Në kopshte dhe çerdhe rreziku për përhapjen e virozëve është më i lartë, duke qenë se fëmijët qëndrojnë së bashku në grupe sipas moshave. Mjekja në njësinë vendore të kujdesit shëndetësor, Klodiana Shehu shpjegoi për Report Tv disa nga masat që janë marrë në këta institucione për të parandaluar përhapjen në mase të virozëve.

”Çdo mjek i cili ndodhet pranë atij institucioni iu bën këshillim edukatoreve, stafit qoftë edhe grupi të madh të fëmijëve, duke biseduar me ta, duke ju thënë që të lajnë duart herë pas here, të ajroset sa më shpesh ambienti ku qëndrojnë fëmijët, të mos pranohet asnjë fëmijë në kopshte apo në çerdhe të cilët janë të sëmurë”.

Fëmijët e sëmurë nuk pranohen në kopshte dhe çerdhe, në momentin që fëmija shërohet, prindërit duhet të paraqesin fletën e rekomandimit që merret nga pediatri. ”Mjekët të cilët janë pranë këtyre institucioneve i është kërkuar që në mënyrë absolute të mos pranohen fëmijët e sëmurë. Në rastet që vijnë fëmijët iu vendoset termometri, iu matet temperatura dhe nëse ka rritje të temperaturës automatikisht lajmërohet prindi që të vijë ta marri. Deri në një moment të dytë që fëmija vizitohet tek mjeku pediatër përkatës dhe më pas ky fëmijë pranohet në çerdhe apo në kopsht me fletën e rekomandimit”.

Mjekja këshillon prindërit që t’i veshin fëmijët sa më lehtë dhe të ajrosin ambientin ku qëndrojnë. “Veshja që ju bëhet fëmijëve duhet të jetë sa më e lehtë, ajrosja e shtëpive ose e vendeve ku qëndrojnë fëmijët. Fëmijët të mos rrinë në vende shumë të mbyllura, siç janë këndet e brendshme të lojërave në çdo lokal apo qendra të tjera argëtimi. Të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme, të përdorin lëngje, ushqime me kalori dhe vitamina. Gjithashtu në raste temperature, të përdorin ulës të temperaturës siç është paracetamoli apo edhe ibuprofeni”.


Flash Lajme