Një studim i realizuar nga shkencëtarët e Departamentit të Punëve të Brendshme dhe të Agjencisë së Vëzhgimit Gjeologjik në SHBA kanë zbuluar se plastika po bie nga qielli me shiun.

Përfundimi ka dalë pas mbledhjes dhe studimit të reshjeve të rëna në qytetet Denver dhe Boulder në Kolorado.

Plastika nuk mund të shihej me sy të lirë, por pas analizimit të pikave të shiut me mikroskop u gjet se ajo ishte e pranishme në 90% të kampionëve të marrë. Pjesa dërrmuese ishte në formë fibre dhe me ngjyra të ndryshme, si blu, e kuqe, e argjendtë, e purpurt, e gjelbër, e verdhë dhe të tjera. Nuk është e qartë se nga vjen plastika, por kjo nuk është hera e parë që ajo gjendet në reshjet e shiut, më parë është pikasur në malet Pirenej në jug të Francës, por edhe ishuj të largët të pabanuar.

Shkencëtarët vlerësojnë se në oqeane lundrojnë triliona copëza plastike që kanë sjellë si pasojë edhe ngordhjen e peshqve dhe gjallesave të tjera detare. CNN raporton se një tjetër studim ka zbuluar se njerëzit gëlltisin çdo javë mesatarisht 5 gramë plastikë, pak a shumë sa pesha e një karte krediti. Shumë vende kanë nisur të kufizojnë përdorimin e plastikës, pikërisht për të luftuar fenomenin.


Flash Lajme