Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore të Ligjit Antiduhan, ndalohet përdorimi në ambiente të mbyllura jo vetëm i duhanit, por edhe duhani me ngrohje, apo cigarja elektronike.

Ministrja theksoi se ndryshimet ligjore të Ligjit Antiduhan kanë hyrë në fuqi dhe do të aplikohet gjoba 100 mijë lekë për shkelësit. ”Ligji Antiduhan jo vetëm duhani, por çdo produkt si shisha/nargjile, duhani me ngrohje apo cigarja elektronike ndalohen në ambientet e mbyllura. Me ndryshimet ligjore që tashmë kanë hyrë në fuqi, nëse i shet produktet e duhanit fëmijëve apo adoleshentëve, gjoba është 100 mijë lekë”.

Një nga ndryshimet thelbësore të Ligjit Antiduhan është dyfishimi i gjobës. Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Po ashtu nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1-vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme.

Gjithashtu me ndryshimet e reja në Ligjin Antiduhan, ndalohet konsumimi në ambiente të mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile, që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.


Flash Lajme