Temperaturat e larta kanë shtuar fluksin e pacientëve në spitale. Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar ndërsa thonë se shqetësimi kryesor këto ditë të nxehta janë goditjet nga dielli.

Pa një çadër apo një shishe ujë vështirë se mund të lëvizësh nëpër qytet. Temperaturat kanë arritur pikun ndërkohë që jo të gjithë i kanë gjetur të përgatitur. Mjekët tregojnë për një fluks të shtuar të pacientesh. Shqetësimi më i shpeshtë i tyre janë goditjet nga dielli.

“Shenjat kryesore,janë lëkura. Edhe pse temperatura e organizmit është mbi 40 gradë nuk ka djersitje, është si e skuqur në prekje dhe e nxehtë. Personat shpeh ankohen për një dhimbje koke të fortë dhe mund të shkojë në të vjella. Janë shenja që duhen marrë seriozisht sepse janë deri kërcënuese për jetën”, tha mjeku i përgjithshëm Renald Daka.

Apeli i mjekëve vjen për kujdes të shtuar sidomos për të sëmurët me hipertension, probleme kardiovaskulare, diabet apo probleme të shëndetit mendor. “Personat kardiopatë ose diabetikët, duhet të bëjnë kontroll tek mjeku i familjes ose mjeku specialist në qoftë se është nevoja për të ndryshuar terapinë”, tha mjeku Daka. Shmangia e aktivitetit fizik në orët e nxehta të ditës, konsumi i sa më shumë lëngjeve, vakteve të lehta, por dhe mos ekspozimi në diell do të evitonte problemet shëndetësore në këto ditë me temperatura të larta.


Flash Lajme