklaratat e tyre për korrigjim të kufijve, i kanë humbur një vit BE-së dhe Ballkanit.

Ndërkaq, i pyetur se nëse ofrohet ndonjë marrëveshje më 29 prill në Berlin, a do ta pranonte ai si kryeministër, Haradinaj tha se ai nuk ka mandat negocimi, por për këtë është Ekipi negociator. (KOha)

Flash Lajme