Investimi i ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me vlerë 121.4 milionë lekë për rindërtimin e Agjencisë së Barnave do të mundësojë laboratorë modernë për testimin e barnave si dhe ambiente të veçanta frigoriferike për mostrat dhe acidet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se Agjencia e Barnave do të ketë sportele të dedikuara për biznesin për regjistrimin e barnave. Sipas saj, për të garantuar standardet më të larta për kontrollin e barnave në vend po punohet me intesitet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

“Dy laboratorët e rinj që do të pajisen me aparatura bashkëkohore për analizimin e barnave që regjistrohen për herë të parë në vendin tonë si dhe të barnave që janë në qarkullim, do të akreditohen, për të përmbushur standardet europiane të cilësisë”, thotë Manastirliu.

Investimi parashikon ngritjen e laboratorit fiziko-kimik dhe atij mikrobiologjik, duke bërë të mundur garancinë e certifikimit të sigurisë dhe cilësisë së barnave, me analizimin e të gjithë gamës së barnave që tregtohen në vendin tonë dhe me kapacitete analizuese të përmirësuara. Investimi në institucionin e vetëm kombëtar që ka në qendër të punës së tij kontrollin mbi sigurinë dhe cilësinë e barnave, ruajtjen dhe regjistrimin e tyre, pritet të përfundojë brenda vitit dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të pajiset me aparatura moderne laboratorike.


Flash Lajme