Samiti i Berlinit, thuhet se i dha një goditje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit sa i përket korrigjimit apo ndryshimit të kufirit të Kosovës dhe Serbisë.

Ideja e Thaçit, nuk është përkrahur nga kancelaria gjermane Angela Merkel, e as nga presidenti francez Emanuel Macron.

Megjithatë, një Samit i njëjtë pritet të mbahet edhe në Paris, ku do të marrin pjesë liderët e Kosovës. Por, a do të jetë edhe Samiti i Parisit një goditje e radhës për Thaçin dhe Vuçiqin, si dhe a do të dëshmohet se Serbia është agresore dhe ka kryer gjenocid ndaj popullit dhe civilëve të Kosovës?

Për këtë Samit, politologu dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, Ramush Tahiri thotë se, duhet pritur së pari të mbahet ky Samit dhe duhet parë se cilat vende do të jene pjesëmarrëse, pra vetëm Kosova e Serbia dhe Franca e Gjermania dhe cili do të jetë niveli i përfaqësimit.

“Pra a do të marr pjesë edhe ndonjë shtet i Ballkanit Perëndimor dhe a do të jetë takim në nivel kryeministrash apo presidentësh apo të Ekipit Negociator, apo do të marrin pjesë të gjithë”, thotë ai.

Tahiri thekson se, do të ishte shumë mirë sikur në Paris të miratoheshin parimet bazë dhe kriteret për vazhdim të dialogut dhe për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Nëse këto parime miratohen e ndër to respektohet mosndryshimi i kufijve apo pranimi i kufijve ekzistues në të cilat do të bëhet njohja e shteteve kjo do të ishte një e arritur e madhe për vendosjen e rregullt të marrëdhënieve diplomatike Kosovë e Serbi si dhe për paqen e stabilitetin në rajon. E kuptueshme se në këtë rast për shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të sigurohen e garantohen shkalla ekvivalente e të drejtave individuale e kolektive, të drejtave kombëtare, fetare, regjionale etj. me serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thekson Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se në këtë Samit na duhet ndihma e Francës dhe Gjermanisë si dhe të bëhet kërkesë e kryeministrit të Kosovës që Serbia të njohet si agresore dhe të dëshmohet se ka bërë gjenocid mbi popullin e Kosovës.

“A nëse në Samitin e Parisit arrihet që Serbia të njihet si agresore në Kosovë dhe që të pranohet dhe dëshmohet se ka bërë gjenocid mbi popullin e Kosovës pra mbi qytetarët, atëherë kjo do të ishte vënie pikë mbi karakterin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe kështu do të përjetësohej edhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për dënimin e gjenocidit si dhe themelimi i një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës që i ka kryer Serbia në Kosovë. Në këtë ndihma e Francës dhe e Gjermanisë është vendimtare dhe kjo duhet të jetë kërkesë e kryeministrit të Kosovës në takim”, potencon Ramush Tahiri.

Flash Lajme